Konferencë për të drejtat e njeriut dhe integrimin e grupeve të margjinalizuara në Kosovë

Fjala e zonjës Colleen Hyland, E ngarkuar me punë në ambasadën amerikane, në konferencën për të drejtat e njeriut dhe integrimin e grupeve të margjinalizuara në Kosovë, 8 dhjetor 2016

Mirëmëngjesi President Thaçi.  Ju faleminderit që po e ngritni zërin për përfshirjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës.  Kam nderin që jam bashkë me ju në ngjarjen e titulluar “Të ngritesh për të drejtat e dikujt tjetër sot”, që është tema e OKB-së me rastin e Ditës për të Drejtat të Njeriut.

Në veçanti i shprehim mirënjohje partnerëve tanë në ATRC, si zbatues të programit të USAID-it Angazhimi për barazi, i cili përqendrohet në fuqizimin e grupeve të margjinalizuara në Kosovë, të cilët e organizuan edhe ngjarjen e sotme.

Po ashtu, më lejoni t’ju urojmë mirëseardhje të ngrohtë të gjithë përkrahësve të të drejtave të njeriut.

Departamenti i Shtetit po ashtu e shënon Javën për të Drejtat e Njeriut, e tema e sotshme është Demokracia për të gjithë – avancimi i demokracisë përfshirëse.  Gjithëpërfshirja është më shumë se vetëm e drejtë shoqërore, ka të bëjë me drejtësinë dhe barazinë për gra, pakica, persona me paaftësi, si dhe për komunitetin LGBTI – që të gjitha këto grupe përballen me pengesa dhe paragjykime shoqërore dhe zyrtare, përfshirë sa i përket banimit, arsimimit, punësimit dhe kujdesit mjekësor.

Përfshirja po ashtu nënkupton të drejtën për të besuar.  Dëshiroj ta shfrytëzoj rastin për ta shprehur përkrahjen për projektligjin për Liri Fetare, që është hartuar në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut dhe i cili tashmë është në Kuvend.  Ky ligj i mbështet të drejtat e njeriut.

E dimë po ashtu se e ardhmja e Kosovës, aftësia e saj për tu zhvilluar ekonomikisht, për të arritur integrim të mëtejmë evro-atlantik, për luftimin e korrupsionit, si dhe për avancimin në shumë fusha të tjera, do të kërkojë përpjekje të të gjithë qytetarëve.  Shkurt, nuk mund t’ia lejoni vetes ta lini dikë prapa.

E dimë se nga integrimi i plotë i grupeve të margjinalizuara do të përfitojnë jo vetëm grupet e margjinalizuara, por shoqëria në tërësi.  E kemi parë sa e sa herë se vendet e ndryshme i përmbushin qëllimet e tyre më së miri kur e kanë pjesëmarrjen e tërë spektrit.

I përgëzoj shumë prej të pranishmëve që i janë përkushtuar përparimit të të drejtave të njeriut në Kosovë.  Kam shërbyer në Kosovë gjatë shpalljes së pavarësisë dhe po e shoh me sytë e mi sa shumë ka përparuar ky vend.

Këtë vit, për vitin e tretë me radhë, grupet e shoqërisë civile të LGBTI-së organizuan marshin me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë dhe rreth 250 veta, përfshirë edhe Presidentin Thaçi dhe ambasadorin Delawie, marshuan nëpër rrugën kryesore të Prishtinës.  Shpresojmë se Grupi këshilldhënës dhe koordinues do ta përfundojë Planin e Veprimit për të drejtat LGBTI.

Kohëve të fundit, Komisioni Qendror Zgjedhor krijoi një platformë të hartës digjitale që ua mundëson personave me paaftësi për tu informuar rreth vendndodhjes së qendrave të votimit dhe për të zgjedhur qendrën më të përshtatshme për ta.  Kjo nismë e shkëlqyeshme siguron të drejtën themelore për të votuar, si dhe përfshirjen shoqërore.  Kosova ka miratuar strategjinë për persona me paaftësi, si dhe ka miratuar Ligjin për të drejtat e personave me paraplegji dhe tetraplegji.  Sfidat, megjithatë, mbesin.  Personat me paaftësi ende nuk kanë qasje në shumë shkolla, gjykata dhe vendet e tyre të punës për shkak se strategjia dhe ligji duhet të zbatohen nga qeveria.

Kosova ka arritur përparim të hatashëm, por vetëm ligjet e mira nuk mjaftojnë.  Çdo komunitet duhet të vendosë se thjeshtë nuk është e pranueshme që fqinjtë e tyre të përjashttohen, të lihen anash rrjedhave.

Këtu në shtetin më të ri të Evropës, ku më shumë se gjysma e popullatës është nën moshën 25 vjeçare, konferenca e sotshme nënkupton thirrje për veprim.  Duhet të punohet edhe më shumë për tu siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës i kanë mundësitë dhe fuqizohen për të ndikuar në ndryshimin e komuniteteve të tyre.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që janë partnere tuaja për këto çështje dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Kosovës dhe përkrah juve që jeni këtu sot për avancimin e të drejtave të njeriut.

Urime të gjithëve për punën tuaj të palodhshme për tu siguruar që Kosova mund ta zhvillojë dhe ta shfrytëzojë potencialin e tërë shoqërisë, si dhe që Kosova paraqet një shoqëri ku dëgjohet zëri i të gjithëve.

Ju faleminderit!