Fjala e Drejtoreshës së Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi në inaugurimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, 12 prill 2022
Mirëmëngjes. Faleminderit për fjalët e mira që u thanë gjatë prezantimit. Znj. Presidente, Z. Kryetar i Kuvendit, Z. Kryeministër, të nderuar të ftuar, faleminderit. Është privilegj që jam këtu sot për të shënuar themelimin e këtij Këshilli Presidencial për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.
Duke e quajtur mbrojtjen e demokracisë “sfidën përcaktuese të kohës sonë,” Presidenti Biden mblodhi liderët botërorë të së njëjtës bindje në Samitin e parë për Demokraci në dhjetor të vitit të kaluar. Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në atë Samit kur Presidenti Biden thirri shtetet demokratike nga i gjithë globi për një arsye të thjeshtë dhe të qartë: “demokracia ka nevojë për kampionë.”
Përballë sfidave të vazhdueshme dhe alarmuese ndaj demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë sot, ne shohim imperativin dhe rëndësinë e kësaj thirrjeje – demokracia ka nevojë për kampionë.
Meqë jemi dëshmitarë të mizorive në Ukrainë – me vktimat e të cilave shumë prej jush këtu mund të bashkëndjeni në saje të përvojës personale – që janë rrjedhojë e synimit të autoracive që të rrisin pushtetin dhe ushtrojnë dhunë në llogari të jetëve të njerëzve dhe dinjitetit të tyre – demokracia ka nevojë për kampionë.
Demokracitë nuk janë të përsosura, por kjo nuk është dobësi e tyre. Përkundrazi, është forcë, është pjesë e vetë dizajnit të tyre. Përderisa shoqëritë autoritare janë tërësisht të paafta për vetëreflektim, demokracitë e avancuara i pranojnë gabimet e veta, të metat e veta, duke nxjerrë mësime dhe bërë përpjekje të vazhdueshme për t’u përmirësuar.
Demokracitë, mu sikurse shoqëritë që ne përfaqësojmë, dallojnë në mes veti. Kjo do të thotë se shtetet demokratike dhe popullsitë e tyre nuk janë gjithmonë dakord për çdo çështje. Ajo që i dallon shtetet demokratike nga ato që nuk janë të tilla është se tek ato mosmarrëveshjet shihen si normale dhe ato nuk zgjidhen me dhunë të paprovokuar, me pushtime apo luftëra.
Demokracia është e qëndrueshme por njëkohësisht edhe e brishtë. Edhe demokracitë më të avancuara kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm, mbrojtje dhe vëmendje. Qeveritë mund të jenë të perkushtuara ndaj parimeve demokratike, por për të mbrojtur demokracinë, forcuar dhe ripërtrirë atë, si dhe luftuar për të — demokracia ka nevojë për kampionë. Prandaj, më shpesh sesa jo, kampionët e vërtetë të demokracisë nuk vijnë nga institucionet qeveritare, por nga shoqëria civile.
Unë i duartrokas përkushtimit të Presidentes Osmani për të punuar me shoqërinë civile kosovare përmes këtij Këshilli për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut. Siç theksoi Presidentja Osmani në Samitin për Demokraci në dhjetor, “demokracia është pjesë përbërëse e pandashme e shoqërisë së Kosovës.”
Ne ndajmë të njejtin ideal – që demokracia është e rrënjosur në shoqëri. Prandaj, u bëj thirrje juve, përfaqësuesve të shoqërisë civile në këtë këshill, dhe të gjitha organizatave të shoqërisë civile që punojnë në avancimin e të drejtave të njeriut anembanë Kosovës, që të përqafoni rëndësinë e madhe të detyrës suaj. Roli dhe qëllimi juaj janë thelbësorë.
U bëj thirrje që të qëndroni të lidhur me qytetarët e Kosovës – të gjithë qytetarët pa dallim. Dëgjoni ata me vëmendje, dëgjoni shqetësimet e tyre dhe ofroni zgjidhje pozitive dhe praktike. Merrni me energjinë e duhur mbi vete funksionin thelbësor të nxitjes dhe mbikëqyrjes së përkushtimit të Kosovës ndaj avancimit të demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Presidentja Osmani dhe liderët tjerë që janë këtu kanë bashkuar zërat e tyre me demokracitë e botës. Edhe qytetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre të punës. Demokracia nuk ekziston pa ju — pa një qytetari aktive dhe të angazhuar, e cila e mban qeverinë përgjegjëse ndaj premtimeve të saj.
Demokracia ka nevojë për kampionë.
Bëhuni kampionët për të cilët ka nevojë demokracia.
Faleminderit.