Intervistë e Ndihmës Sekretarit të Shtetit Yee me Zërin e Amerikës, 25 tetor 2017
Zeri i Amerikës: Zoti Yee, më lejoni t’ju pyes së pari, nëse mundem, cili është qëllimi i vizitës tuaj në rajon?
DAS Yee: Së pari ju faleminderit pë këtë mundësi. Qëllimi i ardhjes sime në rajon ishte që të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, të takojë udhëheqësit e të dy qeverive, të takojë deputetët e parlamentit, pjesëtarët e shoqërisë civile dhe anëtarët e opozitës në të dyja vendet. Është pjesë e udhëtimeve normale për të qëndruar në rrjedhë me situatën në të dyja vendet dhe në rajon dhe pata rastin të flasë edhe në forumin ekonomik në Beograd.
Zëri i Amerikës: Qeveria e brishtë e Kosovës përballet me sfida të mëdha për trajtimin e disa çështjeve të ndjeshme, duke përfshirë edhe shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kryeministri i ri Haradinaj ka kundërshtuar marrëveshjen në të kaluarën. A ka ndonjë mënyrë për të dalë nga kjo situatë pa miratimin e marrëveshjes në parlament?
DAS Yee: Së pari, dua të them se Kosova ka një numër mundësish të rëndësishme më të cilat përballet, e që mund të përmbushen vitin e ardhshëm, apo mbase edhe më herët. Një nga këto mundësi është marrëveshja e shënimit të kufirit që tashmë është nënshkruar me Malin e Zi. E dijmë nga kolegët e Bashkimit Evropian se marrëveshja për kufirin, sapo të ratifikohet, do të zhbllokojë rrugën e Kosovës drejt udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Kjo, besojmë, është jashtëzakonisht e rëndësishme për njerëzit e Kosovës që t’u tregohet se janë pjesë e Evropës, që nuk janë të izoluar, që janë të mirëseardhur në Evropë dhe do t’u jap shumë shpresa, shumë kurajë atyre në qeveri dhe jashtë saj se puna që bëjnë, se reformat që bëjnë, vendimet e vështira që marrin, në fakt shpaguhen. Ne po e inkurajojmë qeverinë e Kosovës që të shfrytëzojë këtë mundësi, aty ku qeveria e fundit nuk ishte në gjendje ta shfrytëzojë dhe ta ratifikojë marrëveshjen në parlament dhe të përfitojë, me pëlqimin e Bashkimit Evropian, nga udhëtimi pa viza. Ne besojmë se kjo është e mundur. E kuptojmë që marrëveshjet si kjo, çështjet që përfshijnë kufijtë, marrëdhëniet me fqinjët, janë nganjëherë të ndërlikuara. Por, ajo që mendojmë se është e domosdoshme, është së pari që publiku të kuptojë se çfarë do të arrijnë, përfitimet për ata në jetën e përditshme, duke ratifikuar marrëveshjen, dhe pastaj udhëtimin pa viza. Është po ashtu me rëndësi për udhëheqësit e këtij vendi që të marrin përgjegjësinë, të dëshmojnë udhëheqësinë e nevojshme, të sigurojnë shumicën e domosdoshme në parlament për të ratifikuar marrëveshjen. Pra, kombinimi i vetëdijes së publikut, që është natyrisht përgjegjësi e udhëheqësve, por po ashtu edhe medies, politikanëve, anëtarëve të parlamentit, që të sigurojnë se publiku e kupton se çka është në pyetje, dhe pastaj që udhëheqësit të marrin përgjegjësinë si përfaqësues të zgjedhur të popullit.
Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Kosova ka hyrë në një fazë të re në negociatat e saj me Serbinë dhe udhëheqësit e Kosovës kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të luajë një rol më të madh. Deri tani, BE-ja ka marrë rolin udhëheqës. A presim ndonjë ndryshim? A do të jetë më e angazhuar SHBA në dialog?
