Intervista e ambasadorit Kosnett për Radiotelevizionin KIM, 30 prill 2019
RTV KIM: Z. Ambasador, ju faleminderit që jeni këtu. Sot e vizituat Graçanicën dhe Parteshin. Cila është porosia dhe mbresat tuaja kryesore nga këto vizita?
Ambasadori Kosnett: Gjithmonë është e dobishme të dal jashtë kryeqytetit. Jelena, mendoj se nuk mund ta kuptosh asnjë vend duke folur vetëm me prijësit politikë. Duhet të dilni dhe të flisni me njerëzit nga shoqëria civile dhe komuniteti afarist. Më duhet të them se mbresa kryesore është se njerëzit po punojnë me shumë mund për ta ndërtuar një të ardhme ekonomike në komunitetet e tyre, por ka shumë pengesa dhe pakënaqësi.
RTV KIM: A u takuat me kryetarët e komunave? Me kë tjetër u takuat dhe cili ishte qëllimi i vërtetë i vizitave të sotshme? Nëse bën një pyetje shtesë, cila ishte brenga më e madhe e personave me të cilët biseduat sot?
Ambasadori: U takova me kryetarët e komunave në Graçanicë dhe në Partesh, si dhe i takova disa gra shumë mbresëlënëse, të cilat po punojnë në një projekt në sektorin e bujqësisë, i financuar nga qeveria amerikane, nga USAID-i. Gjithashtu, i takova edhe pronarët e disa bizneseve të vogla nga komuniteti serb. Mendoj se shumë njerëz janë të pakënaqur, jo vetëm ata që i takova sot, por shumë njerëz janë të pakënaqur me pengesat për rritje dhe zhvillim ekonomik në këtë vend. Sinqerisht, mendoj se shqetësimi për të ardhmen ekonomike të vendit është diçka që e kanë të përbashkët pjesëtarët nga komuniteti shumicë dhe pakicat këtu. Si diplomat i huaj, dëshiroj të bëj krejt çka mundem për ta ndihmuar nxitjen e pavarësisë ekonomike të Kosovës. Mendoj se këtu ka shumë njerëz shumë të talentuar, në veçanti i kam takuar shumë të rinj të talentuar, të cilët mund të kenë sukses kudo në botë. Por, nëse nuk shohin mundësi ekonomike, nëse nuk kanë vende pune, nuk shohin mundësi për të krijuar ndërmarrje, atëherë e pyes veten sa kohë do të qëndrojnë këtu. Mendoj se ky është problem për të cilin duhet të shqetësohemi të gjithë.
RTV KIM: Cila është porosia juaj për komunitetin serb, veçanërisht për ata që jetojnë në jug të lumit Ibër, sidomos në fshatra dhe në komunitete të vogla e të izoluara? A ka ndonjë gjasë që serbët të kthehen të jetojnë në qyteza e qytetet në Kosovë së shpejti? Si u bë që kthimi urban nuk ndodhi kurrë?
Ambasadori: Dëshiroj të jem optimist për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë. Mendoj se është me rëndësi që serbët të vazhdojnë të jetojnë këtu. Po ashtu, është me rëndësi që të ndjehen të mirëseardhur. Duhet të ketë të ardhme në Kosovë ku pjesëtarët e të gjitha komuniteteve mund të ndjehen si në shtëpi – që mund të ndjejnë se mund të jetojnë, punojnë e luten në paqe në të dy vendet, në të gjitha vendet e rajonit. Mendoj se vetëm duke jetuar dhe duke ndërtuar të ardhme për fëmijët e tyre këtu, pjesëtarët e komunitetit serb po japin kontribut të njëmendtë për të ardhmen e Kosovës. E dini, Jelena, për një amerikan, jetesa në një vend shumë-kulturor dhe shumë-fetar është diçka e rëndomtë dhe shpesh e kam thënë se shumëllojshmëria e njerëzve që jetojnë në të dy vendet është ndër gjërat që Amerika dhe Kosova i kanë të përbashkëta. Dhe shpresoj se gjithmonë do të jetë kështu.
RTV KIM: Z. Ambasador, ju faleminderit.
Ambasadori: Ju faleminderit shumë.