Intervistë e ambasadorit Delawie me Express-in

Gazeta Express:  Më 1 shtator deputetët do të votojnë në Parlament dhe nëse deputetët dështojnë ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, a duhet Qeveria të vazhdojë punën nëse dështojnë të sigurojnë 2 të tretat e votave në një temë kaq të rëndësishme?

Delawie: Më duhet t’ju them se gjëja e parë që ju mësojnë në shkollën për diplomaci është që të mos përgjigjeni në pyetje hipotetike. Mendoj se Parlamenti duhet të votojë në favor të marrëveshjes për demarkimin e kufirit dhe nuk dua të përsëris pikat që i kam përmendur disa herë në të kaluarën, por thjesht dua të them se marrëveshja për shënimin e kufirit ashtu siç është arritur nga komisioni thotë se kufiri është i njëjti që ka ekzistuar prej vitit 1974, është kufiri që gjendet në flamurin e Kosovës, dhe se është kufi me një shtet mik. Dje është publikuar një artikull në Reuters për këtë çështje dhe ata e cituan dikë duke thënë se “e kam punuar këtë tokë gjatë gjithë jetës dhe tani ata ia japin Malit të Zi”. Kjo nuk është e vërtetë! Pronësia është ndryshe nga shtetësia e tokës. Nëse toka jote është në Pejë, do të mbetet e jotja edhe pas kësaj marrëveshjeje. Nëse ju jeni shqiptar i Kosovës dhe toka juaj është në Plavë, ajo do të mbetët atje, ndërsa megjithë këtë marrëveshje ajo prapë do të mbetët prona jote. Askush nuk po falë diçka. Thjesht, ajo që po e bëjnë është tërheqja e një vije me ngjyrë  më të mbyllur për kufirin që ka ekzistuar së paku prej vitit 1974.

Gazeta Express: Kur ju pyeta për Qeverinë nuk ishte fjala për diçka hipotetike por pak a shumë diçka e logjikshme: Pse duhet koalicioni qeveritar të vazhdojë punën nëse dështojnë që të shtyjnë këtë gjë para?

Delawie: Unë mendoj që është e rëndësishme që qeveritë të bëjnë përpjekje të kryejnë punën e tyre. Qeveritë janë të zgjedhura nga populli që të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre për aq sa munden.

Gazeta Express: Në rast se marrëveshja nuk ratifikohet, a duhet të anulohet i tërë procesi, apo duhet të vazhdojë kjo çështje të jetë barrë e të gjitha qeverive që do të vijnë derisa njëra arrin ta miratojë?

Delawie: Unë mendoj që është e rëndësishme të ratifikohet. Ne thjesht duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë.

Gazeta Express: Ju keni besim që ajo do të ratifikohet?

Delawie: Fuqitë e mia parashikuese janë disi të mjegullta sot, prandaj nuk do të bëj ndonjë parashikim. Unë shpresoj që do të ratifikohet pasi unë jam një optimist dhe mendoj se është e rëndësishme për Kosovën. Unë gjithashtu mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se marrëveshja për shënimin e kufirit nuk është në fakt çështja më me rëndësi këtu. Këtu në fakt bëhet fjalë për çështje pushteti. Prandaj, sido që të ndodhë, dështim apo miratim (gjatë seancës së nesërme), sfida me të cilën përballet demokracia kosovare do të vazhdojë. Ne kemi një qeveri e cila është zgjedhur nga populli i Kosovës në vitin 2014, një koalicion që është themeluar nga partitë që janë zgjedhur në zgjedhjet e vetme kombëtare të Kosovës që janë mbajtur sipas standardeve perëndimore, në vitin 2014. Në anën tjetër kemi njerëz që e po e kundërshtojnë këtë marrëveshje, që kanë përdorur gaz lotsjellës, koktej molotovi, janë kërcënuar me dhunë dhe një parti politike që ka kërcënuar se do të vrasin kundërshtarët politikë për shkak të kësaj marrëveshjeje. Nuk do të përmend emrin e ndonjë partie, pasi nuk është e përshtatshme për mua si ambasador, apo ndoshta më shumë si i huaj , pavarësisht a je ambasador apo jo. Por, mendoj se ju e keni një grup njerëzish që kanë thënë se do të bëjnë çdo gjë për të ndaluar këtë marrëveshje dhe ata e kanë demonstruar se çfarë mund të jetë ‘çdo gjë’. Unë mendoj që kjo është diçka e keqe për Kosovën

Gazeta Express: Kur jemi te ideja e sfidës për Kosovën, dje Policia e Kosovës ka kryer disa bastisje dhe ka bërë disa arrestime të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes. Opozita në përgjithësi nuk e ka përjashtuar eskalimin e situatës nëse marrëveshja kalon në parlament. A mendoni që kjo tani paraqet sfidë serioze jo vetëm për shumicën në Kuvend, por edhe për vet Komunitetin Ndërkombëtar, veçanërisht perëndimin që është përkrahësi kryesor i Kosovës së pavarur?

