Fjala e ambasadorit Delawie në takimin këshillues për themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe për pajtim, 13 shkurt 2017
Ju faleminderit, President Thaçi që i keni bërë bashkë gjithë këta ministra, kolegë dhe zyrtarë që janë përqendruar për ta ndihmuar shoqërinë kosovare për ta ndërtuar një të ardhme më të ndritur. Kam kënaqësinë që jam bashkë me ju këtu për t’i shqyrtuar mundësitë për themelimin e Komisionit për të vërtetën dhe për pajtim.
Kosova tashmë ka bërë disa hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e saj të shërimit nga lufta e tmerrshme që i ka shkatërruar gjithë ato familje dhe që ende shkakton kaq shumë dhimbje. Qytetarët me të drejtë duhet të ndjehen krenarë me hapat që qeveria e tyre i ka ndërmarrë në rrugën drejt pajtimit, përfshirë edhe ligjet përfshirëse dhe qeverinë shumetnike. Kosova është për lëvdatë për përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes të cilit është arritur përparim i njëmendtë që iu ka sjell përfitime të prekshme qytetarëve kosovarë, do të vazhdojmë të punojmë për përparim të mëtejmë.
Është e qartë se duhet të bëhet më shumë për viktimat, ashtu që thirrjet e tyre për drejtësi të dëgjohen. Një komision për të vërtetën dhe pajtim mund të paraqesë masë të dobishme për ta bërë këtë, nëse iu përmbahet parimeve dhe praktikave ndërkombëtare përgjithësisht të pranuara për komisionet e tilla që të jenë të besueshme dhe efektivë. Këto nuk janë unikë për Kosovën, por bazohen në përvojat nëpër botë. Dëshiroj ta shfrytëzoj rastin t’i shqyrtoj disa prej këtyre parimeve.
- Paanshmëria – mandatet duhet të jenë mjaft të gjera për të mbuluar krimet dhe abuzimet e kryera nga një varg i gjerë akterësh dhe komisioni dhe stafi i tij duhet të kenë prejardhje të larmishme.
- Pavarësia – komisionet duhet të jenë të lira për t’iu përmbajtur mandateve të tyre pa qenë të kufizuara nga interesat politikë, si dhe pa pasur nevojë që t’iu përmbahen atyre interesave. Ato duhet të kenë buxhetet dhe stafin e tyre. Përderisa qeveria mund ta miratojë ndonjë ligj për themelimin dhe financimin e komisionit, nuk duhet të përzihet në punën dhe përfundimet e komisionit, i cili duhet të jetë i pavarur.
- Transparenca – komisioni duhet t’i përkasë popullit të Kosovës dhe të jetë plotësisht i hapur për vëzhgim të thuktë nga publiku. Nuk ka vend për fshehtësi sa i përket të gjeturave dhe rekomandimeve të komisionit. Megjithatë, përderisa njerëzit paraqiten vullnetarisht për të marrë pjesë në proces, duhet të ketë procese që sigurojnë se ata përfshihen në punën e komisionit në mënyrë të besueshme kur është e nevojshme.
- Përkushtimi – edhe pse kushdo që zgjedhë që të marrë pjesë në proces, në veçanti në dëgjimet publike, duhet ta kuptojë rrezikun e mundshëm për shkak të historisë përçarëse të luftës, komisioni dhe qeveria duhet të jenë të përkushtuar për të ofruar mbrojtje kur do që nevojitet. Për më tepër, përderisa individët lajmërohen dhe i bëjnë të ditura kujtimet dhe përvojat e tyre të llojllojshme, çfarëdo që të jenë ato, do të duhej të presim që qeveria dhe komisioni të tregojnë respektin më të thellë për ta dhe të sigurojnë që ata të mos nëpërkëmben dhe të kërcënohen. Sa i përket të gjeturave dhe rekomandimeve, duhet të ketë përkushtim paraprak për shqyrtim të vëmendshëm dhe për t’i shkuar gjërave deri në fund.
- Plotësues – kërkimi i së vërtetës mund të jetë thelbësor për pajtim shoqëror afatgjatë, por e vërteta si e vetme nuk do të përmbushë rezultatet që populli i Kosovës i meriton. Ajo duhet të shoqërohet me hapa për dëmshpërblim të viktimave, ndjekje penale të përgjegjësve për krime të dhunshme dhe për reformat e nevojshme për të siguruar që këto abuzime të mos ndodhin më.
- Këshillues dhe pjesëmarrës – siç po tregon ngjarja e sotshme, këshillimet me një varg të gjerë të hisedarëve janë jashtëzakonisht të rëndësishme për hartimin dhe zbatimin e çfarëdo procesi që mëton ta zbulojë të vërtetën. Për më tepër, pjesëmarrja e vazhdueshme në proces e shoqërisë civile dhe viktimave do të ndihmojë për të siguruar pronësi të gjerë të publikut në proces dhe do t’i shtojë gjasat për sukses.
Komisioni i së vërtetës mund të ofrojë vlerësim në shkallë të gjerë: të hetojë se çka ka ndodhur, të dëgjojë nga një numër i madh i njerëzve të përfshirë dhe të prekur nga e kaluara, si dhe të dorëzojë një raport publik që i shpjegon të gjeturat e tij dhe ofron rekomandime për veprim të mëtejmë. Më vjen mirë që shoqëria civile është këtu sepse ata janë ekspertë që mund ta shtyjnë përpara këtë proces, ju jeni më afër viktimave dhe rrjedhimisht më së afërmi të vërtetës. Ju jeni monitoruesit më të mirë të procesit, përderisa ky proces ec përpara dhe ne mirëpresim angazhimin tuaj në proces dhe raportet periodike. Është më lehtë të thuhet se po udhëheqim një komision të besueshëm të të vërtetës se sa ta bësh këtë, por kur të dalin të gjeturat, çelësi drejt pajtimit do të jetë qeveria e zotuar për të ndërmarrë përpjekje në mirëbesim për t’i jetësuar ato rekomandime.
Prandaj, shpresoj se ky proces i gjerë këshillues do të përfshijë qytetarë kosovarë të të gjitha etnive, si dhe do të marrë parasysh përpjekjet e Komisionit ndërqeveritar për ballafaqimin me të kaluarën dhe rekomandimet e shoqërisë civile.
Ju dëshirojmë sukses përderisa i vazhdoni këto këshillime. Faktet e mbledhura duke i dëgjuar të tjerët mund të jenë rruga drejt shërimit. Shtetet e Bashkuara do të mbesin partnerë tuaj të vendosur përderisa e kërkoni të vërtetën, përderisa kërkoni drejtësi, si dhe përderisa punoni së bashku për pajtim nga e kaluara e dhimbshme drejt një të ardhmje më të ndritur për të gjitha bashkësitë e Kosovës.