Fjala e ambasadorit Delawie me rastin e hapjes së pikës së KFC-së

Mirëmëngjesi të gjithëve.

Kryetar komune Ahmeti, përfaqësues të KFC-së, ju faleminderit për organizimin e kësaj ceremonie dhe për ftesën për të marrë pjesë në të.  Lirisht mund t’ju them se jam më se i lumtur që jam këtu dhe që po i shoh kaq shumë konsumatorë të mundshëm të të gjitha moshave.

Hapja e pikës së KFC-së është hap i madh në demonstrimin se klima e investimeve në Kosovë është përmirësuar, gjë që e theksoi edhe kryetari i komunës para pak çasteve.  Shpresojmë se kjo pikë e KFC-së do të jetë i pari prej shumë franshizave amerikane që – siç e përmendi edhe Misty – do të ndihmojnë në rritjen e punësimit në Kosovë.

Koloneli Harlan Sanders – ky burri këtu themeluesi i KFC-së, ka punuar shumë punë të ndryshme para se të arrinte sukses duke shitur pula, siç na shpjegoi Misty para disa minutave.  Ka punuar në hekurudhë, pompë benzine, si dhe ka shitur sigurime për jetë – vetëm sa t’i përmendim disa prej punëve të tij.  Karriera e tij dhe suksesi me KFC në fazën më të vonshme të karrierës së tij na tregon se këmbëngulësia  e ndoshta edhe nja 11 bimë dhe mëlmesa – është përbërësi kryesor për tu bërë sipërmarrës i madh.

Shtetet e Bashkuara fuqishëm çmojnë dhe në mënyrë aktive promovojnë shpirtin sipërmarrës sepse ky shpirt nxit novacionin dhe është krijues i rëndësishëm i vendeve të punës për ekonominë tonë.  Më vjen mirë që po shoh se shpirti sipërmarrës që vepron këtu në Kosovë po zgjerohet për të përfshirë edhe mundësitë nga jashtë vendi, siç janë franshizat nga Shtetet e Bashkuara, si dhe duke i shtuar vendet e punës në ekonominë e Kosovës.

E di se shumë miq të amerikanë nga ambasada dhe të tjerët janë më se të lumtur që tashmë mund ta gëzojnë këtë copë shtëpie larg atdheut përmes gjërave të shijshme që i ofron KFC-ja, si dhe jam i lumtur që po i shoh kaq shumë të tjerë duke pritur për t’i shijuar ato ushqime që i përmendët.

Dëshiroj ta uroj KAN LLC për nismën e kësaj ndërmarrjeje dhe shpresoj ta shoh KFC-në këtu dhe në vendet e tjera në Kosovë e në Ballkan duke u zhvilluar dhe duke përparuar më tej.

Ju faleminderit shumë.  E çmoj shumë pjesëmarrjen në këtë ngjarje.