Konferenca rajonale e gjyqtareve dhe prokuroreve

Fjala e ambasadorit Delawie në Konferencën rajonale të gjyqtareve dhe prokuroreve, 20 maj 2017

Mirëmëngjesi.  Kryesuese Morina, z-nja Emra, mysafirë të nderuar, ju faleminderit shumë për ftesën për t’i çelur punimet e ditës së dytë të kësaj konference.  Kjo është ngjarje e pabesueshme, veçanërisht sepse kjo është hera e parë që një konferencë e tillë rajonale për gjyqtare dhe prokurore po mbahet në Ballkan.  Jam me të vërtetë i lumtur që po shoh gjyqtare dhe prokurore nga Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Rumania.

Gratë nuk kanë pasur gjithmonë zë dhe rol të rëndësishëm në Ballkan dhe ju e dini këtë shumë më mirë se unë.  Për fat të mirë, kjo po ndryshon.  Konferencat si kjo ilustrojnë faktin se sa shumë ka ecur përpara Ballkani, edhe pse natyrisht mbetet edhe shumë punë.  Të gjitha ju përballeni me çështje që i tejkalojnë politikat që ju ndajnë në vende të ndryshme dhe kjo është mundësi e shkëlqyeshme për t’i diskutuar gjërat e përbashkëta në punën tuaj dhe për t’i hulumtuar mënyrat për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballeni në profesionin tuaj.  Kjo konferencë paraqet edhe një rast për të gjetur mënyra për të përparuar edhe më shumë.  Keni parë më shumë emërime të gjyqtareve dhe prokuroreve.  Kroacia, Maqedonia dhe Rumania në mënyrë luftarake kanë emëruar gra në pozitat e rëndësishme për luftimin e korrupsionit.  Këtu në Kosovë, Gjykata Kushtetuese udhëhiqet nga një grua.  Si pjesëtare të sistemit të drejtësisë, ju duhet të jeni ato që iu prini këtyre ndryshimeve dhe rishikimit të ligjeve.  Prania juaj në sistemin e drejtësisë promovon llojshmërinë.  E kur anëtarësia e sistemit të drejtësisë është e larmishme, sundimi i ligjit funksionon më mirë për tërë popullin.

Prej krijimit të Forumit të gjyqtareve dhe prokuroreve, ka pasur rritje të rëndësishme të numrit të grave që shërbejnë në këshillin prokurorial dhe atë gjyqësor.  Prania e shtuar e grave në këtë organe të rëndësishme vendim-marrëse është thelbësore sepse ua mundëson grave ta thonë fjalën e tyre në zhvillimin e profesionit të drejtësisë.  Përveç kësaj, Forumi ka identifikuar problemet rreth mënyrës se si institucionet e drejtësisë të Kosovës i trajtojnë çështjet e dhunës në familje.  Identifikimi i këtyre problemeve ishte vetëm hapi i parë.  Programi i OPDAT-it ka punuar me Forumin në hartimin e doracakut të parë për gjyqtarë dhe prokurorë rreth përmirësimit të trajtimit të rasteve të dhunës në familje.  Si rezultat i kësaj pune ka pasur ndryshime në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.  Kjo rrjedhimisht ka sjellë përmirësime konkrete.  Arsyeja për një ndryshim kaq përfshirës ishte fuqia e vizionit dhe synimit të përbashkët që ua mundësoi profesionisteve në fushën e drejtësisë në Kosovë për të bërë ndryshim pozitiv dhe të qëndrueshëm për të ardhmen.

Pas meje do të flasë Jennifer Clarke, avokate në Sektorin për Integritet Publik të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së.  Ajo do të flasë rreth qasjes amerikane ndaj luftimit të korrupsionit.  Ju nxis t’i dëgjoni këshillat dhe rekomandimet e saj.  Por, gjithashtu duhet të përfitoni nga përvoja kolektive e kolegeve tuaja nga rajoni.  Me një fjalë, shpresoj që kjo konferencë do të shërbejë në përmirësimin e sistemit tuaj të drejtësisë.

Kufinjtë nuk paraqesin pengesë për kriminelët në punën e tyre dhe nuk do të duhej të jenë pengesë as për juve për ta kryer punën tuaj.  Shpresoj se do të lidhni miqësi të reja gjatë kësaj konference.  E di se sot do ta vizitoni lokacionin arkeologjik Ulpiana dhe Prizrenin.  Shpresoj se vizita do t’ju pëlqejë dhe që do ta shfrytëzoni mundësinë për tu njoftuar më mirë me pjesëmarrëset tjera.  Puna e përbashkët është mënyra më e mirë për të siguruar ndryshime pozitive.

Edhe njëherë, ju faleminderit për mundësinë për të folur para jush.  Më vjen shumë mirë që po ju shoh të gjithave këtu dhe shpresoj se kjo konferencë do të jetë jashtëzakonisht e dobishme për të gjithë.