Tryeza e rrumbullakët me ambasadorin Hovenier, e martë, 30 maj 2023
Ambasadori Hovenier: Ju faleminderit për praninë tuaj. E di se ka shumë interesim se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin gjendjen e tanishme në veri, prandaj pata dëshirë të flas për këtë gjë. Jemi shumë të shqetësuar me gjendjen në veri tani. Besojmë që kjo ishte krizë e panevojshme. Sipas këndvështrimit tonë, kjo krizë ishte e panevojshme. Operacioni që u zhvillua të premten për të siguruar qasje me forcë në ndërtesat e komunës nuk ishte bashkërenditur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur u njoftuam për të, fuqimisht këshilluam kundër tij sepse i parashikuam pasojat që po i shohim tani.
Besojmë se ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës. I ka kthyer prapa përpjekjet tona për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe siç e tha Sekretari Blinken në deklaratën e tij dhe siç e kemi thënë edhe ne në deklaratën e lëshuar nga Departamenti i Shtetit, kjo po ndikon në marrëdhëniet tona dypalëshe.
Shenja e parë është vendimi që u mor mbrëmë nga Komandanti i Komandës së Forcave Amerikane në Evropë, gjenerali Cavoli, për anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në ushtrimin „Mbrojtja e Evropës 23” (Defender Europe 23), gjë që ndodhi gjatë natës. Siç do ta vëreni, sot nuk ka pasur asnjë aktivitet të ndërlidhur me „Defender Europe 23” dhe nuk do të ketë as aktivitete tjera. Ushtrimi ka marrë fund për Kosovën. Po i shqyrtojmë edhe implikimet tjera.
Më duhet të them se në këtë çast, Kryeministrit Kurti i kemi kërkuar shumë drejtpërdrejt që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të arritur shtendosjen e situatës në veri. Ai nuk iu është përgjigjur atyre kërkesave. Prandaj, po shqyrtojmë se cilat do të jenë veprimet tona tjera.
Po ashtu, më duhet të them se momentalisht nuk do të shihni shumë entuziazëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të reaguar për disa prej interesave të tjerë të Kosovës, siç është angazhimi me shtetet mos-njohëse ose të punojmë në mënyrë aktive për avancimin e Kosovës në trajektoren evropiane dhe euroatlantike. Na vjen shumë keq që kështu është situata, por më duhet të jem i sinqertë e të them se kështu qëndron puna. Pra, shpresojmë që Kryeministri Kurti do ta pranojë këshillën tonë dhe menjëherë të ndërmarrë disa veprime që arrijnë shtendosjen e situatës në veri dhe që të na mundësojë të vazhdojmë të merremi me çështjen parësore të zbatimit të plotë të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit e jo me shpërqendrimin për shkak të një konflikti të panevojshëm në veri.
E tani, jam i gatshëm për pyetje.
Pyetje: Mirë? Ju faleminderit, z. ambasador. Pra, e përmendët ndikimin negativ dhe anulimin e ushtrimit „Defender Europe”. Pas deklaratave të rrepta, ju filluat të ndërmerrni veprime. Sa kohë do ta pritni Kryeministrin Kurti për t’ju përgjigjur kërkesave tuaja
Ambasadori Hovenier: Ne mendojmë se situata njëmend është urgjente. Krahasimi im ishte sikur të jetë shtëpia në flakë. Duhet ta fikësh zjarrin. Prandaj, nuk mendoj se do të shihni durim të gjatë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me pritjet tona që qeveria të ndërmarrë veprim tani për shtendosjen e situatës në veri. Më lejoni të jem i qartë. Ne po i kërkojmë qeverisë që t’i bëjë dy gjëra për shtendosjen e situatës. Më lejoni të jem specifik. Ne besojmë se qeveria nuk duhet të këmbëngulë që kryetarët e komunave të punojnë nga ndërtesat e komunës. Qeveria ishte në gjendje të gjente lokacione alternative që ata të jepnin betimin. Nuk mund të kuptojmë se përse nuk mund t’i shfrytëzojnë të njëjtat lokacione alternative ose ndërtesa të tjera publike për të kryer funksionet e tyre, që janë funksione administrative. Zyrtarisht e kemi thënë se këta kryetarë komunash luajnë rol të rëndësishëm sa i përket administrimit. Por, ky nuk është aranzhim normal dhe ata nuk kanë mandat të fortë nga elektorati i tyre për të marrë ndonjë nismë të madhe. Prandaj, nuk e kuptojmë këmbënguljen që të punojnë nga ndërtesat e komunës dhe besojmë se prania e Policisë së Kosovës, e cila është bërë me forcë, është jashtëzakonisht sfiduese. Prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që ta tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale. Mendojmë se kjo do të shtendoste gjendjen.
