Konferenca rajonale për trajnime të specializuara të policisë

Fjala e z-njës Colleen Hyland, zëvendës-shefe e misionit në ambasadën amerikane, gjatë ceremonisë përmbyllëse të konferencës rajonale për trajnime të specializuara të policisë, 15 qershor 2017

Mirëdita.  Kam kënaqësinë që jam këtu në përmbyllje të konferencës triditore rajonale për trajnime të specializuara të policisë.  Më vjen shumë mirë që po shoh gjithë këtë bashkëpunim dhe përfaqësim të mirë nga gjashtë vende të rajonit.  Kam dëgjuar se keni vënë kontakte shumë të mira gjatë disa viteve të fundit që kanë sjellë mbajtjen e një vargu konferencash.  Na vjen tepër mirë që po shohim që diçka që dikur ishte koncept i ri, tani është bërë traditë.

Mjedisi i sigurtë dhe të qetë është përbërësi kyç për përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve.  Për ta ofruar këtë, agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të hartojnë trajnime të specializuara dhe vazhdimisht t’i edukojnë oficerët e policisë për ta luftuar krimin dhe për të ofruar siguri për shoqërinë.  Besoj se marrëdhëniet që i keni vënë këtu do t’ju ndihmojnë shumë në adresimin e sfidave të ardhshme, kurse shkëmbimi i praktikave më të mira do t’ju ndihmojë në identifikimin dhe planifikimin më të mirë të programeve të trajnimit në agjencitë tuaja të zbatimit të ligjit.  Shpresoj se do të vazhdoni t’i ushqeni këto lidhje rrjete që i keni vënë gjatë kësaj konference dhe që do të vazhdoni të punoni ngushtë edhe në të ardhmen.

Po i përjetojmë disa prej sfidave më të mëdha që i kemi përjetuar ndonjëherë në fushën e zbatimin e ligjit në rajon.  Krimi i organizuar, korrupsioni dhe ekstremizmi i dhunshëm përbëjnë kërcënime serioze për rajonin.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës fuqishëm e mbështesin punën tuaj për luftimin e këtye kërcënimeve dhe për forcimin e sundimit të ligjit përmes një vargu veglash, duke përfshirë edhe trajnimet e specializuara për reaguesit e parë nga forcat e zbatimit të ligjit.

Mbajeni në mend, ju të gjithë jeni shërbyesë publikë dhe shembull.  Zbatoni parimet më të mira të udhëheqjes dhe menaxhimit gjatë zhvillimit të planeve tuaja strategjike për trajnim që ju dhe drejtoria juaj të bëheni shembull pozitiv për të tjerët.  Mendoni në afat të gjatë gjatë planifikimit të trajnimit të specializuar.  Trajnohuni dhe përgatituni për të tashmen, por ndoshta ç’është edhe më e rëndësishme, trajnoni oficerët për sfidat me të cilat do të përballen nesër.  Puna që e bëni në përgatitjen e oficerëve do të jetë për të mirën e institucioneve, komuniteteve dhe vendeve tuaja për shumë vite që do të vijnë.

Ju përgëzoj për punën tuaj gjatë kësaj konference.  Jam e lumtur që po shoh këtë bashkëpunim kaq të mirë rajonal dhe ju nxis të bëni ndryshim çdo ditë.  Ju përgëzoj për pranimin e sfidave me të cilat përballeni çdo ditë në profesionin tuaj shumë të vështirë dhe të rrezikshëm.  Ju uroj suksese të vazhdueshme në karrierë.  Ju uroj shëndet dhe ju faleminderit.