Prezantimi i Ligjit mbi Zyrën për Përgjegjësi Disiplinore

Fjala e Ambasadorit Delawie me rastin e Prezantimit të Ligjit mbi Zyrën për Përgjegjësi Disiplinore, 9 dhjetor 2016

Përshëndetje Zëvendëskryeministër Kuçi, Ministre e Drejtësisë Hoxha, kryetar i KPK-së, kryetar i KGJK-së, Kryeprokuror i Shtetit.

Sot jam këtu për ta mbështetur propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për një Ligj të ri mbi Zyrën për Përgjegjësi Disiplinore. Në disa muajt e fundit, Ministrja Hoxha ka ndërmarrë disa hapa pozitivë shumë të nevojshëm për luftimin e korrupsionit dhe mosndëshkimit në Kosovë. Besoj që paraqitja e këtij projektligji për komente publike është një hap tjetër në drejtimin e duhur. Ky projektligj do t’i mbajë përgjegjës personat në sistemin e drejtësisë për veprime të pahijshme.

Kur erdha në Kosovë, erdha me një porosi të qartë se Kosova duhej të ishte më agresive në luftimin e korrupsionit. Shumë prej jush më keni dëgjuar duke thënë që korrupsioni e frenon zhvillimin e Kosovës.

Ai e pengon investimin dhe zhvillimin e ekonomisë; ua shkatërron shpresën të rinjve, dhe e zbeh besimin e qytetarëve në qeveri. Një prej pikave fokale për atë humbje të besimit është në gjyqësor.

Ka disa vjet që perceptimi i publikut për gjykatës dhe prokurorë është se ata janë subjekt i ndikimit politik dhe se u mungon llogaridhënia. Publiku është vazhdimisht i pakënaqur me punën e tyre. Nuk po them që perceptimi i publikut është plotësisht i saktë, por kur e shikoni gjendjen aktuale të sistemit në vend për t’i mbajtur përgjegjës gjykatësit dhe prokurorët për sjellje të keqe, nuk është vështirë të kuptohet si mund të ndihet publiku në atë mënyrë.

Llogaridhënia për gjykatës dhe prokurorë është shumë e rëndësishme për zbatimin e sundimit të ligjit. Një sistem efikas disiplinor është çelës për themelimin e asaj llogaridhënieje. Nuk po flasim për krime, por flasim për veprime që janë shkelje etike ose që e vënë në dyshim gjykimin ose paanësinë e gjykatësit apo të prokurorit.

Kur kalojnë të paadresuara, zhvillohet një kulturë e mosndëshkimit dhe shkeljet bëhen normë. Publiku fillon ta humbasë besimin dhe mirëbesimin në sistem, sepse e dinë që diç nuk është e drejtë dhe asgjë nuk po bëhet në lidhje me të. Ato ndjenja janë, në shumë aspekte, shumë më të dëmshme se krimet sepse shpijnë në një ndjenjë të mungesës së shpresës dhe zemërimit nga qytetarët.

Pikërisht tani, Zyra e Prokurorit Disiplinor është duke zhvilluar hetime ndaj pretendimeve për sjellje të keqe nga gjykatësit dhe prokurorët dhe i jep rekomandime disiplinore Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës. ZPD është autoriteti i vetëm që ka kompetencë për ta bërë këtë. Por është e qartë që ka probleme me funksionimin e kësaj zyre. Në fakt, raporti më i fundit i progresit i BE-së vë në pah se puna e ZDP-së duhet të përmirësohet dhe bën thirrje për miratimin e një ligji të ri për ta forcuar llogaridhënien.

E kuptoj që ka pasur disa përpjekje në pesë vjetët e fundit për ta reformuar këtë zyrë, por me pak sukses.

Thjesht, duhet të ketë një ligj gjithëpërfshirës që përcakton funksionimin e kësaj zyre, që përcakton rregulla të qarta të sjelljes për gjykatës dhe prokurorë dhe që e heq kontrollin e zyrës nga njerëzit të cilët ajo duhet t’i hetojë.

Më lejoni të jem i qartë, nuk po them që shumica e gjykatësve dhe prokurorëve janë të përfshirë në sjellje të keqe, por mjafton vetëm një ose dy persona të cilët veprojnë pa u ndëshkuar për ta dëmtuar rënd integritetin e sistemit dhe besimin e publikut në të.

Ju siguroj që Shtetet e Bashkuara zotohen të ndihmojnë në përmirësimin e funksionimit të kësaj zyre dhe profesionalizmit të saj me mbështetje nga Departamentit i Drejtësisë dhe USAID-i.

Së fundi, ligji i ri propozon një hetim të pavarur për sjellje të keqe që do të gjykohet në pajtim me standardet ndërkombëtare nga personat me njohuri dhe përvojë përkatëse.

Shpresoj se do ta shfrytëzoni këtë rast për të dhënë komente konstruktive për ligjin e propozuar me qëllim të reformimit të funksionimit të kësaj zyre. Populli i Kosovës meriton prokurorë dhe gjykatës me integritet, profesionalizëm dhe përgjegjësi. Ndryshimet pozitive në ligjin për ZPD-në do të ndihmojnë të sigurohet që ata të kenë prokurorë dhe gjykatës të tillë.

Ju faleminderit.