Pyetje: Nëse KFOR-i e merr përsipër, nëse trupat dhe mjetet e blinduara të KFOR-it vendosen, a ka ndonjë skenar të një ligji ushtarak apo ndonjë skenar para 2008 për të marrë kontrollin në terren?
Ambasadori Hovenier: Zakonisht nuk më pëlqen të përgjigjem në pyetje hipotetike. Ajo që po e përshkruani nuk është duke ndodhur tani. KFOR-i luan rol të rëndësishëm, por misioni i tij është liria e lëvizjes dhe mjedisi i qetë e i sigurt dhe këto janë çështjet në të cilat është përqendruar gjenerali Ristuccia dhe ekipi i tij. Më lejoni të shfrytëzoj mundësinë për të shprehur atë që e thashë në Twitter dje, e që se shprehim keqardhjen tonë të thellë për personelin e lënduar të KFOR-it, por edhe pakënaqësinë tonë të thellë me atë çka ndodhi atje – për këtë sulm mbi paqeruajtësit që janë aty për të mbajtur paqen. Pra, presim që KFOR-i të përmbushë misionin e tij për të ofruar mjedis të qetë e të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes. Kjo është çka presim nga KFOR-i, kurse nga Qeveria e Kosovës presim që menjëherë të ndërmarrë veprime për shtendosjen e gjendjes në veri.
Pyetje: A paraqet kërcënim për Kosovën vendimi i Serbisë për t’i vendosur forcat në kufi, në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake?
Ambasadori Hovenier: Kurrë nuk është shenjë e mirë kur shtetet fqinje që kanë marrëdhënie të tendosur i mobilizojnë forcat e tyre. Por, më duhet të them, se momentalisht, ne po brengosemi për veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që kanë krijuar një atmosferë krize në veri dhe këtë po e kërkojmë të adresohet.
Pyetje: Kryeministri hiç më larg se dje tha se ka bashkëpunim të mirë dhe po e citoj „Bashkëpunim të mirë me ju lidhur me veriun”. A është kjo deklaratë e tij e drejtë?
Ambasadori Hovenier: Mendoj se deklarata ime hyrëse dhe ajo që e thashë flet vetë. Mendoj se e adresova këtë mjaft qartë.
Pyetje: A mund të shtoj edhe diçka? Shkurtimisht sepse jeni takuar edhe me Presidenten Osmani. A është ajo pjesë e politikës së qeverisë? A po punojnë si një ekip? Dua të them, jeni takuar me të.
Ambasadori Hovenier: Nuk e di a është e hijshme që të flas për dinamikën brenda institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Por, dua të vë në pah se Presidentja Osmani vazhdimisht ka theksuar se ajo i jep shumë rëndësi bashkërenditjes dhe bashkëpunimit të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë me Shtetet e Bashkuara. Unë besoj se ajo e merr këtë gjë shumë seriozisht.
Pyetje: Zotëri ambasador, thatë se do t’i kërkoni qeverisë që të tërheqë forcat speciale policore nga komunat.
Ambasadori Hovenier: A mund t’ju korrigjoj? Nuk e thashë atë. Çka thashë është të tërhiqet Policia e Kosovës nga tri objektet e komunave. Këtë e thashë.
Pyetje: Kërkoj falje. A ka shenja, meqenëse edhe KFOR-i amerikan po negocion me policinë në këto komuna, a ka shenja që policia do të tërhiqet? A ka ndonjë indikacion?
Ambasadori Hovenier: Momentalisht, nuk jam në dijeni që është marrë ndonjë vendim në nivel politik për tërheqjen e Policisë së Kosovës nga tri objektet e komunave.
Pyetje: Dje janë lënduar 25 ushtarë. Në të kaluarën ka pasur ushtarë të KFOR-it që kanë vdekur. Asnjë rast i vdekjes ose lëndimit në të kaluarën nuk është përballur me përgjegjësi. Askush nuk është gjetur. Nuk është burgosur asnjeri. A do të lejoni që lëndimet e ushtarëve mbrëmë, përfshirë të ushtarëve amerikanë, të kalojnë pa llogaridhënie? A po i hetoni rastet e lëndimit të ushtarëve amerikanë?
Ambasadori Hovenier: A po shtroni pyetje apo po bëni deklaratë?
Pyetje: A do t’i hetoni rastet e lëndimit të ushtarëve amerikanë që kanë ndodhur?
