Ndihmës-sekretarja e Shtetit, Dr. Karen Donfried në konferencën për shtyp me kryeministrin Kurti

Ndihmës-sekretarja e Shtetit, Dr. Karen Donfried në konferencën për shtyp me kryeministrin Kurti, 25 prill 2022

Mirëmbrëma të gjithëve. Ju faleminderit, z. kryeministër. Është kënaqësi që jam këtu në Prishtinë në vizitën time të parë në Kosovë si ndihmës-sekretare e shtetit. Kryeministri dhe unë kemi pasur rastin të flasim me telefon, por është kënaqësi e veçantë që po takohemi drejtpërdrejt në një ditë kaq të mrekullueshme. Kur aterruam në aeroport pata pamje mbresëlënëse të vendit tuaj të bukur.

Jam këtu në kohë sfiduese për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti. Lufta brutale, e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës paraqet thirrje për shumë veta. Përkundër përparimit të fituar me mund që Shtetet e Bashkuara, Kosova dhe partnerët tjerë demokratikë e kanë arritur, kurrë nuk duhet ta marrim paqen ose institucionet tona demokratike për të mirëqenë. Duhet të përpiqemi çdo ditë për të ofruar mundësi për qytetarët tanë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që të shohin Kosovën duke e marrë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Për këtë arsye i japim kaq shumë përparësi mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja për ta ndihmuar Kosovën që të arrijë normalizim të marrëdhënieve me fqinjin tuaj, Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë. Gjendja e tanishme është e paqëndrueshme; jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por nga ajo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çfarëdo uniteti dhe konsolidimi demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që ju dhe fqinjët tuaj nuk mund dhe nuk do të integroheni në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Ajo beson se një rajon i Ballkani që është më i fortë, më i përparuar, demokratisht më i qëndrueshëm paraqet kërcënim për ndikimin e saj. Marrëdhëniet më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë kërcënim për aftësinë e Rusisë për të ndarë, për të ngjallur frikë dhe për të nxitur kaos.

Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve flagrante të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjeshtë: Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe urgjentisht të ri-angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me mbështetje të fortë të SHBA-së. Kryeministri dhe unë diskutuam për hapat e ardhshëm në dialog dhe sa i rëndësishëm është ai për Shtetet e Bashkuara. Qëllimi ynë është qëllimi juaj: marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen e ndërsjellë. Angazhimi urgjent, kreativ dhe fleksibël dhe përpjekje të sinqerta në mirëbesim nga Kosova dhe Serbia do të sjellin përfitime afatgjata për të gjithë qytetarët, duke përfshirë rritje ekonomike dhe stabilitet afatgjatë. Jam e vetëdijshme për shqetësimet e qeverisë dhe popullit të Kosovës për sigurinë e Kosovës në këto kohë shqetësuese. Ju siguroj që përkushtimi i Shteteve të Bashkuara dhe i aleatëve e partnerëve tanë mbetet i fuqishëm. Në Kosovë është forca më e madhe e dislokuar e NATO-s, KFOR-it me mision për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

Kryeministri dhe unë gjithashtu diskutuam për udhëheqjen e qeverisë së tij gjatë vitit të shkuar, sidomos në çështjet humanitare. Shtetet e Bashkuara e çmojnë shumë gatishmërinë e Kosovës për strehimin e përkohshëm të afganëve në kampin Bondstill. Duke iu falënderuar mikpritjes dhe bujarisë suaj të jashtëzakonshme, pothuajse 600 afganë – familje, burra, gra dhe fëmijë – kanë udhëtuar përmes Kosovës për t’ia filluar jetës së re në Shtetet e Bashkuara. Pa dyshim, këto familje gjithmonë do ta konsiderojnë Kosovën si shtëpinë e tyre të dytë.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj kryeministrin Kurti për udhëheqjen e tij lidhur me Ukrainën – solidaritetin e qeverisë suaj për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe për ofrimin e mbështetjes dhe strehimit humanitar të refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas, siç keni bërë për afganët.

Në fund, dëshiroj të falënderoj kryeministrin Kurti që do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara herët në mëngjes për të nderuar ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright (Medlin Olbrajt) duke marrë pjesë në varrimin e saj. Siç e dini, Sekretarja Albright ishte thellë e përkushtuar ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane. Ju siguroj se përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e partnerët tanë janë të përqendruar për t’i kërkuar llogari Kremlinit për luftën e tij brutale dhe ndikimin e saj përtej Ukrainës, përkushtimi ynë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor asnjëherë nuk është lëkundur. Në fakt, kurrë nuk ka qenë më i fortë.

Ju faleminderit.