Konferenca e katërtë e ambasadorëve “Siguria e Kosovës dhe marrëdhëniet e reja me NATO-n”

Fjala e Ambasadorit Delawie në Konferencën e katërtë  të ambasadorëve “Siguria e Kosovës dhe marrëdhëniet e reja me NATO-n”, 20 dhjetor 2016

Dëshiroj ta falënderoj Ministrin Hoxhaj dhe MPJ-në për organizimin e kësaj konference.  Kam kënaqësinë që jam këtu sot në këtë skenë bashkë me kolegët kaq të nderuar.

Paneli i sesionit të mëngjesit titullohet “Siguria e Kosovës dhe marrëdhëniet e reja me NATO-n”.  Do të flas për çështjen e sigurisë së Kosovës pas disa çastesh, por dëshiroj t’ia filloj fjalës sime duke u përqendruar në marrëdhënien e Kosovës me NATO-n, marrëdhënie kjo që po evoluon dhe po zgjerohet.

E kam kaluar pothuajse tërë karrierën time duke shërbyer në shtete të NATO-s dhe duke punuar në çështje të NATO-s.  E kuptoj çfarë roli të rëndësishëm luan NATO-ja në Evropë dhe e kuptoj rëndësinë që për Kosovën e ka zhvillimi i një marrëdhënie të fuqishme me Aleancën.

Për këtë arsye më erdhi shumë mirë kur pashë letrën – tashmë të përmendur – të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg drejtuar Kryeministrit Mustafa.  Në letrën e tij, Sekretari i Përgjithshëm shpalosi një agjendë të gjerë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Aleancës Veriatlantike.  Ishte përgjigje shumë inkurajuese dhe në veçanti më erdhi mirë se do të kishte më shumë përpjekje të përbashkëta në fushën e mbrojtjes kibernetike, edukimit dhe trajnimit, pjesëmarrjes në ushtrime dhe në diplomacinë publike.

Letra e Sekretarit të Përgjithshëm mundëson bashkëpunimin shtesë, por po ashtu vërteton përparimin e rëndësishëm që Kosova tashmë e ka arritur në radhitjen e vlerave të saj me ato të Aleancës Veriatlantike.  Ajo konfirmon se e ardhmja e Kosovës qëndron fuqimisht në familjen evro-atlantike.  E tash, siç e ka thënë edhe Ministri Hoxhaj, Kosova po kalon nga konsumues i sigurisë në ofrues të sigurisë.

Më duhet ta theksoj, megjithatë, se kalimi në ofrues të sigurisë nuk do të ndodhë brenda natës.  Do të jetë proces i gjatë – i tillë që do të kërkojë kohë dhe përpjekje të konsiderueshme.

Për këtë arsye, më vjen shumë mirë që KFOR-i vazhdon të jetë në këtë vend për të garantuar mjedis të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes.  Është me rëndësi të pranohet sa e rëndësishme është për këtë vend prania e fuqishme e KFOR-it.

KFOR-i është institucion që vlerësohet, mbështetet dhe respektohet si nga shqiptarët, po ashtu edhe nga serbët Kosovës.  E di se kjo gjë nënkuptohet, por shpresoj që ambasadorët e 31 vendeve kontribuese do t’ua theksojnë qeverive të tyre përkatëse çfarë roli të rëndësishëm luajnë trupat e tyre në këtë vend.  Duke iu falënderuar përpjekjeve të tyre, KFOR-i vazhdon të shërbejë si forcë stabilizuese në Kosovë dhe në tërë rajonin.

Por, do të vijë dita kur situata politike dhe e sigurisë në këtë vend do të jetë aq e mirë sa të diskutohet tërheqja e KFOR-it.  Nuk jemi ende në atë pikë, por na duhet të fillojmë që me maturi t’i bëjmë planet e mundshme për atë ditë.

E kjo më sjell në çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.  E kuptoj se kjo është çështje e ndjeshme për disa, por është bisedë e domosdoshme.

Është thelbësore që bashkësia ndërkombëtare ta përkrahë transformimin e rregullt të FSK-së në FAK me mandat të kufizuar të mbrojtjes territoriale, i cili transformim merr parasysh ndjeshmërinë e shqetësimeve rajonale.

Megjithatë, transformimi duhet të bëhet në mënyrë kushtetuese dhe transparente që mund ta fitojë mbështetjen e aleatëve nga NATO-ja.

E di prej kohës kur kam punuar me NATO-n që është vështirë që të gjithë të bëhen me një mendje dhe të arrihet konsensus.  Nuk mund ta tundësh shkopin magjik dhe nuk mund ta marrësh rrugën e shkurtër.  Një çështje kaq e rëndësishme si transformimi duhet të trajtohet në mënyrë të duhur – do të nevojitet dialog, transparencë dhe gatishmëri për kompromis.

E di se ministri Demolli dhe gjenerali Rama, me të cilët po e ndaj këtë skenë sot, po ashtu e kuptojnë se procesi duhet të jetë përfshirës.  Ata e kuptojnë se FAK-u i ardhshëm mund të jetë efikas vetëm nëse e ka përkrahjen e të gjithë qytetarëve.  Për këtë arsye jam shumë i lumtur që po dëgjoj për përpjekjet e tyre për të përfshirë në FSK më shumë anëtarë nga pakicat dhe për të ndërtuar një forcë më të larmishme.

Këto janë pikërisht mentaliteti dhe përpjekjet që duhen që transformimi eventual në FAK të jetë i suksesshëm.

Jam i inkurajuar nga përparimi që Kosova po e arrin në sektorin e sigurisë.

Nuk është vështirë të shohim drejt të ardhmes – të ardhmes jo shumë të largët – dhe të shohim kohën kur Kosova ka marrëdhënie të fuqishme të bashkëpunimit dypalësh me NATO-n.  Një kohë kur Kosova shërben si ofrues i sigurisë, duke u lidhur papengueshëm me fqinjtë e saj për të ofruar rrugë për angazhim, këshillim dhe siguri.  Si dhe një kohë kur vendi mbështetet nga një forcë e sigurisë efikase dhe e respektuar që përfaqëson llojshmërinë e pasur shumetnike të vendit.

Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë përkrah Kosovës dhe që i ofrojnë mbështetje përderisa vendi ec përpara në këtë drejtim.