Kosovaret ngritën zërin kundër dhunës në baza gjinore; Të sigurohemi që viktimat i shohin rezultatet
Shkrim nga e ngarkuara me punë Colleen Hyland për gazetën Koha Ditore, publikuar më: 29 Nëntor 2018.
Ky vit ishte vit i shënuar për gratë në Kosovë. Në shkurt, qeveria amerikane ia ndau Dr. Feride Rushitit Çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme që e jep Sekretari i Shtetit – çmimi i tretë për Kosovën prej shpalljes së pavarësisë. Në maj, për herë të parë, Kosova e kompensoi një viktimë të verifikuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kurse në gusht, kolonelja Taibe Canolli u bë qytetarja e parë e Kosovës që mori çmim për udhëheqje nga Asociacioni Ndërkombëtar i Policeve. Kosova duhet të jetë krenare për këto të arritura. Ato tregojnë se çfarë shoqërie mund të jetë kjo shoqëri kur udhëheqin gratë.
Por, nuk ishin vetëm gratë në role udhëheqëse që patën ndikim të madh këtë vit. Kosovaret nga të gjitha sferat e jetës ngritën zërin si një për të protestuar kundër dhunës në baza gjinore pas një rasti tronditës që ngjau në gusht dhe arritën atë që asnjë zyrtar qeveritar apo pjesëtar i bashkësisë ndërkombëtare nuk e ka arritur: ato nxorrën në pah se dhuna kundër grave ndodh çdo ditë në shtëpi dhe në vend të punës. Gjithmonë e kemi ditur se shumica e rasteve të dhunës në familje – sipas disa vlerësimeve, 90 për qind e tyre – nuk raportohen në Kosovë. Protestuesit na treguan se këto incidente prekin gratë e të gjitha moshave dhe etnive, në qytete, qyteza, fshatra e kudo tjetër. Ato refuzuan të qëndrojnë anash. Ato ia ndërruan kahun bisedës. Dhe ato ia dolën të ndikojnë në këtë çështje: Arrestimet për dhunën në familje u rritën dukshëm pas protestave.
Tani duhet të sigurohemi që mllefi që e pamë në gusht të sjellë ndryshim të qëndrueshëm dhe pozitiv për viktimat dhe viktimat e mundshme. Kjo gjë fillon në komunitetet tuaja. Duhet të rrisim vetëdijesimin në mesin e grave, por edhe të burrave se abuzimi në familje dhe llojet e tjera të dhunës në baza gjinore janë krime. Qytetarët e Kosovës duhet të hedhin poshtë mendimin se dhuna është pjesë e pranueshme ose e pashmangshme e jetës bashkëshortore apo familjare. Viktimat që i raportojnë rastet duhet të ndjejnë që e kanë mbështetjen e publikut dhe të komuniteteve të tyre; të gjithë qytetarët kanë përgjegjësi për të siguruar që raportimi i krimeve nuk sjell ndëshkim apo njollosje. Shumica e rasteve të dhunës në familje nuk janë plotësisht të fshehta. Të gjithë pjesëtarët e shoqërisë duhet të vëzhgojnë për shenja e abuzimit dhe ti raportojnë incidentet kur viktima apo viktima e mundshme e ka të pamundur të flasë vetë.
Tashmë ekzistojnë grupe aktive të këtij lloji të këshillimit personal dhe publik për viktimat. Rrjeti i organizatave të grave rome, ashkalike dhe egjiptase të Kosovës, fitues i një granti nga qeveria amerikane, po mban punëtori në rajonin e Pejës për të drejtat e njeriut dhe dhunën në familje për të nxitur diskutime të sinqerta brenda komuniteteve dhe për të shqyrtuar strategjitë për të punuar me organet e zbatimit të ligjt. Rezultatet janë premtuese: Policia në Pejë ka parë rritje prej 30 për qind të raportimit të rasteve të dhunës në familje prej kur kanë filluar këto intervenime.
