Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE – Deklaratë për votimin e serbëve në Kosovë në referendumin e 16 janarit

Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE  

Deklaratë për votimin e serbëve në Kosovë në referendumin e 16 janarit

Deklaratë e përgatitur paraprakisht për ambasadorin Michael Carpenter për t’ju drejtuar Këshillit të Përhershëm, Vjenë, 20 janar 2022

Ju faleminderit, zotëri kryesues.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetin referendumin kombëtar të Serbisë, të mbajtur më 16 janar, në të cilin qytetarët miratuan ndryshimet kushtetuese që synojnë reformën e gjyqësorit. Këto ndryshime paraqesin hap të rëndësishëm drejt de-politizimit të gjyqësorit në Serbi në përputhje me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. E nxisim qeverinë serbe që të vazhdojë të forcojë demokracinë në vend përmes sundimit të ligjit dhe reformave të tjera të domosdoshme për anëtarësimin në BE dhe ofrojmë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për përpjekjet e Serbisë.

Në prag të referendumit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bashkuan partnerëve evropianë duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë në referendum, pasi që besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Megjithatë, le të jemi të qartë për qëndrimin e SHBA-së për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për caktimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të shteteve të tjera sovrane në territorin e saj. Shpresonim që qeveria e Kosovës të vazhdonte praktikën e kahershme për të lejuar OSBE-në që të mblidhte fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por qeveria zgjodhi të mos e bënte këtë. E përgëzojmë Misionin e OSBE-së në Kosovë për gatishmërinë që sërish të marrë detyrën për të ndihmuar serbët që jetojnë në Kosovë që të votojnë. Mirëpresim mundësinë që të diskutojmë me partnerët tanë – si me qeverinë e Kosovës, ashtu edhe atë të Serbisë – se çfarë aranzhime dhe akomodime mund të bëhen për tu siguruar që qytetarët të cilët banojnë në Kosovë, përkatësisht në Serbi, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane. Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk mund të flasë për vete sot. Mirëpresim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo të mund të ndodhë.

Vazhdojmë të inkurajojmë qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga aksionet dhe retorika që rrisin tensionet dhe që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është me rëndësi që të dy qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit stabilitetin rajonal.

Ju faleminderit, Z. kryesues.