Punëtoria “Etika në qeveri” e organizuar nga Programi për hartimin e ligjeve komerciale

Fjala e të ngarkuarës me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, z-njës Colleen Hyland gjatë hapjes së punëtorisë “Etika në qeveri” të organizuar nga Programi për hartimin e ligjeve komerciale,  22 shkurt 2017

Mirëmëngjesi.  Kam kënaqësinë që jam sot këtu.

Më vjen mirë që mund t’i shpreh sërish mirëseardhje ekipit të Programit për hartimin e ligjeve komerciale (CLDP) nga Departamenti i Tregtisë të SHBA-së.

Dëshiroj ta shfrytëzoj rastin ti falënderoj Doganat e Kosovës dhe Byronë për Dogana dhe Mbrojtje të Kufirit të SHBA-së për bashkërenditjen e ngushtë të organizimit të kësaj punëtorie.

Dëshiroj po ashtu t’i shpreh mirëseardhje të ngrohtë drejtorit të ri të përgjithshëm të Doganave të Kosovës, z. Bahri Berisha.

Si pjesë e mbështetjes së qeverisë amerikane për Kosovën, kemi kërkuar nga CLDP-ja t’iu ofrojë asistencë teknike rreth standardizimit të çështjeve të etikës dhe praktikave më të mira kundër korrupsionit.

Këtu i kemi dy ekspertë amerikanë, z-njën Dana Jacob, këshilltare e lartë ligjore në Zyrën për Etikë në Departamentin e Tregtisë të SHBA-së dhe z. Edmund Estrada, ushtrues detyre i drejtorit Zyrës për Përgjegjësi Profesionale në Byronë e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së.  Ata do ta përdorin përvojën e tyre të gjerë ndërkombëtare në përpjekje për të përmirësuar aftësitë e doganave për menaxhimin e metodave, teknikave dhe praktikave më të mira të etikës.

Gjatë disa viteve të fundit, ambasada ka punuar ngushtë me Doganat në përmirësimin e performancës, rritjen e transparencës dhe zvogëlimin e korrupsionit.  Kemi qenë jashtëzakonisht të kënaqur me përparimin dhe nismat e Doganave.  Përmes zbatimit të procesimit elektronik, pastaj vendosjes së kamerave të brendshme dhe vlerësimeve bazuar në rrezik, kemi parë përpjekje të përqendruara për t’i eliminuar mundësitë për korrupsion.

Këto përpjekje kanë filluar të shpaguhen.  Të hyrat në 2015-tën dhe 2016-tën i kanë tejkaluar parashikimet.  Perceptimi i publikut për korrupsion në Dogana ka rënë ndjeshëm, ashtu që mendimi i opinionit publik se Doganat ishin njëra ndër organizatat më të korruptuara në qeveri tani ka ndryshuar dhe Doganat shihen si ndër organizatat më së paku të korruptuara.

Në tetor të vitit 2016, raporti i matjes së mendimit të opinionit publik nga USAID-i dhe UNDP-ja, vuri në pah se 5 për qind të respondentëve kishin raportuar se iu ishte kërkuar të paguanin ryshfet gjatë 12 muajve të fundit.

Kemi rastin që atë shifër ta ulim në zero.

Me ndryshimet e fundit të udhëheqjes, Doganat e Kosovës janë në pikë kyçe.  Dëshirojmë që të keni sukses dhe ne do t’ju vëzhgojmë së afërmi për t’i parë përparimet.  Presim që të hyrat të vazhdojnë të rriten përderisa zyrtarët doganorë ta vënë shërbimin ndaj vendit mbi përfitimet personale.  Si dhe presim të shohim llogaridhënie për performancën në punë.

Siç e thashë, do t’ju vëzhgojmë për së afërmi dhe do të bëjmë krejt çka është e mundur për ta inkurajuar dhe përkrahur suksesin tuaj.

Trajnimi i sotshëm paraqet një mundësi për t’ju ndihmuar që t’i përmbushni këto qëllime.  Në fund të fundit, krejt varet nga ju dhe zgjedhjet tuaja personale.

Përpjekjet në etikë dhe kundër korrupsionit mbështeten në zgjedhjet personale po aq sa në përpjekjet institucionale.

E kuptojmë se ndryshimet në praktikë dhe perceptim janë të vështira dhe nuk do të ndodhin brenda natës.  Por përderisa Kosova vazhdon t’i ndërmarrë hapat e zorshëm, por të domosdoshëm për ta zbërthyer potencialin e vet, Shtetet e Bashkuara do të jenë partnere e qëndrueshme.

Ne besojmë në të ardhmen e Kosovës si anëtare e fortë dhe e vlefshme e sistemit tregtar botëror.  Duke shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për ato besime, ju uroj mirëseardhje në këtë punëtori.

Ju faleminderit dhe ju dëshiroj suskes në këtë punëtori dhe në punën tuaj të përditshme.