DAS Yee: Pikë së pari, jemi të nderuar të jemi partnerë të Kosovës, Serbisë dhe vendeve tjera në këtë rajon. Besojmë se është në interesin e të dyjave, pra edhe të vendeve në rajon edhe të Shteteve të Bashkuara. Është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara që Evropa është në paqe, e qëndrueshme dhe e begatë. Kur Evropa është në paqe, e qëndrueshme dhe e e begatë, edhe Shtetet e Bashkuara janë zakonisht ashtu. Pra fatet tona janë të lidhura. Siguria jonë është e lidhur. Ekonomitë tona janë të lidhura në shumë mënyra. Prandaj, e ndjejmë se është me rëndësi për ne që të marrim pjesë, të ndihmojmë në punët në Evropë, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Jam shumë i lumtur të them se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të trajtojnë çështjet me të cilat përballen, që të arrijnë më shumë përparim në integrimet në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, përshirë Bashkimin Evropian. Për ato vende që duan t’i bashkohen NATO-s dhe mund të bashkohen me NATO-n, duam t’u ndihmojmë që ta përmbushin këtë synim. Ne tashmë e luajmë një rol të drejtpërdrejtë në shumë nisma në Evropë. Nuk janë gjithmonë të ditura sepse, sipas natyrës së diplomacisë, nuk është gjithmonë e reklamuar, por ne tashmë po marrim rol mjaftë të fuqishëm në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me pëlqimin e Bashkimit Evropian që natyrisht e drejton dialogun – lehtësimi është kryesisht nga ana e BE-së. Por, ne kemi qenë aty nga fillimi. Synimi ynë është që të mbetemi aty për aq sa Bashkimi Evropian dëshiron të jemi dhe BE-ja dëshiron një gjë të tillë. Dhe për aq kohë sa të dyja palët, Serbia dhe Kosova duan që ne të marrim pjesë. Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Ne mendojmë se është partneritet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Kosovës dhe Serbisë. Përgjegjësia është tek të gjitha palët dhe ne do të përmbushim detyrimet tona.
Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara i kërkuan Kosovës që të përmbahet nga krijimi i ushtrisë së saj pa i bërë më parë ndryshimet kushtetuese. Kritikët thonë se ndërsa Serbia po armatoset nga Rusia, Kosovës në thelb i thuhet se nuk mund të krijojë një ushtri, se duhet të presë miratimin e Beogradit. Si i përgjigjeni kësaj kritike?
DAS Yee: Së pari, kur e shikoni pasqyrën e përgjithshme për sigurinë e Kosovës, ajo nga pikëpamja jonë, ka një përkushtim nga bashkësia ndërkombëtare, nga NATO-ja dhe vendet partnere të NATO-s, që të ndihmojnë për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë këtu në Kosovë. Ne e kemi forcën paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja, KFOR-in, që është këtu me vite dhe synon të mbetet derisa të mos jetë më e nevojshme, që shpresojmë të ndodhë me herët sesa më vonë. Sigurisht ka pasur përparim dhe mundësi që madhësia e KFOR-it të reduktohet, por ende ka nevojë për të. Mesazhi i parë që dua të jap është se bashkësia ndërkombëtare është qartazi e përkushtuar ndaj sigurisë së Kosovës. Kosova nuk është në rrezik që të pushtohet apo sulmohet nga ndonjë vend tjetër. Kosova nuk është e kërcënuar nga ndonjë rrezik i madh që kërcënon sigurinë e saj kombëtare. Si mesazh i dytë, dua të them se ne e mbështesim të drejtën e Kosovës që të ketë një ushtri. Çdo vend sovran që ka përgjegjësi për sigurinë kombëtare, për mbrojtjen e kufijve, për pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare, qoftë të kërkim-shpëtimit, ndihmës në fatkeqësi, apo në nisma tjera, duhet të ketë një formë të ushtrisë apo forcës së armatosur. Por, besimi ynë i fuqishëm dhe mesazhi ynë për qeverinë e Kosovës që është tashmë konsistent për disa vite, është se ka një proces për transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri. Një proces për të cilin jemi pajtuar me qeverinë, që përfshinë miratimin e një ndryshii kushtetues, për ta bërë të qartë se institucionalisht dhe ligjërisht ky transformim është bërë në atë mënyrë që të jetë tërësisht transparent, që ka mbështetjen e të gjitha palëve kryesore të interesuara, dhe unë besoj se qeveria e Kosovës pajtohet me ne se palët përfshijnë të gjitha partitë kryesore politike në Kosovë, përfshirë edhe partitë e pakicës serbe. Rruga më e pastër dhe më e përshtatshme që ligjërisht të transformohet Forca e Sigurisë në ushtri, është nëpërmjet një amandamenti kushtetues, që krejt partnerë dhe gjithë miqtë e Kosovës, të shohin dhe madje të trimërojnë të gjitha palët që kanë interes për sigurinë në Kosovë, të mund të marrin pjesë, të mund të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të debatojnë në parlament. Dhe miratimi i këtij amandamenti do të ishte rruga më e mirë për të siguruar legjitimitetin e procesit të transformimit. Kur themi se mbështesim ushtrinë, transformimin e Forcës së Sigurisë në ushtri, nuk do të thotë që mendojmë se kjo duhet të ndodhë arbitrarisht apo pa hapat e duhur paraprakë. Ne besojmë se duhet të ketë një amandament kushtetues. Në të njëjtën mënyrë, ne nuk besojmë se duhet të ketë një formë të “vetos” permanente apo çfarëdo vetoje nga një palë e tretë, nga një vend i tretë apo nga cilado palë. Duhet të kuptohet se pikëpamja jonë është që nëse qeveria bën gjithçka që është e mundur për të bindur të gjitha palët e interesuara se ata duhet të mbështesin këtë transformim dhe nëse edhe pas përpjekjeve të tilla qëllimmira dhe të qëndrueshme kjo nuk është e mundur, atëherë mundësitë tjera përtej amandamentit kushtetues duhet të shqyrtohen. Por, nuk kemi arritur ende aty sepse ne besojmë që qeveria duhet të bëjë çka që është e nevojshme që të dëshmojë se ju ka qasur të gjitha palëve, përfshirë pakicës serbe, për t’i bindur se është edhe në interesin e tyre, se është në interesin e gjithë vendit dhe të gjitha palëve që të bëhet ky transformim.
