Fjala e zëvendës-shefes së misionit, z-njës Colleen Hyland, gjatë ceremonisë së lansimit të Strategjisë kombëtare të Kosovës kundër dhunës në familje 2016-2020, 19 prill 2017
Mirëmëngjesi të gjithëve. Ministre Hoxha, zëvendës-ministër Basha, zonja Gusia.
Jam e lumtur që jam këtu për përurimin e Strategjisë kombëtare të Kosovës për mbrojtjen nga dhuna në familje. Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për hartimin e planit të veprimit, i cili merr parasysh edhe shërbimin për viktima edhe ndjekjen penale të kryesve të krimit. Të dy elementet janë të rëndësishme në mbrojtjen kundër dhunës në familje. Viktimave iu duhet mbështetja për t’i pasur burimet dhe ndihmën për tu larguar nga marrëdhëniet e dhunshme. Kryesit e krimit duhet ta dinë se sjellja e tyre ka pasoja; pasoja që shpresojmë se do t’i përfrikësojnë nga veprat e tilla në të ardhmen. Kur të zbatohet, plani i veprimit i Kosovës do të ndërmarrë hapa rrënjësorë për të siguruar mbrojtje dhe drejtësi për viktimat.
Kosova është prijëse rajonale në çështjen e të drejtave të viktimave. Zyra për mbrojtje dhe ndihmë viktimave është proaktive duke i ndihmuar viktimat për parashtrimin e kërkesave për urdhër për mbrojtje dhe duke i udhëhequr nëpër sistemin e drejtësisë penale. Forumi i gjyqtareve dhe prokuroreve, me mbështetjen e programit të OPDAT-it të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, ka hartuar udhëzuesin për gjyqtarë dhe prokurorë për t’i trajtuar çështjet komplekse që dalin nga këto raste të ndërlikuara. Me mbështetjen e ambasadës amerikane, Kosova ka miratuar ligjin për kompensimin e viktimave të krimit. Muajin e kaluar, Ministria e Drejtësisë më në fund ka arritur të sigurojë fonde për zbatimin e ligjit.
Këto janë hapa të lavdërueshëm. Megjithatë, qeveria duhet të përfshijë linjën buxhetore për këtë program gjatë rishikimit gjashtëmujor të buxhetit që ligji të jetë plotësisht funksional. Kompensimi i viktimave të krimit është thelbësor që Kosova t’i përmbushë standardet ndërkombëtare, por ç’është edhe më me rëndësi, është thelbësor për sigurinë e viktimave të krimit. Kosova duhet ta bëjë programin e kompensimit të viktimva të krimit funksional sa më shpejt që është e mundur. Trajtimi i viktimave është tregues kyç i fuqisë së sistemit penal.
Shtetet e Bashkuara e kanë prioritet mbështetjen e Kosovës përderisa e zhvillon sistemin e fuqishëm të drejtësisë. Sundimi i fuqishëm i ligjit është thelbësor për luftimin e dhunës në familje. Viktimat duhet të kenë besim se sistemi i drejtësisë do t’i trajtojë rastet e tyre me drejtësi dhe pa paragjykim, si dhe do t’i ndëshkojë kryesit e veprave. Sistemi i drejtësisë penale funksionon vetëm kur rastet ndiqen penalisht deri në fund dhe kryesit e veprave dënohen në mënyrë të drejtë. Fajësimi apo mospranimi i viktimës së dhunës në familje për shkak se dhuna është vetëm “çështje familjare” ua mundëson kryesve të krimeve të veprojnë pa frikë nga ndëshkimi dhe bën të mundur vazhdimin e viktimizimit të personit.
Kjo çështje ka ndikime më të gjera sepse injorimi ose minimizimi i dhunës në familje e minon besueshmërinë e përgjithshme të sistemit të drejtësisë. Sistemet me besueshmëri të ultë nuk mund ta luftojnë krimin në çfarëdo niveli. Një qasje më e fuqishme për ndalimin e dhunës në familje paraqet vetëm një hap në përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale, por është hap thelbësor. Kosova ka bërë përpjekje domethënëse për përmirësimin e trajtimit të viktimave të dhunës në familje dhe për ndjekjen penale të keqbërësve. Duhet të jeni krenarë me të arriturat tuaja.
Pres me padurim ta shoh Kosovën duke vazhduar që të jetë prijëse në rajon për të drejtat e viktimave. Ju faleminderit shumë.