Ndihmës-sekretarja e Shtetit, Dr. Karen Donfried në konferencën për shtyp me presidenten Vjosa Osmani

Ndihmës-sekretarja e Shtetit, Dr. Karen Donfried në konferencën për shtyp me presidenten Vjosa Osmani, 25 prill 2022

Ju faleminderit shumë, zonja presidente.  Më vjen shumë mirë që jam këtu në Prishtinë në vizitën time të parë si ndihmës-sekretare e shtetit.  Pata nderin të takohesha me presidenten tuaj në Uashington dhe kam kënaqësinë e madhe të vazhdojmë bisedën këtu në Kosovë.  Më duhet të them se organizuat një ditë aq të bukur për mua.  Përderisa po aterronim dhe shikova jashtë dritares, pata pamjet më mbresëlënëse të vendit tuaj të bukur.  Pra, kam kënaqësinë që jam me juve këtu.

Siç e dini të gjithë, kohëve të fundit humbëm një prej mbështetëseve më të zëshme të SHBA-së për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, Madeleine Albright (Medlin Olbrajt). Sekretarja Albright ishte thellë e përkushtuar ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj.  Ajo e pa premtimin e këtij vendi të ri, të gjallë – një vendi të përkushtuar për të ndërtuar institucione të qëndrueshme demokratike dhe për të zhvilluar ekonomi që ofron mundësi për qytetarët e saj.  Dëshiroj të vë në pah nderimin e jashtëzakonshëm që presidentja Osmani ia bëri sekretares Albright – duke shpallur ditë zie – si dhe që së bashku me kryeministrin Kurti po udhëton nesër herët në mëngjes për të nderuar kujtimin e saj gjatë varrimit në Uashington.

Jam këtu për t’ju siguruar që përkushtimi i sekretares Albright ndaj të ardhmes së Kosovës mbetet prioritet i lartë i SHBA-së.  Siç mund ta dini, jam këtu në kohë sfiduese, në një çast përcaktues për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti.  Lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës ka demonstruar sa është e rëndësishme dhe urgjente të vazhdohet puna për të siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj i vazhdojnë reformat e domosdoshme për konsolidimin e tyre demokratik dhe integrimin e tyre në institucionet evropiane dhe euro-atlantike.  Edhe pse e fituar me mund, kurrë nuk duhet ta marrim paqen dhe përparimin e Kosovës për të mirëqenë.  Të gjithë duhet të luftojmë çdo ditë për të ofruar mundësi për qytetarët tanë.

Kjo nënkupton avancimin e përpjekjeve për të siguruar që Kosova e merr vendin e duhur në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, duke përfshirë përmes marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.  Nënkupton përmirësimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit për të gjithë qytetarët kosovarë – e di që presidentja Osmani është thellësisht e angazhuar përmes nismave të saj si pjesë e Samitit për Demokraci të presidentit Biden. Ju faleminderit, zonja presidente për përkushtimin tuaj për të luftuar korrupsionin, avancuar demokracinë dhe mbrojtur të drejtat e njeriut.

Në fund, e kam të qartë se burimi më i madh i Kosovës është diçka që ia vlen të mbrohet – fuqia juaj punëtore e re, novatore.  Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me ju përderisa e zhvilloni ekonominë, rritni integrimin rajonal dhe ndërtoni sektor të energjisë të fortë dhe të larmishëm.

Në fund, e di se lufta e paprovokuar, brutale e Kremlinit kundër Ukrainës në shumë raste ka hapur kujtimet e vjetra të zymta nga përvoja e kaluar e kosovarëve në 1990-t.  Udhëheqja emfatike dhe humanitare që Kosova e ka demonstruar, përkundër traumës së ri-zgjuar, është e hatashme.  Kosova vazhdimisht i ka treguar botës se dyert e saj janë të hapura kur njerëzit kanë nevojë.  Ju faleminderit për ofertën tuaj të hershme dhe zemërgjerë për strehimin e përkohshëm të afganëve para rivendosjes së tyre.  Deri tani, për shkak të zemërgjerësisë suaj, pothuajse 600 afganë janë larguar nga kampi Liya në Bondsteel për t’ia filluar jetës në Shtetet e Bashkuara.  Kjo do të thotë 600 jetë e fillojnë një kapitull të ri për shkak të mikpritjes dhe bujarisë së Kosovës.  Ngjashëm, dëshiroj t’ju falënderoj për ofertën tuaj bujare për të strehuar ukrainasit që kërkojnë strehim, përfshirë gazetarët ukrainas.

E di se shumë në Kosovë brengosen për sigurinë e Kosovës në këto kohë shqetësuese.  Dëshiroj t’ju siguroj që përkushtimi i Shteteve të Bashkuara dhe i aleatëve tanë mbetet i fuqishëm.  KFOR-i, forca më e madhe e dislokuar e NATO-s, paraqet manifestimin më të dukshëm të përkushtimit tonë të vazhdueshëm ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që Kosovën e quajmë partnere.  Ju faleminderit shumë.