Zëri i Amerikës: Zoti Yee, Gjykata Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, tashmë është krijuar. Çfarë po ndodh me të? A presim akuza këtë vit?
DAS Yee: Ne jemi fuqimisht mbështetës për integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar dhe përmbylljen e kapitujve të së kaluarës së Kosovës që mbeten ende të hapur. Besojmë se Dhomat Speciale janë rruga për mbylljen e këtij kapitulli, këtij kapitulli të dhimbshëm të së kaluarës së Kosovës. Është absolutisht e domosdoshme, dhe ne i përshëndesim ata udhëheqës të Kosovës që qenë në gjendje të ngritin nëpërmjet ligjit dhe ndryshimeve kushtetuese këto Dhoma të Specializuara. Ne mbështesim shumë fuqishëm rolin e tyre. Ne dhe BE-ja, posaçërisht BE-ja, ofrojmë burime për të ndihmuar punën e tyre. Ne vazhdojmë t’i mbështesim. Nuk i takon Amerikës, apo cilësdo qeveri evropiane të marrin vendime se a do të ketë akuzë këtë vit, apo vitin tjetër, apo nëse do të ketë ndonjë akuzë. Ajo është punë e prokurorëve në Dhomat e Specializuara, është punë e gjykatësve që të marrin ato vendime. Ajo që mund të them është se besojmë që është me rëndësi për të gjithë udhëheqësit në Kosovë që të vazhdojnë të mbështesin institucionin dhe funksionimin e tij, që ai të ketë mjedisin e nevojshëm për punë, që të ketë mbështetjen e nevojshme politike, që të gjithë qytetarët e Kosovës të kuptojnë se kjo është diçka që të gjithë brenda dhe jashtë Kosovës duan që të ketë sukses dhe të përmbyllet sa më parë.
Zëri i Amerikës: Para se të vinit në Prishtinë, keni qenë në Beograd ku keni deklaruar se Serbia nuk mund të ulet në dy karrige, veçanërisht nëse ato karrige janë shumë larg nga njëra tjetra. A është kjo një shenjë e ndryshimit në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara? A do të ushtrojnë më shumë trysni mbi Serbinë në të ardhmen për të “zgjedhur anët”?
DAS Yee: Ajo që kam thënë me serbishten time të papërsosur duke cituar një proverb të vjetër serb, është se nuk mund të ulesh njëkohësisht në dy karrige. Është e mundur të ulesh në dy karrige, por ta bësh një gjë të tillë është shumë e vështirë.
Çështja është se për një vend siç është Serbia, ose për cilindo vend tjetër që synon t’i bashkohet Bashkimit Evropian, NATO-s, apo ndonjë organizate tjetër, është me rëndësi që ai vend të jetë plotësisht i përkushtuar ndaj atij synimi. Jo përkushtim vetëm me fjalë, por me vepra, duke investuar burime të ndryshme, duke investuar kohë. Edhe Kosova ka vendime të ngjashme për të bërë. A është Kosova 100 për qind e përkushtuar që të normalizojë raportet me Serbinë, a është 100 për qind e përkushtuar t’i bashkohet BE-së? Të gjitha qeveritë përballen me këto zgjedhje.