Delawie: Sa i përket arrestimeve dje, si zyrtar i qeverisë që e përfaqësoj, unë s’mund të komentoj proceset gjyqësore derisa ato të kompletohen. Nuk kam ndonjë koment sa i përket arrestimeve. A është kjo sfidë për perëndimin? Kjo mund të tingëllojë pak e tepruar. Në fakt, dhuna politike është sigurisht një sfidë për Kosovën. Unë jam këtu që një vit e një javë dhe kam folur shumë shpesh për dy gjëra: njëra është korrupsioni dhe tjetra është dhuna politike. Unë, natyrisht, i kundërshtoj të dyja. Për vendin tim është padyshim e rëndësishme që Kosova të jetë stabile, demokratike, pluraliste, multietnike. Nënpresidenti im ka folur për këtë kur ishte në vizitë, ai e bëri shumë të qartë se kjo është në interes të Kosovës, por edhe në interes të Shteteve të Bashkuara. Unë e përkrah demokracinë në Kosovë, nuk e përkrah dhunën politike dhe shpresoj që do të mund ta kalojmë këtë (votim) nesër pa dhunë. Shpresoj që Parlamenti ta kalojë marrëveshjen për shënimin e kufirit, por është e rëndësishme për njerëzit që ta kuptojnë se çështja e kufirit nuk është më e rëndësishme, pasi këtu bëhet fjalë për pushtet politik. Sido që të përfundojë votimi nesër, përpjekja për pushtet politik fatkeqësisht nuk do të marrë fund.

Gazeta Express: Kur jemi te Vetëvendosje, pavarësisht thirrjeve të shpeshta që ju keni bërë kundër dhunës politike, ato nuk kanë funksionuar. Për këtë tani po jepen ide publikisht se ndoshta Vetëvendosje duhet ndaluar me ligj si parti politike duke ia pamundësuar kështu që të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, pasi ata rregullisht e përdorin dhunën si mënyrë për të siguruar pushtet. Edhe dje, gjatë bastisjeve policore, në shtëpitë e aktivistëve të VV, është gjetur armatim. A është ideja e ndalimit të VV diçka që e keni menduar ndonjëherë?

Delawie: Nuk është e përshtatshme për mua që të komentoj për të ardhmen e partive politike në Kosovë. Ne punojmë me partitë politike, i inkurajojmë që të funksionojnë në mënyrë demokratike përmes trajnimeve. Stafi i Institutit Kombëtar Demokratik (Amerikan) është në Kosovë qe një kohë të gjatë, ndoshta prej vitit 2000. Ata punojnë njëlloj me të gjitha partitë në lidhje me të gjitha çështjet si p.sh. si mblidhni para për partinë, si organizoni anëtarësinë, gjëra si këto. Pra, ne përkrahim zhvillimin e partive politike, por nuk mund të komentoj se si duhet të jetë e ardhmja e një partie politike. Unë jam diplomat dhe nuk është e përshtatshme.

Gazeta Express: Po, por megjithatë është shqetësuese që aktivistë politikë kanë nevojë të kenë armatim në shtëpitë e tyre, apo jo? Pse ata të kenë armë, dhe përpos kësaj bëhet fjalë për njerëz që nuk e kanë problem të shfrytëzojnë dhunën për përfitime politike.

Delawie: Dhuna politike është diçka që e kemi parë në këtë pjesë të botës për gati 30 vjet dhe ajo nuk i ka ndihmuar asnjërës palë. Nuk i ka ndihmuar askujt në rajon, as Kosovës. Dhe, historia e Kosovës prej vitit 1999 ka qenë se si të shërohet nga dhuna politike. Unë jam rregullisht në lëvizje, pra nuk flas vetëm me politikanë dhe gazetarë, por edhe me njerëz të rëndomtë dhe mendoj se ajo që shumica e njerëzve duan është të bëjnë jetë normale. Ata nuk duan dhunë në jetën e tyre. Ata duan të kenë para mjaftueshëm, një vend pune, t’ia kalojnë mirë dhe duan që fëmijët e tyre të jetojnë më mirë se sa vetë ata. Kjo mendoj është ajo që shumica e prindërve e duan – që fëmijët e tyre të jetojnë më mirë se ata vetë. Dhe, mund t’iu them se dhuna politike nuk do të lejojë që kjo të ndodhë, dhuna politike do ta kthejë prapa Kosovën. E kam thënë javën e kaluar, kjo rrezikon që ta kthejë Kosovën prapa në vitet e ’90-ta dhe kjo nuk dua të ndodhë dhe jam i sigurt që as shumica absolute e kosovarëve nuk e duan këtë gjë.