Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së nënshkrimit me Marriott në rezidencën Marigona

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së nënshkrimit me Marriott në rezidencën Marigona, 28 mars 2018

Më duhet të them se jam me të vërtetë i lumtur që jam këtu.

Mirëmbrëma. Kam kënaqësinë që jam këtu për të kremtuar një të arritur të mrekullueshme për rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe për një ndërmarrje amerikane në Kosovë.

Dëshiroj të përgëzoj Grupin “Rezidenca Marigona” për gjithë punën e bërë për ta sjellë brendin Marriott në Kosovë. Ky partneritet i ri paraqet demonstrim të prekshëm të çka unë shoh këtu çdo ditë – potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës si vend për investimet e huaja dhe për zinxhirët ndërkombëtarë të klasës botërore.

Para ca kohe isha aty për t’i shprehur mirëseardhje KFC, Kentucky Fried Chicken. Disa muaj më parë po ashtu isha aty për t’i shprehur mirëseardhje ndërmarrjes Contour Global për projektin Kosova e Re, e sonte po e mirëpresim Marriott International. Çfarë lajmi i mrekullueshëm!

Ambasada e SHBA-së fuqishëm mbështet angazhimin e ndërmarrjeve amerikane në Kosovë dhe këto dy hotele do të ofrojnë përfitime të ndjeshme ekonomike për qytetarët e Kosovës, si dhe do të ofrojnë vend të rehatshëm ku mund të qëndrojnë vizitorët. Përveç gjenerimit të milionave eurove në ndërtim dhe të hyra vjetore, këto hotele do të punësojnë 150 persona me vende pune shumë të nevojshme dhe të paguara mirë.

Përfitimet e këtyre investimeve do të shkojnë përtej ndikimit të tyre të menjëhershëm ekonomik. Ardhja e Marriott do të ndihmojë që Kosova të vendoset në hartë duke treguar se një franshizë e madhe amerikane – një brend ndërkombëtar – sheh mundësi dhe potencial për rritje në Kosovë. I tregon botës se Kosova është e hapur për biznes dhe në mënyrë aktive kërkojnë investime.

Investimet dhe ndërmarrësia janë thelbësore për të ardhmen ekonomike të Kosovës, por ato nuk ndodhin vetvetiu. Duhen njerëz me vizion, përkushtim dhe zotim për të ardhmen e vendit të tyre që diçka e tillë të ndodhë. Erolld, Valton, Rasim: urime që e keni sjellë Marriott-in në Kosovë dhe që po punoni për përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së bashkëqytetarëve tuaj. Shpresoj të shoh edhe më shumë individë, si dhe edhe më shumë ndërmarrje amerikane duke i përcjellë hapat tuaj.

Zoti Ervin, ju faleminderit shumë. Marriott, mirë se vini në Kosovë dhe ju dëshirojmë shumë sukses.

Ju faleminderit.