Mesazhi im për Serbinë ishte që nëse është duke punuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, atëherë duhet të përqendrojë vëmendjen në reformat dhe hapat e nevojshëm, në mënyrë që ta arrijë integrimin në BE. Është shumë e vështirë, gjykuar nga proceset nëpër të cilat kanë kaluar vendet tjera të cilat kanë arritur ta bëjnë një hap të tillë, siç janë Kroacia, Sllovenia, dhe vendet Evropës Qendrore. Është një proces shumë i vështirë, i shtrenjtë, edhe politikisht, dhe hapat duhet të ndërmerren. Dhe nëse ka vende, ose palë, ose organizata që kundërshtojnë një hap të tillë, nëse ka vende që kanë një vizion ndryshe për Serbinë apo vendet që tentojnë t’i bashkohen BE-së, atëherë është e rëndësishme që të mos jetë e lidhur tepër fuqishëm me ato vende.
Është me rëndësi që të mos ketë përpjekje për të kënaqur të dyja palët, sepse për pasojë do të ketë konfuzion në opinion se në ç’drejtim po shkon vendi, kjo ngadalëson procesin. Prandaj, nëse përpiqesh të ulesh në dy karrige dhe të kënaqësh një vend që kundërshton anëtarësimin dhe në të njëjtën kohë edhe vendet tjera që janë në favor të tij, atëherë kjo do ta bëjë atë shumë më pak efikas. Pra, ne nuk jemi kundër që Rusia të ketë lidhje me Serbinë, natyrisht që Rusia do të ketë gjithmonë marrëdhënie me Serbinë. Këto dy vende kanë lidhje historike, kulturore, fetare, energjetike, ekonomike.
Nuk jemi kundër kësaj. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë lidhje me Rusinë, lidhje tregtare, kemi bashkëpunim politik. Pikëpamja jonë është se aty ku interesat tona janë të ngjashme me ato të Rusisë, ne do të punojmë me Rusinë, si për shembull në luftën kundër terrorizmit, mbase në Siri, dhe janë edhe fusha të tjera ku ne dëshirojmë të punojmë me Rusinë. Ne duam gjithashtu që Serbia të jetë në gjendje të punojë me Rusinë, aty ku interesat e tyre janë të njejta. Por, ne gjithashtu besojmë se aty ku interesat tona ndahen, aty ku ne synojmë të bëjmë në fakt gjëra të ndryshme mes vete, aty ku vizionet tona dallojnë shumë, atëherë ne, Shtetet e Bashkuara, duhet të mbrojmë interesat, vlerat dhe parimet tona dhe të atyre që janë aleatët tanë.
Është në fakt zgjedhje e Serbisë, Serbia është shtet sovran dhe vendimet i merr vetë, por rekomandimet tona, këshilla jonë për Serbinë, sikurse edhe për Kosovën, është që të dyja vendet ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë prioritetet e tyre, ta bëjnë shumë të qartë se cilat janë politikat e tyre, në mënyrë që ato institucione të cilave këto dy vende synojnë t’u bashkohen, qoftë NATO-ja apo BE-ja, të kuptojnë se është zgjedhje strategjike e Serbisë, dhe në rastin e Kosovës, zgjedhje e Kosovës, që të bashkohet, të integrohet. Nuk duhet të ketë dilema, konfuzion dhe kjo është mënyra më e shpejtë. Mund të ulesh në dy karrige dhe të arrish në të njëjtin destinacion, por me siguri se do të jetë një rrugëtim shumë më i ngadalshëm.
Zëri i Amerikës: Z. Yee, një pyetje për Shqipërinë. Ish ministri i brendshëm akuzohet për lidhje me një grup trafiku droge. Cila është pikëpamja juaj për mënyrën se si po trajtohet ky rast?
Hoyt Brian Yee: Më lejoni të them për Shqipërinë se jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi shumë të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat në Shqipëri, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë.
Dhe kjo për faktin se një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se [reformat] janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit. Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Së këndejmi, vazhdojmë të ofrojmë drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën tonë teknike, ndihmën financiare në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre. Qartësisht, unë nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por ne gjithsesi besojmë në disa parime.
I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët bëjnë hetimet, ndjekjet, dhe shpallin dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të poshtme në administratë. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Së dyti, ne mbështesim qeverinë në dhënien e shembullit. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin, të udhëheqë në këtë dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qoftë kur është fjala për qytetarë të thjeshtë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, apo shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.
Zëri i Amerikës: Z. Yee, ju faleminderit shumë.
DAS Yee: Ju faleminderit shumë.