Konferenca për shtyp e z. Wess Mitchell, Ndihmës-sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Prishtinë, 12 mars 2018
Mitchell: Ju faleminderit, President Thaçi për mikpritje dhe pritjen e ngrohtë në Kosovë. Ishte shumë me rëndësi për mua, në vizitën e tim të parë si Ndihmës-sekretar i Shtetit për çështje evropiane dhe evroaziatike, që udhëtimit të parë në Ballkan t’ia filloj këtu në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë marrëdhënie të fuqishme dhe të thella, kanë miqësi shumë të thellë dhe kjo administratë është e përkushtuar për vazhdimin dhe thellimin e kësaj miqësie.
Pata dëshira ta theksoja në ndalesën e parë se Shtetet e Bashkuara janë për një Kosovë sovrane, shumetnike dhe demokratike dhe për tu riangazhuar për mbështetjen e rrugëtimit evroatlantik për Ballkanin Perëndimor.
Dëshiroj t’ju siguroj për rolin tonë të afërt dhe aktiv në vitin që e kemi përpara. Pata rast të mirë që me Presidentin të flisja për bashkëpunimin e ShBA-së me Kosovën në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe energjisë, si dhe në veçanti të shprehja mirënjohjen tonë për bashkëpunimin e ngushtë që e kemi me Kosovën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet për ta mposhtur ISIS-in.
Jam i vetëdijshëm se Kosova së fundmi shënoi dhjetëvjetorin e shtetësisë së saj. Kosova ka arritur shumë gjatë këtyre dhjetë viteve në ndërtimin e institucioneve të besueshme, duke treguar shkallë fenomale të lartë të rritjes ekonomike dhe përparim në transformimin e saj të sigurisë. Kosova duhet të ndërmarë disa hapa tepër të rëndësishëm gjatë këtij viti për të siguruar rrugëtim të vazhdueshëm drejt të ardhmes perëndimore. Folëm për normalizimin dhe rëndësinë që Kosova të qëndrojë ngusht e angazhuar në dialog me Serbinë. Folëm për çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe për rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje si pjesë e shtegtimit drejt liberalizimit të vizave. Folëm për transformimin e sigurisë dhe që të sigurohet mbështetje prej të gjitha palëve dhe komuniteteve për ndryshim kushtetues, si dhe ia nënvizova presidentit dhe do ta them këtë edhe këtu: askush nuk ka veto për sigurinë e Kosovës. Si dhe folëm për sundimin e ligjit dhe rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit për të siguruar të ardhme demokratike dhe rritje ekonomike për Kosovën. Në të gjitha këto fusha, Kosova mund ta zgjedhë vetë të ardhmen e vet, por dëshiroj t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë punuar dhe do të vazhdojnë të punojnë përkrah Kosovës në çdo hap.
Pra, edhe njëherë, president Thaçi, ju faleminderit për mikpritje. Jam shumë i lumtur që jam këtu në Kosovë dhe i mirëpres pyetjet tuaja.
Pyetje: Përshëndetje. Jam Arton Mulliqi nga Radiotelevizioni i Kosovës. Kam një pyetje për juve, z. Mitchell. Mediet në Serbi, e po citohen edhe nga mediet në Kosovë kosovare, raportojnë se vizita juaj në vendet e Ballkanit perëndimor, me këtë rast edhe në Serbi, do të prodhojë një takim me presidentin dhe krerët e shtetit serb ku ju do t’ua prezantoni një plan të ri për Kosovën, i cili, sipas raporteve, është plan shtesë nga ajo që është prezantuar nga presidenti Ahtisaari dhe që ka të bëjë me kompetencat shtesë që ju do të propozoni për asociacionin e komunave me shumicë serbe e në këmbim të kësaj Kosova do të lejohet nga Serbia që të kërkojë anëtarësim në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. A është e vërtetë? A ekziston një plan i tillë? A do ta bëni këtë gjatë vizitës në Serbi apo këto janë vetëm raportime të kota?
Mitchell: Ju faleminderit për këtë pyetje. I pashë këto spekulime në rrugë e sipër dhe mendova se kjo ishte gazetari shumë kreative. Mund t’ju them se nuk kam ardhur për të shpalosur asnjë plan specifik. Ajo që kam ardhur është për tu angazhuar me të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë për çështjen e të ardhmes së tyre të përbashkët, për të folur për dialogun, për të folur për shtegtimin perëndimor për të dy vendet dhe për Ballkanin perëndimor dhe pres me kënaqësi të diskutoj për këto çështje këtu dhe në Serbi.
Pyetje: Besnik Tahiri nga Klan Kosova. Z. Mitchell, pyetja e parë: Pak më herët thatë se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë veto sa i përket çështjes së krijimit të armatës së Kosovës. A po flisni për serbët këtu, për politikanët vendorë dhe a do t’ua thoni këtë atyre këtu?
Dhe pyetja e dytë: shkurtimisht, a po shihni rritjes të ndikimit të Rusisë në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, në veri? Ju faleminderit!
Mitchell: Ju faleminderit për këto pyetje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbështetëse e ngushtë e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Do të vazhdojmë ta mbështesim atë transformim në të gjitha nivelet. Mendoj se miqtë tanë në Beograd janë shumë të familjarizuar me qëndrimin amerikan dhe mirëpres mundësinë ta përsëris këtë qëndrim në Beograd.
Sa i përket pyetjes suaj të dytë: Po, po shohim se si Rusia po luan një rol rrënues gjithnjë e më të madh në shumicën e Ballkanit duke shpërndarë desinformata, duke minuar institucionet demokratike dhe kemi qenë të qartë në bisedat tona me rusët se kjo gjë nuk është as në interesin e tyre e as të popujve të këtij rajoni.