Pritja e të diplomuarve të programit për udhëheqësit e rinj

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë pritjes për grupin e dytë të të diplomuarve përmes programit për udhëheqësit e rinj, 16 qershor 2017

Mirë se vini në shtëpi, të diplomuar dhe është kënaqësi e jashtëzakonshme që ju kemi këtu.  Kam privilegjin që jam këtu për të kremtuar kthimin tuaj dhe ju uroj për marrjen e diplomës master.  Kjo është e arritur e jashtëzakonshme për të cilën jam i sigurtë se keni punuar me shumë mund dhe jemi krenarë me ju.

Këtë javë, vendi juaj ka arritur edhe diçka tjetër të rëndësishme: mbajtjen e zgjedhjeve demokratike të dielën.  Ju dhe bashkëqytetarët tuaj e thatë fjalën tuaj dhe tash të gjithë llogarisim në përfaqësuesit tuaj të ri të zgjedhur për të formuar një qeveri që punon për interesat tuaja më të mira dhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Zgjedhjet e drejta dhe të besueshme janë thelbësore, por ato nuk mjaftojnë që demokracia të lulëzojë.  Duhet kontributi dhe talenti i të rinjve si ju për të shtytur ndryshimin e njëmendtë në një shoqëri.  Programi për udhëheqësit e rinj (TLP) ju ka dhënë gjasat më të mira për të thelluar njohuritë dhe shkathtësitë tuaja në fushat tuaja të zgjedhura.  Por, varet nga ajo se çka bëni tash pas kthimit – pikërisht për çka ishit duke folur sot – që vërtetë përcakton suksesin afatgjatë të këtij programi.  Sepse TLP nuk është vetëm investim në edukimin tuaj, por edhe investim në secilin prej jush si prijës të ardhshëm të Kosovës, prijës që do të sjellin risi dhe do të jenë agjentë të ndryshimit, si dhe që do të ndërtojnë një Kosovë më të fortë, më transparente dhe më të begatshme.

E kjo është arsyeja e vërtetë pse ju kemi dërguar në këtë udhëtim: potenciali i jashtëzakonshëm që e kemi parë në secilin prej jush.  Me siguri keni qenë aty gjatë ceremonisë së diplomimit pas marrjes së diplomës së masterit, por mos u lajthitni: transformimi i gjithanshëm që ju do ta ndihmoni fillon në këtë vend e në këtë çast.  Qoftë në financa, teknologji, botën akademike, drejtësi apo në ndonjë fushë tjetër, të gjithë jeni përzgjedhur për shkak të interesimit tuaj në një fushë ku Kosovës i duhet më shumë zhvillim dhe më shumë investime.  Prandaj, ju nxis t’i përdorni shkathtësitë tuaja për të bërë ndryshim pozitiv për të ardhmen e vendit tuaj.

Me ndihmën e Korpusit të qytetarëve, shumë të diplomuar nga grupi i parë tashmë po e bëjnë këtë gjë.  Janë gjithë ato rrëfime të pabesueshme, të shumta për t’i rrëfyer këtu.  Por, më lejoni ta përmendi Valmir Ismailin, të diplomuarin përmes TLP-së, i cili pas kthimit në Kosovë themeloi organizatën Demokracia Plus bashkë me disa të diplomuar të tjerë përmes TLP-së.  Ai dhe kolegët e tij filluan të punojnë në çështjet si qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, partitë politike, zgjedhjet, çështjet sociale dhe të drejtat e njeriut.  Prandaj, vështroni rreth e rrotull dhe shikojeni këtë rrjet të ri të studiuesve, aktivistëve e ndërmarrësve të ardhshëm dhe paramendojeni në çka mund të kontribuoni bashkë.

E di se po ju ngarkojmë me shumë përgjegjësi.  Por, ky është thelbi i shërbimit publik, të japësh nga vetja për të mirën e komunitetit dhe vendit tuaj.  T’iu shërbesh të tjerëve është diçka e fuqishme. Është, siç ka thënë Muhamed Ali njëherë: “pagesa për hapësirën tënde këtu në tokë”.  Disi, tash pas 30 vjetëve të karrierës sime në shërbim publik, po ua kam zili.  Ju sapo po ia filloni rrugës, gjithçka para jush është e re tani.  Cili do të jetë ndikimi juaj?  Çfarë zgjedhjesh do t’i bëni?  Si do të ngriteni në këmbë për atë që është e drejtë?

Këto janë pyetje të frikshme, por edhe ngazëllyese.  Ju keni rastin ta zgjedhni vetë shtegun tuaj.  Prandaj, shijone këtë mbrëmje dhe jini krenarë për sukseset tuaja të mahnitshme akademike.  E pastaj nisjani të mendoni si do të duket pjesa tjetër e shtegtimit tuaj.  Të diplomuarit anembanë botës e pyesin veten për të njëjtën gjë pikërisht tani.  Por, mendoj se është edhe më urgjente për të gjithë ju sepse e dini se vendi juaj llogarit në ju.

Edhe ne llogarisim në ju; jemi shumë krenarë për juve dhe presim me padurim të shohim se çka do të bëni tani.

Ju faleminderit shumë!