Ambasadori Hovenier: Para së gjithash, faktet tuaja janë të pasakta. Sa e di unë, asnjë ushtar amerikan nuk është lënduar dje. E marrim shumë seriozisht çështjen kur paqeruajtësit – dhe njëmend nuk do të duhej të ketë dallim në mes të ushtarëve amerikanë dhe ushtarëve të tjerë. Ushtarët e NATO-s janë ushtarë të NATO-s. Ne, si Aleancë, i çmojmë dhe vlerësojmë të gjithë pa marrë parasysh nacionalitetin e tyre. Jemi thellësisht të shqetësuar dhe të brengosur nga veprimet atje që rezultuan me plagosjen, madje në disa raste, plagosjen e rëndë të këtyre ushtarëve. I dënova dje, siç besoj e kanë bërë edhe të gjithë kolegët e mi nga Quint-i. Por kjo nuk e mohon faktin se arsyeja pse ushtarët ishin atje, për të ruajtur paqen në atë skenar, ishte për shkak të vendimit të marrë nga Kryeministri Kurti për të kërkuar të sigurohet qasja në këto tre ndërtesa komunale me mënyra të dhunshme. Dhe kjo gjë duhet adresuar në lidhje me shtendosjen e situatës, që është ajo që ne kërkojmë të bëhet.
Pyetje: Ambasador, a kemi një udhërrëfyes konkret se si ta normalizojmë situatën në veri dhe duke pasur parasysh jo vetëm ngjarjet e fundit, por edhe njerëzit që lanë punën…në vjeshtë, policia, gjyqësori… dhe pse po shohim që vetëm pala kosovare po fajësohet?
Ambasadori Hovenier: Përsëri, siç thashë, nëse mund të përdori analogjinë e njëjtë, nëse shtëpia është në flakë duhet ta shuani zjarrin para se të mund të punoni për rinovimin e kuzhinës apo çfarëdo tjetër që duhet të bëni. Pra, për momentin gjëja urgjente është shtendosja e situatës në veri. Në afat të gjatë, e kemi udhërrëfyesin. Quhet marrëveshje… marrëveshje për rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë mjaft e qartë në pritjen tonë që të dy palët të zbatojnë plotësisht të gjitha zotimet që i kanë marrë në atë marrëveshje. Kjo gjë zgjidh edhe gjendjen në veri. Kjo është njëra ndër arsyet përse presim që Qeveria e Kosovës urgjentisht të ecë përpara me procesin e negocimit të Asociacionit, që do të ndihmonte në adresimin e shumë çështjeve që kanë dalë në pah në veri.
Pyetje: E përmendët tashmë ushtrimin „Defender Europe” dhe gjithashtu mungesën e entuziazmit ndaj shteteve mos-njohëse, por do t’ju pyesja nëse mund të jeni më konkret në disa aspekte të tjera, në lidhje me atë që u cilësua si pasojë e mundshme për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Çfarë pasojash të tjera mund të ketë në afat të shkurtër nëse situata nuk ndryshon?
Ambasadori Hovenier: Nuk e di a ia vlen që të jem më specifik tani. Është e qartë që ende po reflektojmë dhe shpresojmë që Qeveria e Kosovës do të reagojë ndaj kërkesave tona dhe të ndërmarrë hapa për shtendosjen e situatës. Ajo që ka ndodhur tashmë është e jashtëzakonshme. E patë postimin në Twitter të Sekretarit Blinken. Është e rrallë që të kemi atë nivel të gjuhës. Kurse, Gjenerali Cavoli, komandanti i tërë Forcave Ushtarake amerikane për Evropë, në emër të Shteteve të Bashkuara, mori vendimin për anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në ushtrimin „Defender Europe 23”. Edhe ky është një veprim mjaft i jashtëzakonshëm. Kjo jep shenjë se sa seriozisht po e marrim këtë dhe shpresojmë që edhe Qeveria e Kosovës ta marrë këtë seriozisht, gjithashtu.
Pyetje: A po e kuptojnë njëmend se sa serioze është gjendja pas postimit në Twitter të Sekretarit Blinken, pas thirrjeve që i kemi pasur nga Quint-i? E megjithatë dje, mund të shihnim atë që e shihnim… se gjendja në terren nuk po ndryshon.
Ambasadori Hovenier: Kjo është pyetje e shkëlqyeshme, të cilët është e qartë se nuk mund t’i përgjigjem unë, por ju nxis që t’ia shtroni zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës. A e kuptojnë ata sa serioze është gjendja? Jemi ulur këtu së bashku pikërisht që ta qartësoj se sa serioze e tërë kjo është. E sigurisht që i kam thënë edhe Kryeministrit se sa serioze e tërë kjo është.
Pyetje: Në vjeshtën e shkuar, më kujtohet që Ambasada e SHBA-së i njoftoi disa ministra të Kosovës që të mos vizitojnë SHBA-në për shkak të barrikadave. A lejohen që të shkojnë tani? A mundet Qeveria e Kosovës të bashkëpunojë me Qeverinë e SHBA-së nëse gjendja vazhdon siç është tani?
