Intervista e ambasadorit Kosnett për Radion Kontakt Plus, 29 mars 2019
Radio Kontakt Plus (RKP): Z. Kosnett, fillimisht, mirëdita dhe mirë se vini.
Ambasadori Kosnett (AMB): Ju faleminderit, Jelena. Është kënaqësi që jam këtu në Mitrovicën e Veriut.
RKP: Po flasim për Mitrovicën e Veriut ku çështjet politike gjithmonë janë në plan të parë. Kur pritni vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?
AMB: Nuk mund të jap ndonjë parashikim kur mund të mbahet takimi i ardhshëm zyrtar. Por, dua të them se qeveria ime po punon me intensitet me qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë për ta gjetur mënyrën si të ecim përpara, për ta çuar procesin përpara sa më shpejt që është e mundur. Mendojmë se të dy qeveritë janë të sinqerta që duan ta shohin dialogun duke funksionuar. Qartazi, është bërë pak më e vështirë për të vazhduar, por nuk po humbim shpresën, vetëm duhet ta gjejmë formulën që do të mundësojë kthimin e procesit në binarë.
RKP: A pritni diç e tillë të ndodhë së shpejti apo se ju duhet më shumë kohë, ndoshta disa muaj? A pritni që dialogu të rifillojë p.sh. para pushimeve verore?
AMB: Ajo që kemi thënë ne, qeveria ime, është se mendojmë se 2019-a është viti kur Kosova dhe Serbia duhet ta përmbyllin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e për ta përmbyllur një marrëveshje gjithëpërfshirëse në 2019-n, duhet që të gjithë të kthehen në tryezë dhe ta shohim procesin duke lëvizur sa më shpejt që është e mundur. Nuk dua që procesit t’ia vë ndonjë datë të caktuar.
RKP: Sipas mendimit tuaj, kur do të pezullohet njëmend taksa mbi mallrat serbe dhe boshnjake? A pritni që të pezullohet së shpejti?
AMB: Qeveria ime vazhdon të besojë se pezullimi i taksës përbën hap të rëndësishëm që dialogu të vazhdojë sërish; këtë e kemi thënë shumë herë. Unë mendoj se qeveria në Prishtinë dhe ajo në Beograd e kanë dëshmuar se kanë mënyra që mund ti përdorin si levë kundër njëra-tjetrës, që mund të jenë të forta. Tani duhet që të dy palët të tregojnë se mund të jenë elastike dhe kreative dhe ta nisin procesin sërish. Vazhdojmë që fuqimisht ta nxisim qeverinë në Prishtinë për ta pezulluar taksën, si dhe ka hapa konstruktivë që duam që të dy palët ti ndërmarrin. Unë mendoj se është e rëndësishme që ti kthejmë të gjithë në tavolinën e bisedimeve dhe ti diskutojnë një varg çështjesh që i ndajnë Kosovën dhe Serbinë.
Gjithashtu, jam i vetëdijshëm, pasi që kalova ditën këtu në Mitrovicën e Veriut, se njerëzit që vuajnë më së shumti janë njerëzit në terren. Prijësit politikë në Prishtinë e Beograd do të angazhohen në proceset e tyre – do ta kenë politikën e tyre – por është me rëndësi që njerëzit ta dinë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës brengosen për sigurinë dhe qetësinë e tyre dhe për përparimin e pjesëtarëve të bashkësisë serbe në Kosovë, si në veri, po ashtu edhe në jug dhe mendojmë se njerëzit që do të përfitojnë më së shumti nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse janë pjesëtarët e bashkësisë serbe këtu.
RKP: Kemi dëgjuar shumë porosi nga qeveria amerikane dhe nga BE-ja duke ia kërkuar Prishtinës tërheqjen e vendimit të saj për tarifën, por kjo s’ka ndodhur deri tani. Kur kemi të bëjmë me qeverinë amerikane, a ka durimi juaj ndonjë kufi?
