Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit për programin ASSET

Fjala e z-njës Hyland gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit për programin ASSET, 23 maj 2019

Mirëmëngjesi. Ju dëshiroj mirëseardhje të gjithë drejtorëve komunalë të arsimit.  Më vjen mirë që jam këtu së bashku me ju për të shënuar fillimin e programit të USAID-it për Mbështetje pas mësimit për tinejxherë (ASSET) në komunat tuaja.

Motoja e ASSET-it “Përgatisim të rinjtë për jetën dhe punën në shekullin e XXI-të” pikërisht tregon çka nënkupton ky program.  Kosova është e bekuar me popullatë të re dhe energjike.  Për ta shfrytëzuar këtë përfitim demografik, tani është koha e duhur për investime në këtë gjeneratë, si në shkathtësitë e forta akademike, ashtu edhe në shkathtësitë e buta.

Investimi në këtë përmes ASSET-it do t’ju ndihmojë për të vënë themelin për një ekonomi të begatshme dhe dinamike, si dhe demokraci të gjallë.  ASSET-i, përmes së cilit plotësohen njohuritë që nxënësit i marrin në shkolla, ndërton këtë lloj të shkathtësive të komunikimit, punës ekipore dhe të menduarit kritik që janë thelbësore në vendin e punës të kohëve të tashme.

Ky program po ashtu ofron këshillim për karrierë, edukim për ndërmarrësi dhe vende kreative për nxënës, si dhe një varg të resurseve të reja për mësimdhënës.

Duke nënshkruar këto marrëveshje sot, USAID-i, Ministria e Arsimit dhe komunat tuaja po zotohen se do të investojnë në rininë e Kosovës për ti kontribuar përparimit të Kosovës.  Përderisa USAID-i luan rol mbështetës në këtë partneritet, suksesi i këtij programi varet në udhëheqjen tuaj në nivel qendror e komunal.

Gjashtëmbëdhjetë shkolla të mesme do të thotë fillim i mbarë.  Nuk mbërrin te të gjithë të rinjtë e etur të Kosovës, por kjo ju jep komunave tuaj një shembull që mund dhe duhet ta zbatoni në tërë vendin.