Kompleksi i ri i Ambasadës është projektuar si një ndërtesë e gjelbër, me ambient të brendshëm cilësor. Sistemet e avancuara të ngrohjes dhe ftohjes të përfshira në dizajn, maksimizojnë efiçencën e energjisë dhe kontribojnë në rehatinë dhe mirëqenien e njerëzve. Të gjitha materialet absorbuese, tubat dhe materialet e tjera janë mbrojtur nga pluhuri gjatë fazës së ndërtimit. Po ashtu, të gjithë filtrat e HVAC janë zëvendësuar para funksionalizmit të objektit. Pompat termike modulare dhe bojleri bëjnë të mundur prodhimin njëkohshëm të ftohjes dhe ngrohjes në çdo kohë. Sistemi gjeotermik në kombinim me liqenin artificial, është sistem që e bart ngrohjen në tokë dhe nga toka, duke zvogëluar kostot e ngrohjes dhe ftohjes. Në këtë projekt janë përdorur materiale me emetim të ulët në mënyrë që të zvogëlohet përqendrimi i ndotësve kimikë që mund të dëmtojnë cilësinë e ajrit, shëndetin e njeriut, produktivitetin dhe mjedisin.
Për veshjen e murit të jashtëm të kompleksit, mureve anësore dhe pjesërisht për ndërtimin e fasadave të objektit është përdorur guri natyral në formë të rrasës që gjenden në vend, si një shprehje dhe kremtim i materialeve vendore.Brisolet dhe rrjeta metalike në fasadën jugore dhe lindore kombinojnë estetikën arkitektonike dhe optimizimin e fitimit të nxehtësisë. Rrjeta metalike paraqet element të karakterit rajonal, gjeometria e së cilës është e frymëzuar nga mjeshtëria lokale. Kjo tregon qëllimin e dizajnit të objektit te ambasadës: të respektoj me elegancë dhe të bashkëveproj me kulturën lokale.Plani i menaxhimit të mbeturinave të ndërtimit – për zvogëlimin e sasisë së mbetjeve ndërtimore që zakonisht përfundojnë në deponi. Gjatë ndërtimit të NEC, materialet e mbetura janë ndarë për riciklim: druri, gipsi, metali, kartoni dhe plastika.
Ky projekt ofron 50% hapësira të lira dhe të gjelbra më shumë se që kërkohet me ligjet dhe rregulloret lokale. Uji i shiut dhe uji i ricikluar përdoren për ujitjen e hapësirave të gjelbra. Qyteti i Prishtinës nuk ka impiant për trajtimin e ujërave të zeza; prandaj ujërat e zeza pa u trajtuar fare derdhen drejtpërdrejt në lum në dalje të qytetit. Për të shmangur një dëm edhe më të madh ekologjik në sistemin e ujit të Prishtinës nga kompleksi i ri ambasadës, brenda kompleksit është ndërtuar një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në mungesë të një impianti komunal për trajtimin e ujërave të zeza. Brenda në objekt është siguruar zvogëlimi i përdorimit të ujit të pijshëm përmes elementeve sanitare efikase që shfrytëzojnë më pak ujë, duke përfshirë: tualetet, urinalet; rubinetet me sensor, dushet; dhe lavamanët e kuzhinës.