Fjala e Ambasadorit Delawie gjatë hapjes së konferencës “Qytetet e forta: Luftimi i ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”, 6 mars 2017
Mirëmëngjesi dhe ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë ngjarje.
Së pari, më lejoni t’ju them se mbështesim fuqimisht përpjekjet tuaja për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në komunitetet tuaja dhe ju përgëzoj për pjesëmarrje në nismën globale të “Qyteteve të forta”.
Bashkësia ndërkombëtare e ka mësuar në sa e sa raste se formimi i një koalicioni të përbashkët është shumë më i mirë se sa puna e vetmuar. E përhapja e ideologjisë së rrezikshme ekstremiste është problem i përbashkët, në parandalimin e të cilës kemi hise të gjithë.
Terroristët mund të shfaqen në cilido vend, e ne e dimë shumë mirë se besimet urrejtëse nuk respektojnë as kufi e as pengesa – diçka që fillon në një komunitet mund të ndikojë në tjetrin sa çel e mshel sytë.
Pikërisht kjo e bën rrjetin “Qytetet e forta” kaq unik, kaq thelbësor. Po i bashkoheni diçkaje që është sa specifikisht lokale, aq edhe thellësisht globale – dyzim që pasqyron pikërisht këtë kërcënim.
Përkushtimi i Kosovës për ta trajtuar këtë çështje drejtpërdrejtë është i qartë – përmes strategjisë nacionale dhe planit të veprimit, përmes përfshirjes së shoqërisë civile dhe OJQ-ve, natyrisht edhe përmes Qyteteve të forta, në të cilin rrjet Kosova ka njërin ndër numrin më të madh të qyteteve pjesëmarrëse në Ballkan. Prandaj, ju përgëzoj njëmend për udhëheqjen tuaj rajonale në këtë fushë.
Natyrisht, asnjë program i veçuar nuk mund ta trajtojë këtë problem i vetëm. E as që mund të shohim brenda shpirtit të çdo individi, zhgënjimet dhe dëshirat e të cilit e kanë shtyrë në rrugën e dhunës.
Radikalizimi përdor ideologjitë e dhunshme që ua mësyejnë individëve kur janë më të cënueshëm, të izoluar dhe të zhgënjyer dhe në kërkim të të tjerëve për t’i fajësuar.
Rrjeti “Qytetet e forta” është shumë i rëndësishëm në adresimin e këtij kërcënimi të shumëllojshëm dhe dinamik, duke na ndihmuar për t’i zhvilluar dhe shkëmbyer praktikat më të mirë në reagim të këtij kërcënimi që na rrezikon të gjithëve. Sepse kemi besim në institucionet lokale që funksionojnë mirë dhe në lidhjet e fuqishme sociale si ilaçi më i mirë për ta parandaluar ekstremizmin e dhunshëm që të mos vëjë rrënjë në qytetet, qytezat dhe fshatrat e Kosovës. Kjo është njohuria kryesore që rrjedh prej programit “Qytetet e forta”: askush s’e di më mirë se vendësit dhe prijësit çka po ndodh në komunitetet e tyre dhe ku mund të ketë probleme, të cilave duhet t’iu kushtojmë vëmendje.
Si udhëheqës lokalë, ju posedoni zërat më të besueshëm dhe bindës për ta sfiduar ekstremizmin e dhunshëm në të gjitha format dhe shpërfaqjet e tij. Si dhe t’i mësojmë për veten tonë dhe t’ua mësojmë të tjerëve cilat janë shenjat kritike paralajmëruese që tregojnë se diçka fare s’është në rregull me një pjesëtar të komunitetit tuaj.
Rrjeti “Qytetet e forta” bashkon prijës si ju prej disa prej qendrave më të mëdha urbane, si dhe ofron mundësi për t’i shkëmbyer mësimet e nxëna dhe për t’i krahasuar përvojat e kaluara e sfidat e tanishme. Ky rrjet shërben si vegël jetike për forcimin e ndërtimit të kapaciteteve dhe përmirësimin e bashkëpunimit. Si dhe na mundëson për t’i bashkuar resurset dhe njohuritë tona duke na bërë të gjithëve më të fuqishëm.
Si anëtarë të rrjetit “Qytetet e forta”, ju nxis të merrni pjesë në mënyrë aktive në veprimtaritë e tij dhe t’i shfrytëzoni burimet e tij të shumta e të larmishme. Duke e bërë këtë, do t’i mësoni hapat praktikë që mund t’ju ndihmojnë në ruajtjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve tuaj. Po ashtu, do ta tregoni mbështetjen tuaj për vlerat e nderit, përfshirjes dhe respektit të dyanshëm që janë thelbësor për përparimin ekonomik dhe shoqëror.
Nga ana ime, jam krenar për vazhdimin e partneritetit me ju për këtë çështje thelbësore, si dhe që po punojmë për një Kosovë të begatshme dhe të sigurtë në të cilën të gjithë qytetarët i shohin mundësitë për të përparuar.
Ju faleminderit edhe njëherë për ftesën për të marrë pjesë në këtë ngjarje dhe për punën tuaj të mundimshme dhe vendosmërinë për të punuar çdo ditë në emër të bashkëqytetarëve tuaj.