Fjala e Ambasadorit Delawie me rastin e shpalosjes së Strategjisë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, 10 shkurt, 2017
Ju faleminderit. Është mrekulli që po e shoh gjithë këtë grup njerëzish që kanë punuar në këtë çështje të rëndësishme. Dëshiroj të falënderoj zëvendës-kryeministrin Kuçi dhe ministren Hoxha për udhëheqjen e pabesueshme të reformës për të drejtat pronësore dhe të tokës. Jemi krenarë që punojmë me ju për këto çështje jashtëzakonsiht të rëndësishme.
Kur erdha në Kosovë në verën e vitit 2015, nuk e dija ende se një ndër çështjet më thelbësore dhe personalisht më ngazëlluese në të cilën do të punoja do të niste pikërisht atë verë.
Në qershor të 2015-tës, një grup i përkushtuar dhe i larmishëm i njerëzve u mblodh për të diskutuar për sfidat e reformës për të drejtat pronësore dhe të tokës në Kosovë.
Këto biseda të hershme ndërmjet ministrave dhe kryetarëve të komunave, shoqërisë civile dhe qytetarëve nëpër tërë vendin u bënë shtyllat e asaj që jam kaq krenar që po e shpalosim sot: strategjisë gjithëpërfshirëse qeveritare për reformën për të drejtat pronësore në Kosovë.
Por, të jemi të sinqertë. Kjo strategji është sa ambicioze aq edhe thelbësore. Por, jam jashtëzakonisht krenar sa me mund keni punuar që të vijmë në këtë çast: për ndërtimin e vetëdijes, momentumit dhe konsensusit të domosdoshëm për të gjetur zgjidhje në nivel nacional.
Mund të jetë që konceptet si përdorimi i tokës dhe kërkesat zonale zakonisht nuk i emocionojnë njerëzit. Por të gjithë në këtë sallë janë të emocionuar sepse e dimë se zhbllokimi dhe zgjidhja e ndërlikueshmërisë së sistemit pronësor të Kosovës është çelësi i shumë gjërave që duam t’i arrijmë bashkërisht këtu.
Sepse e dimë se përmirësimi i qeverisjes nënkupton përmirësim të jetës.
E mbaj në mend shembullin e një kryefamiljari që kishte paguar 20 euro në Kadastër për ta ndarë dhe regjistruar një parcelë toke, por i cili ende nuk e kishte kryer atë. Pas pagesave të shumta të tarifave dhe formularëve për matje dhe noterim, tarifa prej 20 eurove u fry në 400 euro. Për shumë njerëz, kjo shumë parash është më e madhe se një pagë mujore dhe e papërballueshme.
Për këtë arsye kam qenë kaq i patundur që përparimi në të drejtat pronësore është thelbësor për një të ardhme më të mirë për popullin e Kosovës, për zhvillimin ekonomik, përfshirjen dhe fuqizimin ekonomik të grave, integrimin evroatlantik dhe përparimin drejt sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
E ndërlidhja ndërmjet punës që po bëjmë sot dhe këtyre qëllimeve më të mëdha nuk është vetëm konceptore.
Sektori i bujqësisë në Kosovë vazhdon të lulëzojë me kultura të reja, teknologji të re dhe me rendimente gjithnjë e më të larta. Çdo vit po krijohen gjithnjë e më shumë vende të punës anembanë Kosovës për të gjitha komunitetet. Por, suksesi i vazhdueshëm në këtë sektor shtron nevojën e nxjerrjes së politikave për përdorim racional të tokës, ndarje të mirë zonale dhe zvogëlim dramatik të ndërtimeve pa leje.
Kjo qartazi është edhe çështje e sundimit të ligjit. Në të vërtetë, e kam thënë edhe më herët se do ishte shumë më lehtë nëse gjithçka që nevojitet është korrigjim i thjeshtë i ligjit. Për fat të keq, pakoja e ligjeve që rregullon çështjet tokësore dhe pronësore është vështirë të zbatohet qartazi dhe drejt.
Prandaj, zbatimi i kësaj strategjie lyp që korniza ligjore të zbatohet në mënyrë të qartë, të njëtrajtshme dhe të plotë. Si dhe të zbatohet në një mënyrë që minimizon mundësitë e shumta për kërkim të qirasë që ekziston në një sistem ku ndërlikueshmëria është më e madhe se sa transparenca.
Sërish, nuk është e lehtë – meqenëse në shumë raste kjo do të thotë shpleksja e gjeneratave të kërkesave të paqarta, por është absolutisht jetike.
Jetike për sundimin e ligjit, po. Por, po ashtu edhe për vetë frymën e ndërmarrësisë që kam privilegj ta shoh për së afërmi çdo ditë këtu. E tëra që ndërmarrësit me potencial dhe pronarët e bizneseve të vogla të Kosovës kërkojnë është një mundësi – një mundësi për të ndjekur një ide të re, për ta rritur biznesin familjar apo për tu lidhur me ndonjë treg të ri.
E për ta bërë këtë, duhet të kenë qasje në kredi. Por, në këtë çast, shumë prej tyre nuk mund t’i marrin këto hua duke shfrytëzuar pronën e tyre sepse pikë së pari as që mund ta dëshmojnë që është e tyrja. Shkurtimisht, siç e keni cekur me të drejtë në editorialin tuaj Z. zëvendëskryeministër: “Të drejtat joformale në pronësi krijojnë kapital të parealizueshëm”.
