Përurimi i Qendrës së bazës së të dhënave për karrierë në Universitetin e Prishtinës

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë përurimit të Qendrës së bazës së të dhënave për karrierë dhe uebfaqes të të diplomuarve në Universitetin e Prishtinës, 31 tetor 2017

Përshëndetje të gjithëve.  Z. Rektor, z. Ministër, mësimdhënës, mysafirë të nderuar.  Me të vërtetë është kënaqësi që jam këtu për përurimin e kësaj vegle të rëndësishme të re për Qendrën për zhvillimin e karrierës të Universitetit të Prishtinës.  Ju faleminderit të gjithëve nga Programi për udhëheqësit e rinj dhe Universiteti i Prishitnës që e mundësuan këtë gjë.

Mendoj se shumica prej nesh – të paktën ata që janë moshën time – e mbajmë mend sa frikësues ishte ai hapi kritik i kalimit nga siguria relative e botës akademike në botën më se të panjohur të karrierës së re.  Qendrat universitare për karrierë i shohim si ura të pazëvendësueshme në këtë proces; çdo vit ofrojnë ndihmë dhe këshilla në çdo hap për studentë të panumërtë.  Kjo do të thotë që qendrave për karrierë – siç është kjo – iu duhen të gjitha burimet e duhura për t’iu ndihmuar studentëve në këtë rrugëtim.

Pjesë e rëndësishme e punës së qendrave të karrierës është lidhja e rrjeteve të panumërta të të diplomuarve që kanë fuqinë të luajnë rol të madh në zhvillimin profesional të individëve të talentuar që i ndjekin gjurmët e tyre.  Në fakt, në SHBA, nuk është e pazakonshme që një i diplomuar t’ju intervistojë madje edhe para se të regjistroheni në universitet.

Në universitetin tim amë, çdo student mund t’i kontaktojë të diplomuarit e mëhershëm duke kërkuar nga ata ndihmë për rishikimin e rezymeve, për të ushtruar intervistimin ose edhe vetëm për t’iu kërkuar këshilla për karrierë e gjatë viteve e kam bërë këtë gjë shumë herë për studentë.  E Kosova thjeshtë është e mbushur me të diplomuar nga Universiteti i Prishtinës, në çdo fushë, drejtim e sektor.  Ka mijëra mentorë në pritje në çdo qytet e fshat.  Prandaj, paramendojeni çfarë ndikimi mund të ketë kjo bazë e të dhënave kur ta vëjë në punë atë potencial.

Baza e të dhënave do të luajë rol të rëndësishëm duke iu ndihmuar studentëve për të gjetur mundësi për përvojë të drejtpërdrejtë para se të diplomojnë.  Sepse nuk mjafton vetëm për t’ arsimuar, duhet të sigurohemi që çdo student përfiton njohurinë dhe shkathtësitë praktike që iu duhen për të lënë gjurmët e tyre.

Vazhdimisht dëgjoj nga bizneset anembanë Kosovës se duhet të ofrojmë më shumë mundësi që studentët të përfitojnë edhe njohuritë akademike edhe trajnimin praktik në fushën e tyre të zgjedhur.  E çfarë mënyre më e mirë për ta bërë këtë se sa duke i vënë në kontakt studentët me punëdhënësit e mundshëm për punë praktike përderisa ende janë në shkollë?  Në fakt, kam mësuar se kërkesa më e madhe për këtë bazë të të dhënave vjen pikërisht nga komuniteti afarist, që tash do të mund të lidhen me studentët gjatë panaireve të punës, punëtorive dhe punës praktike.

Sfida tash mbetet të sigurohemi që kjo bazë e të dhënave të jetë sa më e dobishme.  Teknologjia është mjet jetik, por vetë njerëzit duhet ta nxjerrin më të mirën nga ajo.  Prandaj, varet nga të gjithë në këtë sallë dhe të gjithë të tjerët që janë të përfshirë në zhvillimin e karrierës në universitet për të përhapur fjalët te të diplomuarit dhe sektori privat për të qenë pjesë e kësaj.  Ju nxis ta ngritni zërin, të kontaktoni rrjetet tuaja që njerëzit të përfshihen në këtë projekt.  Sa më shumë të diplomuar dhe biznese që marrin pjesë, aq më shumë ndikim mund të ketë ky projekt.

Si me të gjitha nismat tona në partneritet me Programin për udhëheqësit e rinj, Universiteti ka rastin të arrijë përparim domethënës me këtë, por nevojitet udhëheqje e fuqishme administrative dhe fonde për staf të përhershëm dhe të kualifikuar, si dhe për mbarëvajtjen e veprimtarisë.  Shpresoj që së shpejti do t’i bëni ato investime.

Duhet të mbajmë në mend se qëllimi afatgjatë nuk është të vazhdojmë t’i dërgojmë studentët e ri për studime në SHBA, por për tu siguruar që studentët në Kosovë kanë qasje në edukim të klasës së parë në vendin e tyre dhe kjo përfshin edhe mjetet për t’iu ndihmuar atyre për të gjetur punë pas diplomimit.

Baza e re e të dhënave dhe uebfaqja e të diplomuarve janë të arritura të njëmendta në rrugëtimin për ta bërë këtë gjë realitet.  Falënderoj të gjithë që kanë ndihmuar në jetësimin e tyre.

Ju faleminderit shumë të gjithëve!