AMB: Durimi ynë gjithmonë ka kufij. Njëra ndër pikat që ua kemi shprehur të dy qeverive, në Prishtinë dhe në Beograd është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për ta mbështetur procesin. Siç dihet anembanë, Presidenti Trump iu ka shkruar Presidentit Thaçi dhe Presidentit Vuçiq për të theksuar se qeveria e SHBA-së është e përkushtuar thellësisht ndaj procesit. Nëse qeveritë nuk kanë gatishmëri për të ecur përpara në afat të shkurtë kohor dhe thonë: “Do të jemi gati pas disa vitesh”, nuk mund të garantoj që Uashingtoni do të jetë po aq i përkushtuar në të ardhmen siç jemi tani.
Më lejoni të shtoj edhe këtë: I kam parë dy mënyra të përshkrimit në shtypin në Kosovë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Njëri përshkrim është: “Ua, marrëdhëniet janë të tmerrshme, amerikanët po na bëjnë trysni, si mund ta bëjnë këtë”? Mendoj se është plotësisht e natyrshme që edhe vendet që janë të lidhura ngushtë të mos pajtohen për politika. Kjo është normale mes miqve, por nuk do të thotë që marrëdhëniet janë prishur. Përshkrimi tjetër është i vetëkënaqësisë. Njerëzit që thonë: “paj, amerikanët na duan aq shumë sa që mund të jemi të sigurtë që përgjithmonë do të kemi të njëjtin nivel të mbështetjes politike, ekonomike, partneritetit për siguri dhe ne në Kosovë nuk kemi nevojë të bëjmë thuaja asgjë për ta mbajtur atë marrëdhënie”. As kjo nuk është e vërtetë dhe sinqerisht, ky është përshkrimi më i rrezikshëm. Besoj se çdo ditë që kalon e që Serbia dhe Kosova nuk e gjejnë mënyrën për të shkuar përpara dhe pa e arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do ti shërbente nevojave të të gjitha bashkësive, të popullit të të dy vendeve – çdo ditë që kalon pa i adresuar këto probleme është mundësi e humbur dhe ditë ku gjithmonë ka rrezik që marrëdhëniet të përkeqësohen. Nuk besoj se ka njeri në cilëndo qeveri që po thurin komplot për ndonjë provokim apo incident të sigurisë. Mendoj se është me rëndësi që dëgjuesit tuaj ta dinë këtë sepse e di që njerëzit shqetësohen për këtë gjë. Por, të jemi të hapur, nganjëherë problemet e sigurisë shfaqen spontanisht, nga veprimet e individëve.
Njëri ndër takimet e sotshme ishte me Policinë e Kosovës, përfshirë edhe drejtorin rajonal këtu, me policë nga Bashkimi Evropian, nga EULEX-i, si dhe me KFOR-in për të folur për gjendjen e sigurisë. Besoj se të gjitha këto institucione po punojnë me mund për ti ruajtur njerëzit në veri të Kosovës. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetike që të vazhdojmë të shohim siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës – këtu përfshihet edhe komuniteti serb. Përkitazi me këtë, ka pasur thirrje, ka pasur sugjerime që pjesëtarët serbë duhet të largohen nga policia, të largohen nga institucionet e drejtësisë, në përgjithësi të largohen nga të gjitha institucionet. Njëri prej takimeve ishte me prijësit e Listës serbe dhe ju thashë, ashtu siç e kam thënë publikisht se ne mendojmë se diç e tillë do të ishte gabim i madh. Ne mendojmë se pikërisht komuniteti serb do të vuante më së shumti nga largimi prej institucioneve.
Më lejoni të shtoj edhe diçka këtu. Në vendin tim, si dhe në vendet e tjera ku kam jetuar, kam parë situata kur policia apo ushtarët – forcat e sigurisë – nuk e përfaqësojnë komunitetin. Mendoj se është shumë me rëndësi që kur pjesëtarët e një komuniteti pakicë të shohin policinë, të thonë: këta janë njerëzit e mi, e flasin gjuhën time, janë këtu për të më mbrojtur. Ata nuk janë forcë okupuese. Mendoj se përderisa vazhdojmë të punojmë për ti çuar përpara proceset politike – procesin e dialogut – është me rëndësi që qeveritë dhe hisedarët e tjerë të mos ndërmarrin ndonjë hap që do të rrisë tensionet. Kjo vlen për qeverinë në Prishtinë, për qeverinë në Beograd, por edhe për institucionet dhe organizatat tjera.
