Java për të drejtat e viktimave të krimit në Kosovë

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës kombëtare për shënimin e javës për të drejtat e viktimave të krimit në Kosovë, 30 tetor 2017

Mirëmëngjesi të gjithëve.  Kryeprokuror i shtetit, ju faleminderit për organizimin e kësaj ngjarjeje.  Z. President, z. Ministër, prijës të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë, kolegë nga kori diplomatik, më vjen shumë mirë që jam këtu në këtë ngjarje të rëndësishme.

Jam jashtëzakonisht krenar që ambasada amerikane e ka mbështetur fuqishëm këtë javë qysh prej fillimit të saj para tetë viteve, e çdo vit që kam folur gjatë kësaj ngjarjeje kam pasur kënaqësinë të nënvizoj përparimin e madh që Kosova e ka arritur për të drejtat e viktimave të krimit.  Si gjithmonë, duhet të punohet edhe më shumë, por gjatë viteve të shkuara Kosova ka shfaqur përkushtimin e saj të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm për trajtimin e viktimave të krimit.

Më inkurajon fakti që Kosova vazhdon të ndërtojë një zyrë të fortë të mbrojtjes së viktimave, duke e mbushur atë me profesionistë dhe duke ua siguruar atyre mjetet dhe shkathtësitë e duhura për t’iu ndihmuar atyre që kërkojnë ndihmë.  Këta mbrojtës janë burim i mbështetjes dhe udhëzimit thelbësor që iu ndihmojnë viktimave të shumë krimeve – qofshin ato të dhunës në familje, të trafikimit ose dhunimit – për të manovruar nëpër sistemin e ndërlikuar dhe shpesh frustrues të drejtësisë.  Kjo mbështetje shpesh është pjesë përbërëse e mëkëmbjes së suksesshme të viktimës.

Kosova tashmë është bërë prijëse në rajon me miratimin e Ligjit për kompensimin e viktimave, themelimin e bordit drejtues, kurse këtë vit ka siguruar fondet e domosdoshme për të filluar pagesën e kompensimit.  Së voni, Komisioni është takuar për herë të parë për shqyrtimin e një aplikacioni dhe në fund mori vendim për të kompensuar një familje të dëmtuar.  Shumë kolegë nga vendet e tjera në rajon na kanë kontaktuar duke kërkuar këshilla dhe ekspertizën tonë për zbatimin e ligjeve të ngjashme dhe programeve për këshillim në vendet e tyre.

Këtë vit, zyra e prokurorit po ashtu ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për caktimin e prokurorëve të specializuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.  Ky vendim tregon sa e ndërlikueshme është marrëdhënia që krijohet në këto raste, por edhe sa të përhapur janë.  Edhe në SHBA vazhdojmë të përpëlitemi me këtë problem dhe kohëve të fundit, Presidenti ynë e ka shpallur tetorin muajin për ngritjen e ndërgjegjësimit rreth dhunës në familje.  Në fjalën e tij, ai ka thënë se një në katër gra ka vuajtur nga dhuna fizike nga partneri i afërm dhe që dhuna në familje është shkaktari numër një i lëndimeve fizike të grave.  Këto janë statistika tronditëse.  Na janë dashur shumë vite për ta kuptuar dhe për të filluar ta trajtojmë këtë problem në vendin tonë dhe shpresoj se shkëmbimi i disa përvojave dhe mjeteve që i kemi mësuar në rrugë e sipër do t’i ndihmojë Kosovës gjatë ballafaqimit me këtë sfidë.

Kemi qenë krenarë që i kemi mbështetur institucionet e Kosovës dhe këto programe qysh prej ngjizjes së tyre dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.  Nganjëherë, përparimi ka qenë sfidues dhe do të nevojitet mbështetja e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve të sundimit të ligjit për të ecur përpara.  Shpresoj së çdo gjykatës dhe prokuror do ta marrë përgjegjësinë e vet ligjore ndaj viktimave seriozisht.  Në skenën e përgjithshme të gjërave, sigurimi që shkelësit i paguajnë gjobat në fondin për kompensimin e viktimave apo marrja e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme ndoshta nuk duket si punë e madhe, por mbështetja financiare që përfundimisht mund t’iu jepet viktimave përmes këtij fondi mund të bëjë dallimin në mes të mundësisë për të rifilluar jetën dhe ndjenjës se janë braktisur nga shoqëria dhe që janë viktimizuar për së dyti.

Këtë javë, të gjithë ne i nderojmë viktimat e krimit dhe të gjithë ata – përfshirë shumë prej jush – që e përkushtojnë jetën për t’iu ndihmuar atyre.  Në veçanti, dëshiroj t’iu shpreh mirëseardhje kolegeve të mia nga San Francisko që janë këtu për të folur me ju gjatë ditëve të ardhshme.  Sfida jonë e përbashkët është që ta kuptojmë se nuk arrihet drejtësia nëse nuk ka drejtësi për viktimat e krimit dhe se nuk arrihet drejtësia deri atëherë kur të drejtat e viktimave të krimit nuk kremtohen vetëm një herë në vit, por realizohen çdo ditë.

Ju faleminderit.