Mirëdita, dobar dan, përshëndetje të gjithëve në gjithë Kosovën.
Me kalimin nga vera në vjeshtë ne ende flasim për çështjet e pazgjidhura që mbesin të njëjta. Në vend se të këmbëngulim për përparim dhe ndryshim pozitiv vështirë se mund të shikosh TV-në këto ditë e të mos dëgjosh akuza për atë se kush është gabim, kush është tradhtar i vendit, apo edhe më keq.
Në strukturat politike kemi parë se si politikat partiake e gërryejnë themelet e përparimit – me udhëheqës që më shumë përqëndrohen në atë që ata kundërshtojnë se sa në atë që ata në të vërtetë përkrahin. Dhe, në mediume dhe në rrugë kemi parë një rritje të tensioneve etnike dhe fetare – gjë që paraqet një trend dekurajues që është në kundërshtim të thellë me dashamirësinë, mikpritjen dhe tolerancën për të cilat Kosova është e njohur. Kosova meriton më mirë.
Unë besoj në një të ardhme më të mirë për Kosovën – një e ardhme me rritje ekonomike dhe mirëqenie; një demokraci stabile dhe funksionale që i takon qytetarëve dhe tatimpaguesve e jo interesave politike të partive; një Kosovë shumetnike, e hapur dhe e pavarur, që është në paqë me fqinjët e saj. Unë besoj se e ardhmja më e ndritur vie nga porositë përparimtare dhe jo nga agjendat negative të ndjekura me zëra të zhurmshëm.
Historia nuk bëhet nga ata që janë më të mirët në të kritikuar, ajo bëhet nga njerëzit me zgjidhje pozitive, njerëzit që provojnë të zgjidhin problemet në vend se t’i krijojnë ato. Nuk mjafton vetëm të flasësh – duhet t’i përvishemi punës dhe duhet të kërkojmë veprim. Para se të ndërrojë stina prapë nga vjeshta në dimër le të bëhemi bashkë për të gjetur disa zgjidhje, për të vazhduar ecjen përpara dhe për të krijuar atë të ardhmen më të ndritshme.