Java kundër korrupcionit në Kosovë

Fjala e ambasadorit Delawie në konferencë për shtyp, me rastin e javës kundër korrupcionit, 5, dhjetor, 2016

Mirëmëngjesi. Ju faleminderit të gjithëve që na u bashkuar me rastin e fillimit të Javës Kundër Korrupsionit në Kosovë. Besoj që prania e të gjithë neve nga Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP) si përfaqësues i komunitetit donator, dhe Instituti Demokratik i Kosovës si përfaqësues i komunitetit të OJQ-ve, thekson sa është e rëndësishme lufta kundër korrupsionit për të ardhmen e Kosovës. Jemi këtu për ta treguar zotimin tonë të bashkuar për veprim në luftën kundër korrupsionit.

Korrupsioni nuk është problem i ri në Kosovë dhe e di se bisedat dhe kërkimi i zgjidhjeve janë duke vazhduar. Por këtë javë, për herë të parë, jam krenar ta shoh një koalicion të ambasadave, organizatave donatore dhe, më e rëndësishmja, të shoqërisë civile të Kosovës, të cilët po e ngritin zërin, propozojnë zgjidhje konkrete dhe imponojnë veprime në luftën kundër korrupsionit.

Ambasada ime krenohet që është sponsore dhe mbështetëse e shumë aktiviteteve këtë javë. Por, më e rëndësishmja, krenohemi të shohim që njerëzit, prej Prishtine deri në Pejë dhe prej Gjakove deri në Gjilan, janë të gatshëm të ndërmarrin masa për ta luftuar korrupsionin. Ne jemi këtu për të ndihmuar, por qytetarët e Kosovës janë ata të cilët duhet të prijnë dhe ta mbështesin këtë luftë.

Dëshiroj t’i theksoj përpjekjet e Misionit tim në luftimin e korrupsioni në gjyqësi dhe kolegët e mi do të nxjerrin në pah tema të tjera. Ne i mbështesim përpjekjet e Kosovës për ta luftuar korrupsionin në gjyqësi përmes një sërë programesh.

Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sektorit të Drejtësisë është duke e përmirësuar kornizën ligjore të Kosovës për pavarësi dhe efikasitet gjyqësor, duke reduktuar kështu mundësitë për ndikim të padrejtë nga institucionet e tjera qeveritare të cilat do të mund të ndikonin në mënyrën se si zgjidhen rastet.

Programi i Departamentit tonë për Drejtësi bashkëpunon ngushtë me prokurorët dhe Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës për ta përmirësuar kapacitetin dhe për ta forcuar kornizën ligjore kundër korrupsionit.

Si rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta, Kosova tani ka një kod të etikës gjyqësore që përputhet me Parimet Bangalore, si dhe me rregulloren përkatëse që përcakton sjelljen e keqe për t’i mbajtur gjykatësit përgjegjës.

Por sondazhet kanë treguar se popullit të Kosovës, megjithatë, i mungon besimi në drejtësinë e gjyqësorit të vet.

Ambasada ime ka punuar ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë dhe palët e tjera të interesuara për ta hartuar një ligj për fuqizimin e kapacitetit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, që së shpejti do të lëshohet për komente publike.

Kjo zyrë është komponenti kryesor për krijimin e besimit në sistemin e drejtësisë–ajo është një mënyrë për t’i mbajtur përgjegjës prokurorët dhe gjykatësit për sjellje të keqe.

I falënderoj sërish kolegët e mi që m’u bashkuan sot këtu dhe ju falënderoj për mbështetjen tuaj të shumë aktiviteteve gjatë kësaj jave. Së bashku, ne jemi të bashkuar kundër korrupsionit–jo vetëm gjatë pesë ditëve të ardhshme gjatë Javës Kundër Korrupsionit, por edhe në muajt dhe vitet e ardhshme.