Konferencë rajonale “Qasja në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”

Fjala e z-njës Hyland, zëvendës-shefe e misionit, Gjatë konferencës rajonale“Qasja në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, 10 dhjetor 2018

Mirëmëngjesi. Ju faleminderit, Ministër Tahiri  dhe zëvendës-ministër  Qelaj për mundësinë për të marrë pjesë në këtë konferencë rajonale për dhunën në familje.  Kryeministër Haradinaj, ambasadorë, ambasadore Apostolova, mysafirë të pranishëm këtu, vizitorë të nderuar dhe pjesëmarrës, me të vërtetë jam e lumtur që sërish kam rastin të flas se si ti gjejmë mënyrat për ta ndalur dhunën në familje.

Ne në ambasadën amerikane kemi punuar vazhdimisht me palën kosovare në përmirësimin e trajtimit të viktimave të dhunës në familje.  Disa prej përpjekjeve tona të përbashkëta përfshijnë një doracak për gjyqtarë e prokurorë të hartuar nga OPDAT-i dhe Forumi i Gjyqtareve dhe Prokuroreve për të inkurajuar trajtim të njëtrajtshëm e pro-aktiv të urdhrave mbrojtës dhe të rasteve penale të dhunës në familje. OPDAT-i ka punuar me Këshillin Prokurorial të Kosovës për të hartuar dhe trajnuar prokurorë të specializuar për tu marrë me rastet e dhunës në familje.  Po ashtu, ambasada amerikane po punon me Akademinë e Drejtësisë të Kosovës dhe me Këshillin për t’iu ndihmuar gjyqtarëve dhe prokurorëve që të ndërtojnë qasje ku viktimat e dhunës në familje janë në qendër. Kjo është pjesë e punës sonë të vazhdueshme me institucionet e Kosovës për ta luftuar dhunën në familje.

Të gjithë e dimë se dhuna në familje shpesh është temë tabu.  Por, sa më shumë që flasim për dhunën në familje dhe e nxjerrim atë në dritë, sa më pak që kjo temë mbetet tabu, aq më lehtë do të jetë ti japim fund asaj.  E me këtë në mendje, të gjithë duhet të përpiqemi që t’iu japim viktimave hapësirë për ti rrëfyer ngjarjet e tyre. Sepse duke ua mundësuar që të shprehen, i lejojmë edhe që të kërkojnë ndihmë. Po ashtu, ju jep mundësi hisedarëve të shtetit dhe ofruesve të shërbimeve për t’iu ndihmuar viktimave.  Siç e dëgjuam ambasadoren Apostolova, luftimi i dhunës në familje në Kosovë përbëhet prej shumë elementeve, duke filluar nga qeveria, komunat, shoqëria civile, bashkësitë e deri te vetë individi.  Dhe duke iu dhënë zë viktimave, mund t’ju themi abuzuesve se sjellja e tyre është e papranueshme.

Kam dëgjuar shumë rrëfime për policë, prokurorë e madje edhe gjyqtarë që i shkurajojnë viktimat që të mos e ngrenë zërin.  Ata e trajtojnë abuzimin si turp për viktimën që pasqyrohet keq në familje dhe bashkësi.  Kjo qasje nuk iu ndihmon viktimave.  Në fakt, kjo pasqyron viktimizim të mëtejshëm dhe ua mundëson, madje edhe i mbron abuzuesit, të cilët vazhdojnë të abuzojnë.  Qartazi që nuk shtyn askënd më afër drejtësisë.

Pyetjet që njëmend do të duhej të shtrohen janë: “Çka do të mendojnë njerëzit nëse e kuptojnë se e kam kthyer prapa një viktimë kur ajo ka kërkuar ndihmë?  Si do të pasqyrohet kjo në qytetin, në fshatin dhe njerëzit tanë nëse lejoj që ky abuzim të vazhdojë”?

Prandaj, duhet ta pyesim veten: “Çfarë personi dua të bëhem?  Çfarë të ardhme dua për Kosovën apo për vendin tim? Si mund ti nxis viktimat për të kërkuar ndihmë”?

Ta pyesim veten: “A jam person që mundëson abuzimin apo a jam person që i mbron të abuzuarit”?

E  di se të gjithë ju dëshironi që të jeni mbrojtës. Të gjithë duam të gjejmë mënyra për ti fuqizuar viktimat. Të gjithë keni mundësinë për t’ju dhënë viktimave gjërat që ua mundëson ligji për të marrë mbrojtjen që ju duhet dhe që e meritojnë.  Vitin e ardhshëm, shpresoj që të gjithë do të kemi mundësinë të tregojmë ngjarje se si sistemi ka funksionuar për ti mbrojtur viktimat dhe se si Kosova është vend i gatshëm për tu përballur me problem, si dhe që është vend që nuk e toleron dhunën në familje.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe për mundësinë për të folur sot.