President Thaçi, Ministre Hoxha, zoti Isufaj, gjyqtarë dhe prokurorë, kolegë të korit diplomatik dhe mysafirë të nderur. Mirëmëngjesi. Kjo është ngjarje e rëndësishme vjetore për Kosovën, të cilën ambasada amerikane e ka mbështetur fuqishëm qysh prej fillimit të saj para shtatë viteve.
Prej ardhjes në Kosovë, kam kaluar shumë kohë duke folur për luftën kundër korrupsionit. E kam nxitur qeverinë e Kosovës dhe gjyqësorin për të zbatuar programe që e parandalojnë atë; për të rritur transparencën, për t’i ndëshkuar ata që kërcënojnë të ardhmen e Kosovës dhe mundësitë e saj për integrim evropian. Shumica e këtyre përpjekjeve përqendrohen në parandalimin e korrupsionit para se të ndodhë. Përderisa është shumë me rëndësi për ta bërë këtë, e vërteta është se është e pamundur për ta eliminuar krimin plotësisht – krime do të ndodhin. E kur të ndodhin, është me rëndësi që përderisa nxitojmë për ta gjetur dhe ndjekur kryesin e veprës, për ta bërë shoqërinë të sigurtë, viktima të mos harrohet.
Pas ndodhisë së krimit, vjen tronditja dhe shkatërrimi, trauma dhe frika. Ka paqartësi rreth asaj se çka po ndodh tani, si dhe çka do të ndodhë në të ardhmen. Por, ekziston rruga për ndihmë, shpresë dhe kurim që shtrohet sa herë që dikush e shtrin dorën për ta ndihmuar një viktimë të krimit dhe për t’i ofruar përkrahje dikujt që vuan. Nëse i pyetni dhjetë veta në rrugë se çka nënkupton drejtësia për ta, ka gjasa t’i merrni dhjetë përgjigje të ndryshme. Por, nëse i pyetni dhjetë viktima të krimit çka nënkupton drejtësia për ta, vë bast se do të merrni përgjigje shumë të ngjashme. Për viktimat dhe të mbijetuarit e krimit, drejtësia thjesht do të thotë që të trajtohen me respekt, që dikush njëmend i dëgjon dhe ua vë veshin, si dhe që zëri i tyre do të dëgjohet në vendimet jetike që merren për rastin, si dhe për jetën e tyre.
Kosova ka bërë përparim rrënjësor për tu siguruar që këto nevoja plotësohen dhe e ka demonstruar se prin në rajon për këto çështje – shembull që duhet ta aspirojnë edhe të tjerët. Jemi krenarë që i kemi mbështetur Mbrojtësit e viktimave nga Zyra e Prokurorit për tu bërë zë efikas dhe mekanizëm mbështetës për viktimat përderisa ato i negociojnë çështjet e ndërlikuara të sistemit të drejtësisë. Mbrojtësit janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për të garantuar që nevojat e viktimave plotësohen si jashtë sallës së gjykatës, po ashtu edhe brenda saj. Jemi krenarë që e kemi mbështetur legjislacionin me të cilin themelohet Fondi për kompensimin e viktimave, i paraparë për t’iu ofruar viktimave ndihmë financiare. Kur sigurohemi që viktimat kompensohen, me çka iu ndihmohet atyre për t’i paguar shpenzimet për trajtim shëndetësor ose për t’i tejkaluar humbjet financiare që iu shkaktohen për shkak të krimit, në fund të fundit sigurohemi që ato nuk do të viktimizohen për herë të dytë. Kjo gjë ndihmon shumë drejt rikthimit të një lloj ndjenjeje të normalitetit në jetën e tyre dhe mundëson nisjen e procesit të kurimit.
I nxis institucionet qeveritare që në mënyrë agresive të ecin drejt finalizimit të krijimit të kësaj zyreje, që ajo të fillojë procesimin e kërkesave për t’iu ndihmuar atyre që dëshpërimisht kanë nevojë – për ta filluar procesin e shërimit, e duke e bërë këtë, edhe atë të drejtësisë.
Këtë javë, të gjithë ne i nderojmë viktimat e krimit dhe të gjithë ata – përfshirë shumë prej jush – që e përkushtojnë jetën për t’iu ndihmuar atyre. Sfida jonë e përbashkët është që ta kuptojmë se nuk arrihet drejtësia nëse nuk ka drejtësi për viktimat e krimit dhe se nuk arrihet drejtësia deri atëherë kur të drejtat e viktimave të krimit nuk kremtohen vetëm një herë në vit, por realizohen çdo ditë.
Ju faleminderit.