Porosia fundvitit nga ambasadori Delavie

Përshëndetje të gjithëve. Ndërsa po hyjmë në vitin 2018 dhe në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës, dua ta përgëzoj çdo qytetar të këtij vendi. Republika e Kosovës është një shtet demokratik, që i mbajti zgjedhjet e lira, për të cilat gjysma e botës do t’ia kishte lakmi; ka legjislacion të fortë që i mbron të drejtat e njeriut dhe garanton tregje të lira e transparente. Për vetëm dhjetë vjet, këto janë arritje të mrekullueshme.

Megjithatë, e di çfarë mund të jeni duke menduar. Përkundër gjithë këtyre sukseseve, pse korrupsioni është ende problem aq serioz në vendin tim? Pse shkalla e papunësisë ende është aq e lartë? Pse është aq vështirë të udhëtosh jashtë vendit?

Ne mund t’i kremtojmë sukseset e Kosovës gjersa pranojmë se ende ka sfida serioze para nesh. Me qëllim po them “ne”, sepse Shtetet e Bashkuara kanë qenë, janë dhe do të mbeten të përkushtuara për ta ndihmuar Kosovën që të ecën përpara drejt një të ardhmeje euroatlantike. Ju mund ta shihni atë përmes gjërave të mëdha, si mbështetja jonë për projektin Kosova e Re dhe Kompleksi i Ambasadës sonë të Re, që do të përfundojë verën e ardhshme. Ju mund ta shihni atë përmes projekteve të mesme, si puna e USAID-it për kredi për biznese të vogla. Ju gjithashtu mund ta shihni atë përmes gjërave më të vogla, si përkrahja jonë për kultivimin e mjedrave ose përmes programeve tona arsimore për këmbim të studentëve.

Është lehtë të dekurajohemi për sfidat që mbeten, por në vitin 2018, planifikoj të përqendrohem në përparimin që mund ta bëjmë së bashku. Kosova mund të përparojë në luftën kundër korrupsionit përmes zbatimit të prokurimit elektronik dhe miratimit të ligjeve më të ashpra. Duke shfrytëzuar Programin 49 milionë dollarësh të Sfidës së Mijëvjeçarit, që do të fillojë së shpejti, Kosova mund të përparojë në zhvillimin ekonomik. Me miratimin e ligjit për lirinë fetare dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave në shoqëri e qeveri, Kosova do të bëhet vend më i barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Shtetet e Bashkuara do të jenë këtu me ju, çdo hap të rrugës.

Urime Viti i Ri!