Fjala e Administratorit të USAID-it Mark Green gjatë hapjes së Projektit SEEK

Fjala e Administratorit të USAID-it, Mark Green gjatë hapjes së Projektit SEEK të Fondacionit të Mijëvjeçarit në Kosovë,  mbështetur nga Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, 12 nëntor 2019,

Mirëmëngjes dhe faleminderit të gjithëve për prezencën tuaj

Është kënaqësi që jam me ju dhe që po shënojmë së bashku këtë pikëarritje të rëndësishme në partneritetin ndërmjet dy vendeve tona. Ngjarja e sotme është një festim i asaj që kemi arritur së bashku. Njëkohësisht, është edhe shprehje e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj gjithë punës e cila ende mbetet para nesh.

Por ka edhe një arsye tjetër për të cilën unë jam veçanërisht krenar që jam këtu sot. Para disa vitesh, si kongresist në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të Sh.B.A.-ve, unë ndihmova në themelimin e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Ndihmova në hartimin e legjislacionit i cili na solli këtu ku jemi sot. Dhe është me të vërtetë interesante se si, kur i kujtoj ato ditë, më bie ndërmend vizioni ynë fillestar. Ideja ishte që në ato vende ku është dëshmuar një përkushtim i qartë ndaj qeverisjes së mirë, lirisë ekonomike, investimit në qytetarë – ne të kishim një mjet të ri i cili do t’i shfrytëzonte dhe do të ndërtonte mbi këto përkushtime dhe cilësi të shprehura për të siguruar një të ardhme më të ndritur.

Ne e dinim se vendet që u japin përparësi këtyre parimeve dhe fushave, do të ishin partnerë të besueshëm për biznesin privat, dhe gjithashtu se me to do të mund të hynim në një marrëveshje unike për të çuar përpara objektivat e përbashkët zhvillimor.

Dhe kështu krijuam Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për të plotësuar, jo reduktuar apo zëvendësuar, por për të plotësuar arsenalin e veglave ekzistuese për ofrimin e ndihmës së jashtme.

Ne jemi mbledhur këtu sot sepse Kosova ka demonstruar përkushtimin e saj ndaj këtyre parimeve kyqe të zhvillimit. Nuk ishte e lehtë për t’u arritur, por vetëm 11 vjet pas pavarësisë, ky vend është bërë një demokraci e hapur me institucione në forcim e sipër dhe ekonomi të tregut në rritje të vazhdueshme. Siç treguan edhe zgjedhjet e fundit, populli i Kosovës vazhdon të këmbëngulë për një qeverisje transparente të përqëndruar tek qytetarët dhe një të ardhme ekonomike e cila bazohet në zhvillim të udhëhequr nga komunitetet.

Ende mbetet shumë punë për të bërë. Kjo është Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit. Është me të vërtetë sfidë. Zhvillimi është sfidë. Rishtazi më kërkuan të përshkruaj punën që bëjmë me partnerë në MCC. Më kujtohet një rast, disa vjet më parë, kur mbikëqyrja një “Kompakt” zhvillimor në vendin ku shërbeja si ambasador – Tanzani. Dikush mu afrua dhe tha, pasi firmosëm Kompaktin, “Ku janë paratë?” Unë i thashë se nuk shkojnë punët në këtë mënyrë. Dhe ai kërkoi që t’i jap shpjegim për atë që sapo I thashë. Në rregull, i’u përgjigja, atëherë shikoje këtë punë nga ky këndvështrim, dasma është e lehtë, mirëpo jeta martesore është e vështirë. Mbajtëm dasmën, e premë tortën dhe po festojmë. Por, gjatë muajve dhe viteve në vazhdim, duhet të bashkëpunojmë më ngushtë se kurrë më parë për t’i zhvilluar këto parime, për t’i reformuar institucionet dhe për të ndërtuar diçka që do të ketë qëndrueshmëri në të ardhmen. Është me rëndësi ruajtja e momentumit në luftën kundër korrupsionit, parandalimi i ndërhyrjes së politikanëve në punën e gjyqësorit si dhe sigurimi i punës së vazhdueshme të institucioneve të vendit në interes të qytetarëve.

Është e rëndësishme që të njihet përparimi i bërë nga viti në vit. Rangimi i Kosovës është përmirësuar kundrejt treguesve të rëndësishëm si respektimi i të drejtave qytetare, kontrolli i korrupsionit si dhe dhe shpenzimet në shëndetësi dhe arsim. Për shkak të këtij përparimi dhe për shkak të zbatimit të suksesshëm të programit të Pragut (të ashtuquajturit program “Threshold”) të MCC-së, MCC ka zgjedhur Kosovën për të zhvilluar një program “Kompakt.” Unë jam një anëtar i Bordit të Drejtorëve të MCC-së dhe mezi pres ta shoh propozimin dhe ta shqyrtoj atë vitin e ardhshëm si dhe të shoh në vazhdimësi Kosovën duke përparuar në frontet që sapo përshkrova.