RKP: Cila zgjidhje nuk është e pranueshme për SHBA kur kemi të bëjmë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
AMB: Ajo që kemi thënë është se nuk kemi vija të kuqe e as nuk po shkruajmë çek të zbrazët. Më lejoni ti shpjegoj ato shprehje. Si negociator që jam, nuk dua të hyj në negociata kur shumë njerëz më thonë për çka nuk mund të flas. Mendojmë se nëse Uashingtoni, Brukseli, Londra, Berlini, Parisi iu thonë negociatorëve: nuk mund të flisni për këtë apo atë, atëherë kjo e bën shumë të vështirë për të pasur diskutime të gamës së gjerë. Kjo është ajo çka mendoj kur them ‘vija të kuqe’. Ne po themi: flisni për çka do që dëshironi të flisni. Kur themi ‘çek të zbrazët’, kjo do të thotë se duam të shohim me çfarë idesh, çfarë zgjidhjesh dalin negociatorët nga Kosova dhe Serbia dhe pastaj do të shohim çka mendojmë për to. Sigurisht, nëse Kosova dhe Serbia janë në gjendje që ta përkufizojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i përmbush nevojat e popullit të të dy vendeve – që është e qëndrueshme – atëherë, kjo do të ishte e arritur e madhe dhe ne do të duam ta mbështesim atë. Edhe një pikë që dua ta theksoj: nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të përgëzojnë të gjithë dhe të largohen. Do të vazhdojmë të angazhohemi në proces për tu siguruar që njerëzit përmbushin premtimet e tyre dhe që procesi zbatohet, sepse një marrëveshje nuk merr fund me nënshkrimin në një copë letre. Atëherë fillon ajo.
RKP: Nëse po flasim për zgjidhjet, të gjithë i dimë shumë mirë qëndrimet e Beogradit dhe Prishtinës. Prishtina mban qëndrimin se Beogradi, Serbia, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës e të tjera. E qëndrimi i Beogradit është për të folur për çdo gjë përveç pavarësisë së Kosovës dhe e konsideron Kosovën si pjesë të Serbisë. A shihni njëmend se ka mundësi të ndonjë kompromisi me këto qëndrime krejtësisht të kundërta?
AMB: Po, shoh. Mendoj se kompromisi është i mundshëm dhe i domosdoshëm…
RKP: Në çfarë mënyrë… kompromisi?
AMB: … Po të ishte i lehtë, tashmë do të ishte arritur. Nuk po iu sugjerojmë njerëzve që vetëm ti mbajnë një apo dy takime dhe ti zgjidhin të gjitha problemet. Nuk do të sugjeroj se si duhet të duket ai kompromis. Edhe njëherë, kjo është detyrë e negociatorëve nga palët, pra nga Kosova dhe Serbia. Mendoj se është me rëndësi, duke folur si ambasador në Kosovë, që ekipi negociator i Kosovës të përfaqësojë një varg të gjerë të pikëpamjeve, mendimeve nga i gjithë populli i Kosovës. Për këtë arsye qeveria ime i ka nxitur partitë opozitare, që po qëndrojnë në distancë, që të angazhohen në këtë proces. Edhe nëse nuk janë të gatshme për t’iu bashkuar delegacionit shtetëror, ato do të duhej të flasin me delegacionin shtetëror dhe të sigurohen që ai delegacion i kupton nevojat e njerëzve që ato parti i përfaqësojnë – këtu përfshihet edhe Lista Serbe. Mendoj se është me rëndësi për të gjitha partitë opozitare që të jenë pjesë e procesit, jo vetëm që të rrinë mënjanë dhe të kritikojnë sepse këtu e kemi këtë mundësi të rrallë sepse edhe Shtetet e Bashkuara edhe Bashkimi Evropian janë shumë të përkushtuara. Nuk e di sa do të qëndrojë hapur kjo mundësi. Ky nuk është ndonjë kërcënim – është thjesht realiteti sepse mendojmë se planetët janë të radhitura asisoj, që ekzistojnë kushtet për të ecur përpara dhe nuk duam që ta humbasim këtë mundësi.
