Fjala e ambasadorit Delawie në tryezën e rrumbullaktë rreth etikës në biznes dhe korrupsionit

Ambassador Delawie speaking at AmCham Roundtable on Business Ethics and Corruption, September 20, 2016

Ju faleminderit, Arian, për këtë prezantim të përzemërt dhe për mundësinë për të folur edhe një herë para këtij grupi rreth rëndësisë së etikës në biznes dhe përpjekjeve kundër korrupsionit.  Luftimi i korrupsionit është çështje për të cilën brengosem shumë dhe është ndër prioritetet kyçe të qeverisë sime.  Sekretari Kerry e adresoi këtë çështje gjatë vizitës së tij në dhjetor të vitit të kaluar, kurse së voni edhe nënpresidenti Biden e trajtoi këtë çështje në mënyrë shumë personale kur ishte në Kosovë.  Nënpresidenti e sheh sektorin e sundimit të ligjit si trashëgimi kryesore të punës në Kosovë të birit të tij të ndjerë si këshilltar në sektorin e drejtësisë. Gjatë vizitës së tij, ai i nxiti autoritetet kosovare që të ndërmarrin veprim më të ashpër kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kur erdha në Kosovë para një viti, e bëra agjendën se çka shpresoja të arrija gjatë mandatit tim këtu.  Qëllimet e mia mund të ndahen në tri fusha: forcimi i sundimit të ligjit, rritja e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimi i sigurisë rajonale.  Korrupsioni pengon përmbushjen e secilit prej këtyre qëllimeve.  Në thelb, korrupsioni paraqet pengesë të madhe për demokracinë dhe sundimin e ligjit.  Ul besimin e qytetarëve në sistemin politik, në institucionet e tij dhe në udhëheqësinë – duke nxitur jostabilitetin.  Korrupsioni po ashtu dëmton edhe sigurinë.  Siç ka thënë nënpresidenti Biden: “Korrupsioni dobëson aftësinë e një vendi për tu mbrojtur dhe e bën atë të cenueshëm nga manipulimet prej jashtë”.  Korrupsioni po ashtu edhe gjymton zhvillimin ekonomik sepse ua shterr burimet ekonomike qytetarëve dhe i largon bizneset dhe investimet.  Ryshfeti kufizon investimet amerikane jashtë vendit meqenëse bizneset ballafaqohen me – mesatarisht – 10 për qind kosto më të lartë në vendet me korrupsion endemik.

Nënpresidenti Biden e ka thënë më së miri: “Korrupsioni është kancer që e gërryen çdo shoqëri në të cilën ekziston…  Dhe nëse nuk adresohet, atëherë mundësia që të zvogëlohet shkalla e papunësisë, mundësia e rritjes së standardit të jetesës, mundësia e Kosovës që ta përmbushë potencialin e vetë është e vogël”.  E kur i shqyrtoni tri qëllimet e mia si tërësi, ajo çka njëmend po flas dhe çka vërtetë po përpiqemi ta arrijmë është që Kosova ta përmbushë potencialin e saj të plotë.

Për ta arritur këtë, Shtetet e Bashkuara jo vetëm që po i nxisin udhëheqësit kosovarë për të ndërmarrë hapa të fuqishëm kundër korrupsionit – edhe pse sigurisht që po e bëjmë këtë – por, po investojmë edhe mjaft para dhe përpjekje për ta ndihmuar Kosovën që t’i zhvillojë aftësitë e saj për ta luftuar këtë murtajë.  Në fakt, ne kemi trajnuar pothuajse 1200 profesionistë të sektorit të drejtësisë, si dhe kemi nisur projektin e USAID-it prej 9.3 milionë dollarësh “Fuqizimi i sektorit të drejtësisë”.  Krejt së bashku, gjatë vitit të ardhshëm, qeveria ime do të shpenzojë mbi 12 milionë dollarë në ndihmë zhvillimore dhe ekspertizë të përqendruara në këtë fushë.

Ekipi im dhe unë po ndërmarrim edhe veprime për informim, siç është pjesëmarrja ime në këtë ngjarje.  Veçanërisht jam i lumtur që po marr pjesë në këtë tryezë të rrumbullaktë dhe po e dëgjoj këtë panel dhe të pranishmit sepse ju jeni në vijën e parë të frontit në betejën kundër korrupsionit.  Ju keni përvojë në themelimin dhe udhëheqjen e bizneseve që nxisin zhvillimin ekonomik.  E ma merr mendja që për fat të keq, shumë prej jush keni pasur përvojë të drejtpërdrejtë me problemin e korrupsionit.

Dëshiroj t’i dëgjoj tregimet dhe rekomandimet tuaja cila është mënyra më e mirë për ta trajtuar këtë problem.  Shpresoj që ta mirëprisni ftesën time për të punuar më ngushtë me mua dhe ekipin tim.  Jemi partnerë në këtë betejë kundër korrupsionit.  Është përpjekje që është në interesin më të mirë të bizneseve tuaja, në interesin më të mirë të Kosovës dhe në interesin më të mirë të qeverisë sime.

Ju faleminderit.