Fjala e ambasadorit Delawie gjatë përurimit të shtegut Via Dinarica, 15 qershor 2017
Ju faleminderit shumë. Me të vërtetë jam i ngazëllyer që po shoh kaq shumë bjeshkatarë – bjeshkatarë të vërtetë dhe amatorë, si unë – duke u kënaqur me malet dhe me motin e bukur. Përnjëmend është pamje e mrekullueshme.
Kjo është mundësia e parë për ta parë me sytë e mi këtë shteg dhe tashmë e kam të qartë se çka e bën atë të veçantë, si dhe përse revista National Geographic dhe të tjerat duan aq shumë ta vënë në pah atë si destinacion kyç.
Shumë shpesh na duhet të flasim për gjërat që i ndajnë njerëzit dhe kombet në Ballkan, por sot kemi rastin të flasim për këtë shteg të jashtëzakonshëm që i lidh njerëzit nga çdo vend i Ballkanit perëndimor nëpër një shteg që shtrihet pothuajse 2000 kilometra, përplot me pamje që të lënë pa frymë dhe me risi pas çdo kthese.
Çka është më me rëndësi: sot po përurojmë 120km të pjesës kosovare të shtegut, duke i bashkuar bukuritë e pabesueshme natyrore të Kosovës me shtatë vende tjera dhe duke siguruar që më shumë njerëz do ta kenë rastin t’i shohin bukuritë e Kosovës dhe të kënaqen me peisaizhin e saj, vargmalet, kulturën, trashëgiminë dhe ushqimin e mahnitshëm.
Imazhi i Kosovës për shumë kohë të gjatë ka qenë sinonim i shoqërisë pas konfliktit. Edhe pse e kuptoj se një shteg alpinizmi nuk është bari magjik shërues, me kohë mund t’i ndryshojmë perceptimet e udhëtimit nëpër Kosovë dhe ta nxisim lulëzimin e turizmit këtu. Në fakt, vetëm gjatë tri viteve të shkuara, agjencitë turistike që veprojnë në Grykën e Rugovës po raportojnë mbi 100% rritje të rezervimeve. Kjo është e mahnitshme. E përmes platformës së përbashkët të marketingut të Via Dinarica, mund t’i bashkojmë forcat për të pasur qasje te një audience edhe më e largët globale se që do të ishte e mundshme si vend i vetëm.
Një ndër kënaqësitë dhe privilegjet e njëmendta të jetesës në Kosovë është mundësia për të eksploruar. Siç mund ta dini, sa herë që kam kohë të lirë, dal për ta zbuluar ndonjë pjesë të re të Kosovës, prandaj ngjarja e sotshme me të vërtetë është e posaçme sepse po mundësojmë hapjen e bukurive të Kosovës për një botë të tërë të re të eksploruesve.
Janë gjithë ata individë dhe organizata të ndryshme që e kanë mundësuar këtë dhe jemi krenarë që jemi pjesë e diçkaje kaq të mrekullueshme.
Më lejoni në veçanti t’i falënderoj partnerët nga programi EMPOWER për sektorin privat, të cilët së bashku me Federatën e Bjeshkatarisë Alpiniste të Kosovës, SIDA dhe shumë të tjerë që ndoshta harroj t’i përmendi, kanë punuar me mund për t’i përfshirë shtigjet perëndimore dhe jugore të Kosovës në Via Dinarica. Çdo gjë prej shënimit në harta dhe shënimit të shtegut deri te materialet promovuese e deri te trajnimi i operatorëve lokalë e shumë më shumë.
Ju faleminderit të gjithëve!