Deklarata e sekretarit të shtetit Tillerson me rastin e Ditës Kombëtare të Kosovës, 17 shkurt, 2017
Në emër të Presidentit Trump dhe të popullit amerikan, kam kënaqësinë të uroj qytetarët e Kosovës për përvjetorin e nëntë të pavarësisë suaj, teksa ju e festoni këtë 17 shkurt.
Shtetet e Bashkuara e çmojnë miqësinë e fuqishme me Kosovën, të bazuar në aspirata të përbashkëta për stabilitet, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët tanë. Ne e përshëndesim përparimin që populli i Kosovës e ka bërë në zhvillimin e institucioneve demokratike e shumetnike gjatë nëntë vjetëve të pavarësisë së tyre. Në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara kanë pasur kënaqësinë të jenë dëshmitare të fitimit të medaljes së parë të artë olimpike të Kosovës dhe ndeshjes së parë të kombëtares së Kosovës në futboll në FIFA. Presim arritje të vazhdueshme nga Kosova, teksa ajo punon për të forcuar sundimin e ligjit, për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm, dhe për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me fqinjët e vet dhe me vendet e tjera në botë.
Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura t’i ndihmojë Kosovës të arrijë suksese dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me udhëheqësit dhe me popullin e saj në kërkim të paqes dhe prosperitetit.