SHBA-ja i dhuron edhe gjysmë milioni doza të vaksinave Pfizer për mbrojtjen e kosovarëve

SHBA-ja i dhuron edhe gjysmë milioni doza të vaksinave Pfizer për mbrojtjen e kosovarëve; Numri i përgjithshëm i dozave të dhuruara nga SHBA-ja tejkalon 1 milion doza, 10 shkurt, 2022

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë përafërsisht 10 milionë dollarë në emër të ndihmës tjetër të ndërlidhur për pandeminë për të forcuar reagimin e Kosovës ndaj pandemisë

Dje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhuruan Kosovës edhe 515.970 doza të vaksinës Pfizer, vaksinë kjo që shpëton jetë, është e sigurt dhe shumë efektive. Duke përfshirë dy dërgesat e mëparshme në gusht dhe shtator 2021, populli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhuruar mbi 1.054.170 doza për të mbrojtur kosovarët, duke përfaqësuar donacionin më të madh të vaksinave kundër Covid-19 nga ndonjë shtet apo organizatë dhuruar Kosovës.

„Vaksinat mbesin mënyra më e mirë në botë e mbrojtjes kundër Covid-19 dhe pasojave shkatërruese të tij. Shkalla e lartë e vaksinimit do të thotë shkallë e ultë e hospitalizimit dhe më pak raste të vdekjes. Ju lutem, bëjeni pjesën tuaj: vaksinohuni, lani duart dhe bartni maskën. Të gjithë duhet të punojmë së bashku për ta luftuar dhe mposhtur këtë pandemi globale”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Meqenëse asnjë vend nuk mund ta mposhtë Covid-19 i vetëm, presidenti Biden është zotuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndajnë më shumë se 1.2 miliardë doza të vaksinës nëpër botë. „Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë arsenali i vaksinave të botës në luftën tonë të përbashkët kundër këtij virusi”, tha presidenti Biden në një deklaratë më 3 qershor 2021. „Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për të ndërtuar një botë më të sigurt kundër kërcënimeve të sëmundjeve ngjitëse”.

Përveç vaksinave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin donatori më i madh bilateral për sistemin shëndetësor të Kosovës për forcimin e reagimit ndaj Covid-it. Prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë pothuajse 10 milionë dollarë në emër të mbështetjes shtesë të ndërlidhur me pandeminë për ngadalësimin e përhapjes, kujdesin për të prekurit dhe pajisjen e shkollave kosovare, shtëpive të shëndetit, familjeve dhe komuniteteve në 38 komunat me mjetet e nevojshme për ta luftuar Covid-19.

Vaksinat e dhuruara nga SHBA-ja u dorëzuan përmes mekanizmit për Angazhim të avancuar të tregut për lehtësim të Covax-it (COVAX AMC), që është nismë globale në mbështetje të qasjes me mundësi të barabartë në vaksina të sigurta dhe efektive kundër Covid-19.  Me donacionin prej 4 miliardë dollarë në Covax, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori më i madh në botë për qasje me mundësi të barabartë globale në vaksinat kundër Covid-19. Covax-i bashkë-udhëhiqet nga Koalicioni për gatishmëri dhe inovacion ndaj epidemive (CEPI), Gavi – Aleanca për vaksina dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), si dhe UNICEF-i si partner kryesor për shpërndarjen e dërgesave.