Ambasadori Hovenier: Sërish, do të befasohesha nëse në rrethanat e tanishme, në rrethanat në të cilat jemi tani, do të kishte gatishmëri të madhe për vizita të nivelit të lartë, qoftë nga Shtetet e Bashkuara këtu, qoftë nga Kosova në Shtetet e Bashkuara.
Pyetje: Madje edhe për Kryeministrin Kurti?
Ambasadori Hovenier: Siç e thashë, do të befasohesha shumë nëse në gjendjen e tanishme të kishte gatishmëri për vizita të nivelit të lartë.
Pyetje: A konsiderohen zgjedhjet e reja komunale si një opsion për zgjidhjen e krizës në veri?
Ambasadori Hovenier: Nuk mund të flas për opsionet që po i merr parasysh Qeveria e Kosovës. Çka dua të them është se na duhet shtendosja e situatës. Dhe tashmë i shtjellova dy gjërat që ne mendojmë se na duhen tani për të parë shtendosje të menjëhershme të situatës në veri.
Pyetje: Çka mendoni? A do të ishte pjesë e mundshme kjo?
Ambasadori Hovenier: Nuk mund të flas e çka do të funksiononte e çka jo. Dua të them, a mendoni se do të ndihmonte? A do të merrte pjesë komuniteti etnik serb në zgjedhje këtë herë? Nuk mund t’iu përgjigjem atyre pyetjeve.
Nuk mund të them që në rrethanat aktuale, kur janë njerëzit që janë zgjedhur me mjete siç kërkohet me ligje të Kosovës, por që askush nuk mund të jetë i lumtur kur më pak se 4% të votuesve të regjistruar dalin të votojnë. Ata zyrtarë të zgjedhur duhet të veprojnë me shumë kujdes, apo jo, të pranojnë se nuk kanë një mandat të fortë politik për të ndikuar në ndryshim dhe, siç e kemi thënë publikisht disa herë, të përqendrohen në llojin teknik ose administrativ të qeverisjes, ndërkohë që përpiqemi të krijojmë kushte për një mjedis të ndryshëm politik, i cili do të sillte përfaqësim të ndryshëm politik.
Me Qeverinë kemi biseduar edhe për atë se si ia fillojnë punës ata. Për këtë arsye kemi pasur biseda të kujdesshme rreth mënyrës se si do të japin betimin dhe që të përpiqen ta bëjnë atë duke i ri-siguruar komunitetet që iu shërbejnë e jo duke e bërë të kundërtën. Dhe kjo është një pjesë përse reagimi ynë me atë çka ndodhi të premten ishte aq i fuqishëm. Sepse kjo sigurisht nuk është mënyra se si cilido nga këta kryetarë komunash do të duhej t’ia fillojë mandatit, duke hyrë në zyrën në komunës përmes policisë, duke përdorur forcën për të hyrë brenda. Kjo nuk është diçka që e kishim parashikuar apo rekomanduar.
Pyetje: Pyetja ime nuk lidhet pikërisht me këtë krizë, por është më e përgjithshme. Jemi duke bërë një studim për dezinformimin në Ballkanin Perëndimor ku po konstatojmë se fushatat dhe narrativat dezinformuese të Kremlinit po arrijnë në mediat shqiptare në Kosovë, mediat serbe në Kosovë, mediat sociale këtu, duke ndikuar në opinionin publik në Kosovë. A keni edhe ju gjetje të tilla, në thelb, informata të tilla apo a tregojnë gjetjet tuaja diç të ngjashme në muajt e fundit?
Ambasadori Hovenier: Nuk jam i sigurt nëse mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje në mënyrë shumë specifike. Çka do të them është se në tërë rajonin jemi të shqetësuar për fenomenin e dezinformimit. Ky shqetësim nuk kufizohet vetëm në Ballkanin Perëndimor. Kjo po ndodh edhe në vendet e tjera. Por, nuk është e fshehtë që Rusia nën Putinin po angazhohet në operacione dhe veprimtari dezinformimi dhe që ata janë të sofistikuar dhe të aftë në këtë. Gjithashtu, nuk është befasuese që disa prej narrativave të rrejshme që Rusia po i lanson për të çuar përpara interesat e saj strategjikë rezonon deri diku edhe në pjesë të Ballkanit Perëndimor. Por, nuk kam më shumë informata specifike.
Në Departamentin e Shtetit e kemi Qendrën Globale të Angazhimit, që tani drejtohet nga Jamie Rubin, të cilin me siguri e njihni të gjithë, që i merr shumë seriozisht këto çështje. Ai dhe Qendra Globale e Angazhimit po e shqyrtojnë me shumë vëmendje çështjen e dezinformimit në këtë dhe rajonet tjera. Me këtë, më duket se e shterova kohën që mund të ndaja për këtë tryezë. Ju faleminderit shumë.