Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe me rastin e fillimit të programit „Ura”

Fjala e Të ngarkuarit me Punë Giacobbe me rastin e fillimit të programit „Ura”,  8 tetor 2021

Kryeministër Kurti, zëvendës-ministre Maloku-Berdynaj, kryetar komune Kastrati, president Shahrabi, përfaqësues të komunës, partnerë të projektit, mysafirë dhe media të nderuar, mirëdita. Kam kënaqësinë që jam këtu për fillimin zyrtar të programit URA.

Ambasada e SHBA-së e ka paramenduar këtë program si mënyrë për përdorimin e gjuhës angleze si gjuhë të përbashkët, duke nxitur komunikimin ndëretnik dhe thellimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve kosovarë. E kuptojmë se kontakti mes të rinjve, etnive, ka qenë më i vogël dhe që mungesa e gjuhës së përbashkët shpesh i ndan njerëzit, duke i izoluar nga njëri-tjetri dhe nga mundësia për tu bërë agjentë të ndryshimit në komunitetet e tyre. Ne duam që ta tejkalojmë këtë ndarje – t’i lidhim njerëzit dhe të forcojmë marrëdhëniet e tyre, t’i japin mundësi më të madhe të ardhmes së tyre duke ndërtuar komunitete të mësimit. Për këtë arsye këtë program e kemi emëruar URA. Jam i sigurt se programi URA do t’ju ndihmojë të arrini këtë – do t’ju ndihmojë të ndërtoni lidhje të forta ndërmjet të rinjve kosovarë me prejardhje të ndryshme – dhe jam i lumtur që mund të raportoj se ky program është bërë shumë më shumë se aq përmes partneritetit tonë me Institutin Teknologjik të Roçesterit.

ITR e ka përcaktuar programin „Ura” jo vetëm si program për mësimin e gjuhës angleze dhe mënyrë për të inkurajuar shtimin e kontaktit ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë së pasur shumë-kulturore të Kosovës, por edhe si platformë për studentë për t’i fituar shkathtësitë e domosdoshme për të ndjekur edukim të nivelit universitar. Ky program shkon përtej fitimit të shkathtësive të gjuhës angleze dhe të menduarit kritik, që janë të domosdoshme për edukim universitar dhe përqendrohet në inovacione për mësimin e matematikës, teknologjisë dhe në veglat kryesore për ndërmarrësi, lidership dhe aktivizëm qytetar.

Përforcimi i këtyre shkathtësive do t’ju ndihmojë studentëve të programit „Ura” për të konkurruar në mundësitë profesionale dhe edukative në Kosovë dhe jashtë.

Ne, në ambasadën e SHBA-së besojmë – dhe e di se edhe ju pajtoheni – se arsimimi është themeli i demokracisë dhe është jetik për rritjen e ekonomisë. Zhvillimi i arsimit gjithmonë ka qenë prioritet për misionin e SHBA-së në Kosovë. Jemi të bindur se studentët që marrin pjesë në këtë program do të kenë mundësi më të mira për të arritur qëllimet e tyre dhe rrjedhimisht do të jenë më të përgatitur për të kontribuar në përparimin e ardhshëm të ekonomisë, qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit për Kosovën.

Duke punuar në gjashtë komuna, Graçanicë, Kamenicë, Mitrovicë, Pejë, Prizren dhe Shtërpce, programi „Ura” do të jetë kontribuues i shkëlqyeshëm për zhvillimin e gjeneratës së re të udhëheqësve të ardhshëm të Kosovës, duke ndërtuar identitet të përbashkët për kosovarët dhe duke inkurajuar ndjenjë më të fortë në mesin e të rinjve me prejardhje të ndryshme që Kosova vërtet është shtëpia e tyre.

Edhe njëherë, ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush sot. Shpresoj të shoh këtë program, studentët dhe mësimdhënësit duke lulëzuar – në këtë program dhe në ndërmarrjet e ardhshme.