Porosia e Ambasadorit Kosnett për Ditën e Pavarësisë

Porosia e Ambasadorit Kosnett për Ditën e Pavarësisë

Përshëndetje!  Kam nderin dhe privilegjin që shërbej si ambasador i SHBA-së gjatë kësaj kohe emocionuese.  Jam kthyer në Kosovë pas 15 viteve dhe e shoh që populli i Kosovës ka arritur përparim të jashtëzakonshëm në rindërtimin e vendit dhe është përgatitur për sukses në skenën botërore.  Gjithmonë mahnitem nga të rinjtë e Kosovës: të rinj të zgjuar, energjikë, kreativë, që kërkojnë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre këtu në Kosovë.

Të dy vendet kanë përfituar nga partneriteti i ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës dhe nuk kam asnjë dyshim që partneriteti ynë do të vazhdojë në të ardhmen e largët.  Por, mos u gaboni.  Kosova tani është në dhjetëvjeçarin e dytë të pavarësisë dhe demokracisë.  Iu takon kosovarëve që të marrin përgjegjësi dhe t’iu kërkojnë llogari udhëheqësve për të marrë hapat e nevojshëm për përparim.

Sa herë që udhëtoj nëpër vend dëgjoj që qytetarët kosovarë i duan tri gjëra për familjet dhe vendin e tyre: paqe, drejtësi, mbarësi.  Unë besoj se një vend nuk mund të presë të arrijë sukses në njërën nga këto fusha pa pasur sukses edhe në fushat tjera.

Arritja e paqes do të kërkojë marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë.

Arritja e drejtësisë nënkupton veprime konkrete për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në të gjitha nivelet.

E ndërtimi i mbarësisë nënkupton përpjekje më të mëdha që do të nxisin investimet ndërkombëtare dhe zhvillim ekonomik.

Sigurimi i kësaj të ardhmeje do të kërkojë udhëheqje të matur politike, qytetari të angazhuar, si dhe përkushtim për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, feje e etnie.  Jam i bindur se populli i Kosovës është i aftë të përballet me sfidat që i ka përpara.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah jush.

Urime Dita e Pavarësisë, Kosovë!