Fjala e ambasadorit Delawie gjatë tryezës së rrumbullaktë për drejtësinë zgjedhore të organizuar nga Demokracia në Veprim, 9 qershor 2017
Më vjen shumë mirë që jam këtu dhe veçanërisht dëshiroj ta falenderoj Demokracinë në Veprim dhe Demokracinë për Zhvillim për organizimin e kësaj ngjarjeje kaq të mirë.
Jam shumë i lumtur që po e shoh gjithë këtë përkushtim nga ana e institucioneve të Kosovës në përgatitje të incidenteve të mundshme të mashtrimit në ditën e zgjedhjeve.
Gjithmonë më inkurajon pjesëmarrja e fortë të organizatave të shoqërisë civile duke dhënë më të mirën në Kosovë. Është shumë mirë që të gjithë ju patët rastin të bëheni bashkë sot sepse duhet bashkëpunimi dhe bashkërenditja e hisedarëve të shumtë që kjo përpjekje të ketë sukses.
Ky lloj i planifikimit proaktiv është thelbësor për promovimin e proceseve demokratike të Kosovës dhe për të siguruar zgjedhje të drejta dhe të besueshme, të cilave iu kemi përkushtuar të gjithë.
Në SHBA e kemi një thënie: “Çdo votë llogaritet”, gjë që është natyrisht po aq e vërtetë edhe këtu në Kosovë. Kjo do të thotë që të gjithë qytetarët kanë përgjegjësi për të punuar drejt një procesi zgjedhor pa mashtrime dhe për të siguruar legjitimitetin e demokracisë përfaqësuese të Kosovës.
Shumë prej jush e mbani në mend vitin 2010, ndoshta gjyqtarja Daka e mban mend më së miri, kur Komisioni Qendror Zgjedhor pa organizuar rivotim në një numër të komunave dhe të qendrave të votimit për shkak të mashtrimit gjatë zgjedhjeve. Mashtrimi ishte për të ardhur keq, por lajmi i mirë ishte se institucionet e Kosovës u përballën me këtë çështje si është më së miri: me sukses zbuluan dhe ndoqën penalisht shumë raste të mashtrimit. Kjo ndërmarrje la prapa vetes një trashëgimi shumë të rëndësishme dhe të vlefshme për demokracinë e Kosovës.
Njerëzit ende i mbajnë mend dhe flasin për zgjedhjet e 2010-s, siç dëgjuam edhe gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Gllogovc vitin e kaluar. Pas përvojës së vitit 2010 patëm 2013-tën dhe 2014-tën kur qytetarët e Kosovës, institucionet dhe prijësit politikë të saj dëshmuan se ky vend mund të nxjerrë rezultate të besueshme të zgjedhjeve. Natyrisht se ato zgjedhje nuk ishin të përsosura, por përbënin një hap të rëndësishëm dhe tepër të mirëpritur përpara. Shpresoj se zgjedhjet e 2017-s do të jenë edhe më të mira.
Të pranishmit e sotshëm që janë në Grupin veprues për zgjedhje kanë kontribuar shumë për integritetin zgjedhor duke marrë vendime të shpejta dhe përcaktuese për veprat penale lidhur me zgjedhjet.
Shumë njerëz tanimë e dinë për gjobat për mashtrim gjatë zgjedhjeve – si dhe për vështirësinë për të gjetur vend pune ose edhe më keq, për tu dënuar me burgim si rezultat i mashtrimit. Krejt kjo ka ndodhur si rrjedhojë e përpjekjeve tuaja të përbashkëta.
E di se këtë javë janë mbajtur një varg tryezash të rrumbullakta për ta njoftuar opinionin publik si të raportojnë mashtrimin gjatë zgjedhjeve. Është shumë mirë që shoqëria civile e Kosovës mund t’i organizojë këto ngjarje së bashku me institucionet shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e procesit politik.
Ne do t’ju mbështesim gjatë tërë kohës. Ambasada jonë do t’i ketë 40 ekipe në terren në ditën e zgjedhjeve, duke vëzhguar votimin gjatë ditës dhe numërimin pas mbylljes së vendvotimeve. Jam shumë i lumtur që kolegët nga disa ambasada amerikane në rajon kanë dalë vullnetarë për ta kaluar fundjavën e tyre në mbështetje të ekipeve tona vëzhguese dhe të demokracisë në Kosovë.
Ju përgëzoj dhe falenderoj që po e ndani kohën dhe po luani rolin tuaj shumë seriozisht për ta luftuar mashtrimin gjatë zgjedhjeve. Po i bëni shërbim të jashtëzakonshëm vendit tuaj.
Ju faleminderit shumë!