Filip S. Kosnet
Ambasadori Amerikan në Kosovë
Përshëndetje. Kolegët e mi nga ambasada dhe unë jemi këtu për të folur për kërcënimin e vazhdueshëm nga Covid-19, çka po bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar dhe çka mund të bëjë i tërë populli i Kosovës për tu mbrojtur.
Jam frymëzuar nga përkushtimi i infermierëve, mjekëve, mësimdhënësve, policëve dhe punëtorëve të tjerë esencialë, të cilët kanë punuar pa u lodhur për t’i përmbushur nevojat e bashkëqytetarëve të tyre gjatë pandemisë. Por, çdo person luan rol në këtë.
Ndoshta e keni dëgjuar lajmin që në Kosovë kanë ardhur dozat e para të vaksinës – të financuara nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Vaksinat tjera do të pasojnë, por do të marrë kohë derisa të gjithë në Kosovë të kenë qasje në vaksinë. Madje edhe pasi të ketë përfunduar vaksinimi, sërish do të duhet të mbajmë përgjegjësi individuale për të zvogëluar rrezikun ndaj vetes dhe të tjerëve përreth. Vetëm duke bartur maskën, duke mbajtur distancën dhe duke larë duart – dhe duke marrë vaksinën kur të keni mundësinë – do ta mposhtim këtë kërcënim ndaj mënyrës sonë të jetës.
Përveç vaksinës, Kosova ka përfituar mbi 3 milionë dollarë ndihmë nga qeveria amerikane përmes donacioneve të pajisjeve për mbrojtje personale, pajisjeve mjekësore, granteve për mësim përmes internetit, këshillim teknik dhe ndihmë tjetër. Përmes asistencës sonë i kemi ndihmuar shkollat, qendrat shëndetësore dhe spitalet rajonale, familjet dhe komunitetet në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Jemi të përkushtuar për të vazhduar të qëndrojmë përkrah miqve tanë në Kosovë dhe anembanë botës sa të jetë e nevojshme për ta mposhtur këtë kërcënim global.
Ju ftoj të shikoni përderisa kolegët e mi nga ambasada amerikane ju njoftojnë për disa prej pikave kryesore të përpjekjeve tona. Së bashku mund ta mposhtim Covid-19.
Lisa Magno
Drejtoreshë e USAID-it në Kosovë
Për të ndihmuar Kosovën në luftën kundër Covid-19, USAID-i ka siguruar:
Pako higjienike për 8000 familje dhe 250 qendra shëndetësore në të gjitha 38 komunat e Kosovës;
Mbi 10000 pako me maska, sanitizues për duar, termometra me rreze të kuqe për 660 shkolla;
Material për rritjen e vetëdijesimit për masat kundër Covid përmes mijërave pankartave dhe pamfleteve;
Tri aparate RT-PCR, shumë të rëndësishme për testimin për Covid. Ndoshta i keni parë këto aparate në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Tetë skanerë termikë për kontrollimin e udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe në vendkalimet kufitare tokësore në Merdare, Han të Elezit, Pejë dhe Vërmicë. Dhe, qeveria e SHBA-së ia ka dhuruar QKUK-së dhe të gjitha spitaleve rajonale 50 ventilatorë për të siguruar që punëtorët shëndetësore të Kosovës në vijë të frontit i kanë pajisjet e domosdoshme për të shpëtuar jetën e pacientëve. Kosovë, jemi bashkë në këtë situatë.
Shawn Waddoups
Drejtor i zyrës INL
Partnerët tanë kosovarë nga sektori i drejtësisë, zbatimit të ligjit dhe shërbimit korrektues çdo ditë ndër-veprojnë ngushtë me publikun duke rritur dukshëm rrezikun e infektimit me Covid-19. Përkundër rrezikut, ata vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e nevojshme, duke i mbrojtur viktimat, qytetarët dhe të burgosurit pa ngurrim. Për këtë arsye, ambasada i ka dhënë përparësi ndihmës për këto agjenci dhe institucione duke blerë pajisje mbrojtëse për të ndihmuar në zvogëlimin e gjasave për ekspozimin ndaj këtij virusi vdekjeprurës. Fatkeqësisht, 18 pjesëtarë të personelit të Policisë së Kosovës kanë vdekur nga Covid-19. I nderojmë ata që u shuan duke siguruar vendin tuaj. Ndikim tjetër serioz nga pandemia u vërejt në rritjen e madhe të krimeve të lidhura me dhunën në familje. Për t’i ndihmuar autoritetet e Kosovës për të reaguar, ne iu siguruam laptop prokurorëve të rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtësve të viktimave që të mund të reagonin në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë; iu dhuruam kompjuterë strehimoreve për viktimat e dhunës në familje që fëmijët të vazhdojnë mësimin përmes internetit; si dhe e ndihmuam një partnere tonë të ngushtë – Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës – për t’ju siguruar pajisje për mbrojtje personale stafit të strehimoreve. Ju nxisim të bëni pjesën tuaj për t’i mbrojtur ata që ju mbrojnë ju duke vazhduar të bartni maskën, të mbani distancën, t’i lani duart dhe t’iu përmbaheni rregullave! #SëBashkuMundTaMposhtim Covid-19.
