Fjala e z-njës Colleen Hyland, e ngarkuar me punë në ambasadën amerikane, me rastin e nisjes së Asociacionit të Grave në Sektorin e Energjisë, 27 qershor 2017
Mirëdita. Jam më se e lumtur që po marr pjesë në fillimin e punës së Asociacionit të Grave në Sektorin e Energjisë të Kosovës, një zë i ri i rëndësishëm për përfshirjen ekonomike të grave. Dëshiroj t’i falënderoj partnerët tanë në Repower që e mundësuan ditën e sotme.
Kjo ngjarje bashkon gratë nga të gjitha aspektet e sektorit të energjisë në Kosovë, përfshirë edhe nxitëset e para dhe themelueset e Asociacionit. Ju përgëzoj të gjithëve për përkushtimin dhe vendosmërinë tuaj për të sjellë më shumë barazi gjinore në sektorin e energjisë.
Siç e dini shumë mirë, gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në sektorin energjetik në Kosovë e as nëpër botë, por kemi çdo arsye për të menduar se mund të fillojmë ta ndryshojmë këtë. Mund të ndihmojmë për të sjellë më shumë gra të talentuara në fuqinë punëtore në sektorin energjetik, për t’i fuqizuar ato si faktor vendimmarrës në këtë sektor dhe për të siguruar që të kenë qasje të barabartë në edukim, përparim dhe zhvillim profesional.
Para disa muajve fola në një ngjarje për shënimin e Ditës Ndërkombëtare Vajzat në TIK, ditë për mentorim, punëtori dhe panaire pune, për të ndihmuar në nxitjen e potencialit të jashtëzakonshëm të vajzave nëpër Kosovë dhe për t’ua mbrujtur atyre besimin se çdo profesion është i hapur për to.
Fillimi i punës së kësaj organizate të re është pjesë e të njëjtës përpjekje e jo vetëm se është gjëja e duhur për gra dhe vajza. Ekonomia në rritje e Kosovës kërkon burim të sigurtë dhe të besueshëm të energjisë, e kjo do të kërkojë pjesëmarrje të plotë të tërë fuqisë së re dhe shumë të shkathtë punëtore të vendit. Do të ishte çmenduri ta përjashtoni gjysmën e popullatës suaj të talentuar nga kjo përpjekje.
Kjo çështje s’ka si të mos jetë më urgjente sepse sektori energjetik i Kosovës ballafaqohet me shumë sfida të menjëhershme. Furnizimi i rregullt me energji elektrike, puna drejt integrimit rajonal dhe përparimi në llojshmërinë e burimeve të energjisë elektrike – Kosovës i nevojiten më të mirët dhe më të zgjuarit për të punuar në zgjidhjen e këtyre problemeve çdo ditë dhe kjo nënkupton që grave iu duhen gjasa më të barabarta në këtë fushë.
Tashmë ka shenja se po ecim në drejtim të duhur. Veçanërisht jam e lumtur që po shoh kaq shumë të reja pjesëmarrëse të programit të praktikës të REPOWER. Kam kuptuar se më shumë se gjysma e praktikantëve në këtë program gjatë dy viteve të fundit ishin gra, gjë që tregon se kur gratë i kanë gjasat e barabartë për të konkurruar, ato janë më se të gatshme për ta zënë vendin e tyre në këtë sektor.
Përderisa Kosova punon në integrimin më të madh të burimeve më efiçente dhe të ripërtërishme të energjisë është edhe më e rëndësishme për të siguruar që gratë kanë mundësi për të marrë pjesë në këtë fushë në rritje.
Edhe njëherë, i falënderoj gratë e zgjuara dhe të vendosura që e kanë kuptuar nevojën për këtë organizatë dhe që kanë punuar me mund për ta realizuar atë. Ka shumë rëndësi, pa marrë parasysh profesionin, që të ngrini zërin dhe të jeni avokati më i mirë i vetvetes.
E zotërinj, është jetike që edhe burrat në sektorin energjetik ta përkrahin këtë nismë. Barazia gjinore është edhe në interesin tuaj sepse nëse sektori energjetik i Kosovës lulëzon, atëherë i tërë vendi përfiton nga kjo.
Falënderoj REPOWER për krijimin e kornizës mentoruese që iu jep zë të fuqishëm dhe të përbashkët kaq shumë aspiratave individuale. Asociacionit të ri dhe të gjithë anëtareve të saj i dëshiroj suksese përderisa e ngritni zërin dhe rriteni në numër e ndikim.
Pres me padurim që të shoh se çka do të bëni tash. Jam e sigurtë se do t’iu qaseni nismave të reja me të njëjtin entuziazëm dhe ngulmim si deri më tash.
Ju faleminderit!