RKP: Serbët në Mitrovicën e Veriut frikësohen se mund të mbesin pa komunën e tyre. I frikësohen dhunës, humbjes së vendeve të punës në Trepçë, humbjes së universitetit. Sa është e arsyeshme kjo frikë?
AMB: E kuptoj se ka ankth për këtë. Mendoj se njerëzit duhet të qetësohen, të relaksohen sepse mendoj se është me rëndësi që të gjithë të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme. Kur them ‘të gjithë’, sërish, mendoj qeveritë. Do t’ju bënim thirrje qeverisë në Prishtinë, si dhe qeverisë në Beograd që të mos ndërmarrin masa tjera që do ta ndërlikonin edhe më shumë këtë. E di po ashtu se është folur për ndonjë bashkim të Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Nuk mendojmë se biseda tani për këtë është konstruktive apo produktive dhe kjo është diçka që nuk do ta shihnim si të pranueshme jashtë kontekstit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kur e them këtë, dëshiroj ta theksoj sërish se iu takon popujve të Kosovës dhe Serbisë për të vendosur si do të ecet përpara – nuk po e shkruajmë skenarin, nuk po themi si duhet të duket rezultati i fundit; vetëm po themi që njerëzit duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të fillojnë të punojnë për këtë.
RKP: Dhe në fund, sot e vizituat Mitrovicën e Veriut. Thatë që keni pasur takime me forcat e sigurisë, me përfaqësuesit e Listës Serbe. Me ke tjetër jeni takuar dhe cili ishte qëllimi i vizitës suaj këtu? Ndoshta disa konkluzione.
AMB: Qëllimi kryesor i vizitës sime sot, përndryshe ky nuk është udhëtimi im i parë në Mitrovicën e Veriut, ishte të flas për gjendjen e sigurisë. Për të theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara ndaj sigurisë së popullit këtu dhe që do të punojmë me qeveritë, do të punojmë me forcat e sigurisë, do të punojmë me udhëheqësit politikë, për tu përpjekur për ta ulur temperaturën. Gjithashtu, për të nxitur të tjerët për të mos marrë masa të rrepta, të cilat do të jetë vështirë të kthehen prapa ose që do ti lëndojnë njerëzit këtu në terren. U takova me forcat e sigurisë, u takova me udhëheqësinë politike. Po ashtu, u takuam edhe me disa vëzhgues politikë e gazetarë për të marrë një këndvështrim të ndryshëm.
E në një temë krejt tjetër, u takova me një OJQ që punon me njerëzit me aftësi të kufizuara dhe njëra ndër pyetjet që ua shtrova të pranishmëve ishte se a punonin me OJQ-të përkatëse nga komuniteti shumicë. Më erdhi mirë që dëgjova që u përgjigjën po. E përmendi këtë sepse shpenzojmë shumë energji për ti shtyrë qeveritë që të flasin me njëra-tjetrën, por është me rëndësi që edhe njerëzit nga shoqëria civile, bota akademike, OJQ-të, të flasin me të tjerët përtej vijave etnike, përtej kufijve ndërkombëtarë. Njerëzit këtu përballen me shumë probleme, të cilat nuk mund të zgjidhen vetëm nga qeveritë. E kam parë se kur pjesëtarët e pakicës dhe të shumicës takohen dhe përpiqen të gjejnë mënyra për ti zgjidhur problemet bashkërisht atëherë mund të arrijmë përparim.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shoqëri shumetnike dhe shumë-fetare. Kjo është diçka që duam ta ndajmë me Kosovën. Shpesh e kam thënë se nuk do të mund ta paramendoja se si do të dukej Kosova pa pakicat e saj, pa pjesëtarë të feve të ndryshme që jetojnë këtu. Mendoj se do të ishte vend mjaft shterpë. Mendoj se e ardhmja e serbëve të Kosovës duhet të jetë në Kosovë dhe si përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund t’ju them se do të vazhdojmë të punojmë me mund për tu siguruar që të gjithë kanë të ardhme në këtë vend.
RKP: Mysafiri juaj dhe imi sot ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett. Ambasador Kosnett, ju faleminderit shumë për kohën tuaj.
AMB: Ju faleminderit shumë!