Majorja Courney Olson
Shefe e Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje
Përshëndetje! Jam majorja Courney Olson, shefe e Zyrës për Bashkëpunim në Mbrojtje. Gjatë vitit të shkuar kemi punuar ngushtë me disa ministri, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Policinë e Kosovës, Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe me Ministrinë e Mbrojtjes për të siguruar pajisje për mbrojtje personale, si maska, sanitizues dhe dezinfektues për punëtorët esencialë. Përveç maskave, manteleve dhe sanitizuesve, përmes projektit CARES të Komandës së ushtrisë amerikane për Evropë, ambasada amerikane iu ka siguruar spitaleve edhe pajisje jetike të oksigjenit dhe do të vazhdojë të dërgojë pajisje jetike për oksigjen dhe pajisje për teste të shpejta për qytetarët e Kosovës.
Besart Osmani
Asistent në American Corner Prizren
Duke punuar së bashku mund ta mposhtim Covid-19. Këndi amerikan Prizren: Vitin e shkuar në mars 2020, kur ia filloi pandemia, Këndi amerikan në Prizren reagoi shpejtë duke përkrahur komunitetin lokal dhe stafin mjekësor që përpiqej të mbante virusin nën kontroll. Ne përdorëm me sukses printerët 3D dhe lapsat 3D për të shtypur mburoja për fytyrë 3D, të cilat ua dhuruam: Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mamushë Qendrës Emergjente në Prizren Institutit Regjional të Shëndetit në Prizren, si dhe Dy shkollave fillore. Kemi shtypur pothuajse 120 mburoja plastike për fytyrë dhe maska për fytyrë me teknologjinë 3D. Këtë nuk do të mund ta arrinim pa ndihmën e dy vullnetarëve tanë, Durimit dhe Fikretit, të cilët rrezikuan shëndetin e tyre për të marrë pjesë në nismën tonë. E dimë se kontributi ynë ishte simbolik, por ishte inkurajim i rëndësishëm për komunitetin tonë lokal në fillim të pandemisë.
Blerta Aliu
Mësuese e gjuhës angleze në Shkollën Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan
Jam Blerta Aliu dhe jam mësuese e gjuhës angleze në Shkollën Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan. Ajo që kemi mësuar përfundimisht na ka bërë më përgjegjës dhe më të kujdesshëm rreth mënyrës se si i mësojmë nxënësit tanë përmes mjeteve online. Tashmë kemi filluar t’i zbatojmë këshillat e udhëzimet e trajnerëve. E kuptuam që ishte shumë e rëndësishme për të përfshirë elementin e mësimdhënies online që trajnerët sugjeruan ta përdorim për tu afruar më shumë dhe për të qenë më të qartë para nxënësve. Jam shumë e lumtur që jam përzgjedhur si njëra ndër mësimdhënëset në Kosovë për të ndjekur këtë trajnim shumë të dobishëm të mbështetur nga ambasada amerikane.
Filip S. Kosnet
Ambasadori Amerikan në Kosovë
SHBA-ja është e përkushtuar të punojë me partnerët anembanë globit për t’i dhënë fund pasojave shkatërruese që pandemia ia ka shkaktuar shëndetit publik dhe ekonomisë. Si pjesë e këtij përkushtimi, presidenti Biden ka njoftuar për mbështetjen prej 4 miliardë dollarë për programin ndërkombëtar për vaksina COVAX, i cili lehtëson qasjen globale në vaksinat kundër Covid-19. Me këtë zotim, ne jemi donatori më i madh në COVAX që sjell vaksinat kundër Covid-19 te 92 shtetet më në nevojë. E pamë se si një pjesë e këtij zotimi u bë realitet më 28 mars kur në Kosovë erdhën vaksinat e para. E nxis qeverinë e Kosovës – dhe çdo qytetar kosovar – të përqendrohen në zbutjen e pasojave të Covid-19 në komunitetin tonë. Së bashku mund ta mposhtim Covid-19. E deri atëherë, Kosovë, vini maskën.