KLAN KOSOVA: Ambasador Delawie, mirëmëngjesi dhe mirë se vini sërish në Klan Kosova.
AMBASADORI DELAWIE: Mirëmëngjesi, Kushtrim. Më vjen shumë mirë që jam këtu.
KLAN KOSOVA: Ambasador, a mund të themi se tashmë e kemi presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
AMBASADORI DELAWIE: Tash për tash – e herën e fundit i pashë lajmet para disa çastesh – të gjitha rrjetet kryesore të lajmeve në Shtetet e Bashkuara po parashikojnë që z. Trump do t’i fitojë zgjedhjet. Ende nuk janë numëruar votat në disa shtete. Për të fituar, duhet të fitohen 270 vota zgjedhore dhe natyrisht, çka po shohim tash janë vetëm parashikime bazuar në të dhënat e sondazheve pas votimit (exit poll) nga shtetet federale dhe qytetet. Disa qytete që e kanë votimin elektronik me siguri tashmë i kanë numëruar të gjitha votat, të tjerat po bazohen në të dhënat pas votimit. Sigurisht që duket se z. Trump do t’i fitojë 270 votat zgjedhore të domosdoshme për të fituar. Por, numërimi zyrtar shpallet pak më vonë, pas disa ditëve, pasi të jetë kontrolluar gjithçka.
KLAN KOSOVA: Pas procedurave të sotshme, a mund ta kemi certifikimin e presidentit të ri?
AMBASADORI DELAWIE: Teknikisht ekziston ky trupi i quajtur Kolegji Zgjedhor, i cili në fakt mbledhet në mes të dhjetorit. Por, në shumicën e rasteve Kolegji Zgjedhor i përmbahet ngushtë votës popullore, prandaj me gjasë sot do t’i shohim ato që me siguri janë rezultatet.
KLAN KOSOVA: A mund ta përshkruani ditën e djeshme, ditën e zgjedhjeve. Ishim së bashku gjatë tërë kohës, por ju natyrisht keni shikuar se çka po ndodhte…?
AMBASADORI DELAWIE: Jam i lumtur që pati votim të qetë anekënd Shteteve të Bashkuara. Ka pasur shqetësime se kjo s’do të ndodhte, por doli se pat shumë energji të shprehur nga ana e votuesve, shumë njerëz që ishin shumë të lumtur për të votuar për cilido kandidat të tyre.
KLAN KOSOVA: Ambasador Delawie, cili do të jetë ndikimi sa i përket Ballkanit?
AMBASADORI DELAWIE: Mendoj se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin ka qenë jashtëzakonisht e qëndrueshme gjatë disa dekadave të fundit pa marrë parasysh a ka qenë republikan në Shtëpinë e Bardhë apo demokrat në Shtëpinë e Bardhë. Në të vërtetë, nuk pres që kjo të ndryshojë. Po ashtu edhe sa i përket Kosovës, sigurisht që ka pasur mbështetje shumë të fuqishme për Kosovën përgjatë tërë spektrit politik në Shtetet e Bashkuara. Pres që marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë. Mendoj se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të shkëlqyeshme; ne kemi mendime të përbashkëta për vlerat e rëndësisë së demokracisë dhe të mënyrës së udhëheqjes së vendeve tona. Kemi punuar ngushtë me Kosovën prej fillimit dhe sërish edhe pas pavarësisë për t’i ndarë me Kosovën sa më shumë gjëra që i kemi mësuar. Unë jam shumë i lumtur me mënyrën se si po shkojnë gjërat.
KLAN KOSOVA: Ambasador Delawie, ju faleminderit për kohën tuaj.