Lançimi i sotëm i Subvencioneve për Efiçence Energjetike e avancon më tutje programin “Threshold.” Ai u ndihmon qytetarëve dhe qeverisë së Kosovës të kapërcejnë një pengesë mjaft të madhe ndaj rritjes ekonomike e cila paraqitet në formën e furnizimit të paqëndrueshëm me energji elektrike dhe praktikave të shfrytëzimit joefiçent të energjisë elektrike.

Përmes një kombinimi të punës në ndërtimin e kapaciteteve të furnizuesve me energjisë elektrike dhe mbështetjes për modifikimin e shtëpive me klimatizim dhe pajisje më efiçente të energjisë dhe ngrohjes, ne jemi të bindur se projekti do të përmirësojë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike dhe, rrjedhimisht, cilësinë e jetës. Një gjë tjetër me rëndësi, ai gjithashtu do t’i fuqizojë konsumatorët të marrin mbi vete kontrollin e konsumit të energjisë dhe koston – gjë e cila do t’u mundësojë familjeve të riinvestojnë mjetet e kursimera ashtu si ato e shohin të udhës.

Me kalimin e kohës, qëndrueshmëria më e madhe në sektorin e energjisë do të rrisë produktivitetin, ndërsa kostoja më e ulët do të thotë para të kursyera që mund të investohen gjetiu.

USAID-i po bën pjesën e vet të punës për të plotësuar dhe përforcuar punën e rëndësishme të këtij programi dhe të MCC-së. Ne i ofrojmë ndihmë teknike qeverisë në forcimin e kornizave ligjore dhe rregullatore të sektorit energjetik. Ne punojmë me furnizuesit me energji elektrike në rritjen e qëndrueshmërisë, sigurisë dhe diversitetit të furnizimit me energji elektrike.

Ne përpiqemi të shfrytëzojmë zgjidhjet e bazuara në treg dhe inovacionet e sektorit privat, i cili është me rëndësi thelbësore për këtë sektor.

Dhe ne e bëjmë këtë sepse kemi një qëllim të përbashkët, si me MCC-në ashtu edhe me qytetarët dhe udhëheqësit e Kosovës, e ky është ruajtja e momentumit në rrugëtimin e vendit drejt vetqëndrueshmërisë.

Por ne kemi një përqëndrim të veçantë në këtë sektor sepse të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm është një sektor i qëndrueshëm dhe efiçent nergjietik për nxitje të vetqëndrueshmërisë.

Ne në USAID besojmë në dëshirën e çdo personi, çdo familjeje dhe çdo komuniteti për të përparuar në rrugën vetanake drejt një të ardhmeje të ndritur.. me fjalë tjera, në dëshirën e tyre për vetqëndrueshmëri.

Prandaj, kudo që gjejmë njerëz dhe udhëheqës që janë të gatshëm të bëjnë gjërat e duhura për të mirën e familjeve dhe komuniteteve të tyre përkundër vështirësive, ne ndiejmë obligim që t’u gjendemi pranë gjatë rrugëtimit të tyre.

Kur i kujtoj ditët që mendonim për atë që tani e njohim si Korporatë të Sfidave së Mijëvjeçarit (MCC), më shkon mendja se si, nëse do të mund të hedhnim një sy në të ardhmen, do të thonim: Po, Kosova…  Kosova është vendi i duhur, ka mu atë lloj të njerëzve që kishim në mendje atëherë kur paramendonim MCC-në.

Jam I bindur se i gjithë ekipi i misionit të Sh.B.A.-ve – përfshirë kolegët e departamenteve të Shtetit, Mbrojtjes dhe Drejtësisë, do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me MCC-në për të ndihmuar në nxitjen e paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Sot është një ditë emocionuese, jo për shkak të asaj që USAID-i dhe MCC-ja po bëjnë për Kosovën, por për shkak të asaj që Kosova po bën për vetveten. Ne do t’u qëndrojmë pranë gjatë gjithë rrugës, por presim gjëra të mëdha nga ju – pothuajse po aq të mëdha sa ato që ju prisni nga vetja.

Urime. Kjo është një dite e jashtëzakonshme dhe e rëndësishme.

Faleminderit.