Kryesues Idrizi, gjykatës Hasani, ju faleminderit që jeni bashkë me ne për këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Iu shpreh mirëseardhje të gjithë mysafirëve tanë nga gjykatat, organizatat e shoqërisë civile dhe mediumet.
Kam folur për projektin për forcimin e sektorit të drejtësisë me muaj të tërë dhe jam më se i lumtur që jam këtu për nisjen e kësaj pjese të rëndësishme të tërë nismës.
Së bashku, të gjithë ne kemi hisen tonë në suksesin kësaj nisme të re për integritet publik dhe për të siguruar se transparenca, etika dhe pavarësia e gjyqësorit bëhen edhe më të rëndësishme në jetën publike në Kosovë.
E vërteta është se çdo gjë që duam për ta arritur në Kosovë, përfshirë edhe integrimin evroatlantik, rritjen ekonomike dhe reformën e sektorit të energjisë varet nga aftësia e Kosovës për ta zhvilluar dhe mbajtur sundimin e ligjit dhe për ta luftuar korrupsionin.
Kjo përpjekje thjesht nuk mund të ekzistojë pa integritetin e plotë të sistemit gjyqësor dhe pa besimin e plotë të qytetarëve të Kosovës në atë sistem.
Ky besim mund të jetë gjë e brishtë. Duhen shumë shembuj pozitivë të transparencës, paanshmërisë dhe llogaridhënies për ta ndryshuar perceptimin publik, por duhet shumë pak që ai besim të zbehet.
Qytetarët kosovarë llogaritin në juve sepse gjykatat e Kosovës, si mbrojtëse të sundimit të ligjit, janë thelbësore në këtë luftë.
Është thelbësore që personat e përfshirë në vepra korruptive ose në krime të tjera ta kuptojnë se do të sillen para drejtësisë dhe do të japin llogari për to.
Po aq me rëndësi është që ata duhet ta kuptojnë se do të kenë gjykim të drejtë nga një gjykatës i paanshëm.
E di se Kosova ka përparuar shumë në këtë pikë.
Miratimi i kodit i i etikës për gjyqtarë dhe puna në rregulloret që përkufizojnë sjelljen e pahijshme në gjyqësor janë hapa të rëndësishëm në nxitjen e zotimit për integritet.
E pjesëmarrja e ardhshme e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatave në kursin trajnues rajonal të USAID-it njëmend do t’ia demonstrojë publikut se gjyqësori e ka marrë seriozisht çështjen e ngritjes së integritetit.
Unë jam i inkurajuar. Por, duhet ta pranojmë se mund të punojmë edhe më mirë sepse qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë. Ata meritojnë ta kenë një shoqëri ku jo vetëm gjyqësori, por edhe zyrtarët e tyre të zgjedhur udhëheqin me integritet.
Ata meritojnë zyrtarë që i lënë anash çështjet si përfitimi personal dhe partiak dhe përqendrohen në interesin e publikut dhe të mirën e përgjithshme të Kosovës. Ata meritojnë zyrtarë që e fitojnë besimin e publikut çdo ditë.
Ky është synim shumë i lartë – i lartë për çdo vend, përfshirë edhe vendin tim – për për ta arritur dhe mbajtur. Por pikërisht këtë gjë duhet ta synojmë.
Prandaj, i nxis udhëheqësit e gjyqësorit që ta mbështesin këtë nismë të re të integritetit publik dhe ta dyfishojnë zotimin e tyre për integritet. Jo vetëm me fjalë – por me vepra dhe duke prirë me shembuj.
Ndryshimi i perceptimit publik për sundimin e ligjit në Kosovë nuk është gjë e lehtë; është përpjekje afatgjatë.
I çmoj përpjekjet e palodhshme të shumë njerëzve në sektorin e drejtësisë për të qenë të fokusuar në këtë punë. SHBA-ja është krenare që është partnere juaja.
Ju faleminderit edhe njëherë për praninë tuaj në këtë ngjarje dhe për krejt punën tuaj për t’iu shërbyer interesave më të mirë të vendit tuaj.