Aktorët kryesorë në komunitet duhet të kenë njohurinë dhe resurset për ti identifikuar viktimat e mundshme dhe për të parandaluar abuzimin para se të ndodhë. Duhet të rrisim vetëdijen për dhunën në baza gjinore në mesin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor, zyrtarëve në shkolla, të gjithë punonjësve, duke i lidhur ata me autoritetet vendore dhe duke ua dhënë mjetet për të vërejtur dhe raportuar shenjat e hershme të telasheve. Policia në bashkësi është po aq e rëndësishme për identifikimin e viktimave dhe viktimave të mundshme dhe për ti paralajmëruar kryesit e mundshëm të veprave se autoritetet janë duke i vëzhguar për abuzim. Qeveria amerikane po punon në komuna me Policinë e Kosovës dhe me Ekipet Vepruese për siguri në bashkësi për të siguruar se autoritetet e kuptojnë natyrën kriminale të dhunës në baza gjinore, dinë si ta dallojnë atë, si dhe që janë të fuqizuar për ti mbrojtur viktimat dhe për ti larguar nga rruga kryesit e veprave.
E kur rastet e dhunës në baza gjinore ndodhin, gjyqësori i Kosovës duhet ti trajtojë këto krime me seriozitetin që e meritojnë. Në të kaluarën, autoritetet gjyqësore shpesh i kanë shpërfillur rastet e dhunës në baza gjinore si “çështje familjare” duke u mbështetur në “urdhrat mbrojtës” të pazbatueshëm që bëjnë pak për të mbrojtur viktimat apo për të përfrikësuar kryesit e veprave. Dalngadalë, kjo po ndryshon. Më herët gjatë këtij viti, Gjykata Supreme e Kosovës miratoi udhëzuesin e ri për politikat ndëshkimore që ua mundëson gjyqtarëve t’ju japin kryesve të veprave të dhunës në familje dënime më të rrepta. Tani, gjykatat mund ti trajtojnë viktimat me më ndjeshmëri dhe duke kuptuar se këto krime shpesh shoqërohen me traumë. Qeveria amerikane po bashkëpunon me gjyqësorin e Kosovës për trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të specializuar, duke i ndihmuar ata për të siguruar se kryesit e veprave japin llogari të plotë dhe që procedurat gjyqësore të mos i traumatizojnë më shumë viktimat.
Siç bëjnë shpesh, gratë në gjyqësor po i dalin zot punës. Gjyqtaret në Prishtinë dhe Prizren po sigurojnë që kryesit e veprave të dënohen në përputhje të plotë me ligjin. Prokuroret në disa komuna po hartojnë aktakuza të forta, po punojnë për ti bërë bashkë hisedarët nga e tërë qeveria dhe po e fitojnë besimin e viktimave.
Ka shenja të përparimit edhe në fushat e tjera. Jemi krenarë që po e ndihmojmë Kosovën për tu bërë vendi i parë në rajon që ka program funksional të kompensimit për viktimat e krimeve të dhunshme. Pjesa më e madhe e kompensimit të ndarë prej fillimit të programit në vitin 2017 iu është ndarë viktimave të dhunës në baza gjinore – duke përfshirë edhe për komunitetet pakica të Kosovës. Po ashtu, tani ka filluar të rritet edhe vullneti politik rreth nevojës për trajtim më të mirë të viktimave. Me mbështetjen e qeverisë amerikane, në korrik, anëtaret e Grupit Parlamentar të Deputeteve kanë mbajtur një tryezë të rrumbullakët ku diskutuan për nevojën për të pasur programe rehabilitimi për viktimat.
Suksesi i programit të kompensimit të viktimave, si dhe të arriturat e gjyqtareve dhe prokuroreve të jashtëzakonshme të Kosovës, më bëjnë optimiste që Kosova mund ta tejkalojë sfidën e dhunës në baza gjinore. E përderisa Kosova vazhdon të punojë për ta përmbushur këtë qëllim, është thelbësore që të sigurohemi që kjo çështje të mos anashkalohet si “çështje e grave”, për të siguruar se edhe burrat e kuptojnë natyrën kriminale të dhunës ndaj grave dhe duke i angazhuar edhe ata në çdo nivel të bisedës. Vetëm një përpjekje e përbashkët nga të gjitha nivelet e qeverisë dhe shoqërisë mund ta tejkalojë këtë sfidë. Në gusht kosovaret protestuan duke kërkuar që të ndërmerret veprim kundër dhunës në baza gjinore, e tani ka ardhur koha për rezultate.