E natyrisht, sa herë që shohim probleme të këtilla të përhapura, e dimë se ato do të kenë një ndikim të shpërputhshëm në popullatat dhe komunitetet në Kosovë që janë më të cenueshme.
E dimë se grupet e pakicave në veçanti kanë nevojë për reformën për të drejtat pronësore dhe se shumë shpesh qytetarët nuk mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre, veçanërisht në rastet e familjeve të zhvendosura.
E natyrisht, natyrisht¸kjo ndikon në mënyrë të shpërputhshme mbi gratë, të cilat jo vetëm që duhet të përballen me të njëjtat sfida ligjore si të gjithë të tjerët, por edhe me ato shoqërore. Mendoj se të gjithë i dimë përmendsh statistikat: vetëm 4% e grave në Kosovë kanë mundësi të trashëgojnë tokë dhe vetëm 19% e tyre kanë tokë.
Po ashtu, i dimë shumë mirë praktikat joformale që i parandalojnë shumë gra prej trashëgimisë, pronësisë dhe regjistrimit të pronësisë.
Tagra e tërë kësaj është vështirë që të llogaritet. Çka do të thotë kur gjysma e popullatës së Kosovës privohet nga fuqizimi ekonomik, privohet nga mundësia, privohet nga aftësia për të folur në emrin e tyre ose të familjes apo komunitetit të tyre? Cila është kostoja e mundësisë prej këtij lloji të pabarazisë?
E kam thënë më parë se të drejtat pronësore janë të drejta të njeriut, kurse ish-presidentja Jahjaga, duke folur pikërisht për këtë temë para një vit e ca, ka thënë: “Të drejtat e njeriut nuk janë privilegj i veçantë i një grupi të posaçëm të shoqërisë”. Kjo mund të jetë e vërtetë e nënkuptueshme, por është e vërtetë për të cilën ende duhet të punojmë për ta jetësuar dhe atë jo vetëm në vendin tim, por edhe në Kosovë.
E di se të gjithë jeni këtu sepse dëshironi po aq sa unë që kjo strategji të funksionojë. Se që të gjithë keni punuar në këtë çështje me vite të tëra dhe sigurisht me intensitet të shtuar gjatë 18 muajve të fundit.
Përpjekjet e shumë vetave, të gjitha kanë qenë me qëllim që të rrisin vetëdijen dhe të demonstrojnë rëndësinë e kësaj sfide.
Të gjithë në fakt duke punuar drejt ditës së sotme. Si grup, ju keni qenë Kosova në më të mirën e saj: të vendosur, përfshirës, të palodhur, dhe gjithnjë, gjithnjë duke punuar për bashkëqytetarët tuaj.
Sepse qytetarët duhet t’i dijnë të drejtat e tyre, duhet të kenë besim në një sistem që i mbështet ato të drejta dhe duhet të kenë vullnet për t’i kërkuar ato të drejta. Në anën tjetër, zyrtarët duhet të jenë të gatshëm dhe të aftë për t’i mbrojtur ato të drejta. Kjo është baza e çdo shoqërie civile.
Kjo strategji është testament i punës së palodhshme të ministrive dhe hisedarëve të shumtë që u bënë bashkë për t’i zgjidhur problemet duke u përqendruar në rekomandime konkrete.
Duhet të vazhdoni t’i bashkërenditni punët dhe të komunikoni për ta përmbyllur këtë punë. Në fund të fundit, vlerësimi i kësaj strategjie do të bëhet pikërisht përmes ndryshimit që do të sjellë në jetën e përditshme të njerëzve.
Prandaj, dëshiroj t’i sfidoj të gjithë që jemi këtu – madje edhe përderisa po festojmë këtë të arritur. Sespe tash nuk është koha për të pushuar dhe për t’i shoshitur gjërat. Tash është koha që t’i përvjelim mëngët për këtë çështje. Kemi vënë themelet, kemi ngritur vetëdijen, i kemi identifikuar sfidat dhe hapat e domosdoshëm për trajtimin e tyre. Krejt çka mbetet tash është ta kryejmë këtë punë.
Duhet ta mbështesim Grupin Drejtues të udhëhequr nga zëvendëskryeministri dhe ta zbatojmë në tërësi këtë strategji. Kuvendi duhet të ndërmarrë veprim rreth pakos së ligjeve për trashëgimi të dorëzuar në Kuvend në vjeshtë. Duhet t’i hapim kadastrat dhe të lejojmë që transparenca ta luajë rolin e vet të duhur, si dhe duhet të vazhdojmë të flasim për këtë gjë, të vazhdojmë ndërgjegjësimin e njerëzve.
Asnjë prej këtyre gjërave nuk do të jetë e lehtë, por çdo pjesë e saj do t’ia vlejë.
Gjej optimizmin dhe vendosmërinë në fjalët e antropologes së famshme amerikane, Margaret Meade, e cila na ka siguruar se “Kurrë nuk duhet të dyshojmë se një grup i vogël i njerëzve të matur dhe të vendosur nuk mund të sjellin ndryshim në botë. Në të vërtetë, është e vetmja gjë që e bën atë”.
Për gjithë ata njerëz të matur e të vendosur këtu dhe anembanë Kosovës që iu kanë përkushtuar kësaj çështjeje, ju falënderoj dhe ju ofroj parteritetin tonë të vazhdueshëm.
Jam krenarë që jam përkrah jush. E tash, t’ia nisim punës. Ju faleminderit shumë.