Intervista e ZNS Thomas Melia për gazetën Koha Ditore, 6 Shkurt, 2015

KD: Z. Melia, Byroja për Demokraci, Të drejtat e njeriut dhe Punë udhëheq përpjekjet e SHBA-ve për të promovuar demokracinë, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe lirinë ndërkombëtare fetare, si dhe avancimin global të të drejtave të punëtorëve. Nga këndvështrimi juaj, cila është gjendja aktuale në Kosovë sa i përket demokracisë, të drejtave të njeriut dhe punës?

Melia: Së pari më vjen mirë që kam ardhur në Kosovë për ta njohur vendin më mirë. Në Uashington në i kushtojmë rëndësi të madhe Kosovës dhe ajo është shumë e rëndësishme për ne, si përbërës thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkan, prandaj dhe SHBA-ja do të vazhdojë që të jetë e përfshirë këtu. Aktualisht, ka pasur disa zhvillime shumë të mira në vitin e kaluar. Vëzhguesit e zgjedhjeve janë pajtuar se zgjedhjet e vitit të kaluar kanë qenë shumë të mira sa i përket procedurave, si dhe qasjes dhe gjërave që i kanë parë ata, dhe veçanërisht për faktin se zgjedhjet janë mbajtur në tërë territorin e Kosovës dhe ky ka qenë një hap i rëndësishëm përpara për krijimin e një ambienti përfshirës.

Pra, procesi politik ka vazhduar me përmirësime. Mbeten edhe sfida të tjera, për të cilat mendoj se Kosova respektivisht liderët politik të saj kanë treguar përqendrimin e duhur, si çështja e qytetarisë gjithëpërfshirëse, duke siguruar se të gjitha komunitetet në Kosovë marrin pjesë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Natyrisht, vendi ende ka nevojë për ndihmë dhe punë, dhe në këtë aspekt janë të angazhuar shumë njerëz. Ekziston sfida e vazhdueshme e përballjes me korrupsionin, si atë politik, po ashtu edhe financiar dhe të gjitha llojet e korrupsionit që pengojnë punën e agjencive shtetërore dhe rrjedhimisht, kufizojnë ekonominë.

Pra, përpjekjet për të adresuar korrupsionin, përpjekjet për të përfshirë më shumë qytetarë në proceset publike do të mundësojnë përparimin e Kosovës.

KD: Bazuar në vëzhgimet e juaja, por edhe takimet me autoritetet e Kosovës, a mund të na përshkruani disa nga sfidat e Kosovës përkitazi me çështjet që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut?

Melia: Po siç e thashë, sfida e përfshirjes së të gjithë qytetarëve duke siguruar se të drejtat e tyre respektohen, se trajtohen në mënyrë të drejtë nga policia dhe institucionet tjera është shumë e rëndësishme. Respektimi i të drejtave të pakicave fetare dhe etnike, pastaj trajtimi i drejtë i komuniteteve tjera si LGBT, etj. Këto janë sfidat dhe do të jetë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në botën demokratike që të arrijë përparime në këto fusha. Dhe po ashtu hapa të rëndësishëm duhet të bëhen drejt luftimit të korrupsionit.

KD: Raporte të ndryshme nga organizatat ndërkombëtare kanë shfaqur një pasqyrë jo shumë të ndritshme të Kosovës, përkitazi me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ndasitë në vija etnike janë ende mjaft të pranishme. Përkundër pranisë së madhe ndërkombëtare që nga viti 1999, Kosova ende po çalon. Çfarë duhet të bëjnë Qeveria dhe partnerët e saj ndërkombëtarë për të përmirësuar praktikat demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut?

Melia: Bashkësia ndërkombëtare që ka pasur një përfshirje të madhe në Kosovë për më shumë se një dekadë, tani ka filluar që të zvogëlohet, siç e dinë edhe njerëzit këtu, sepse është me rëndësi që Kosova të nis të qëndrojë në këmbët e saja, si një shtet sovran dhe i qëndrueshëm. Prandaj, ndonëse bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-ja do të vazhdojnë që të ofrojnë mbështetje të madhe, megjithatë një pjesë e pranisë ndërkombëtare sikurse edhe financimi do të vazhdojnë të tkurren. Por, kjo krijon mundësi për Kosovën dhe liderët e saj që me kalimin e kohës të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi. Ne do të vazhdojmë të jemi të përfshirë këtu. Megjithatë më duhet të them se reputacioni ndërkombëtar i Kosovës po përmirësohet, dhe gjithnjë e më shumë njerëz dhe vende të komunitetit ndërkombëtar e shohin Kosovën si një shtet funksional, që po qëndron mbi dy këmbët e saja. Vetëm javën e kaluar, organizata ndërkombëtare “Freedom House” ka publikuar vlerësimin e saj vjetor mbi “Të Drejtat Politike dhe Liritë Qytetare” dhe aty pasqyrohet përparimi i dukshëm në krahasim me vitet e kaluara përkitazi me të drejtat politike në Kosovë. Pra, këto vlerësime të pavarura janë pika shumë të rëndësishme të referencës dhe në shumë mënyra tregojnë vazhdimin e institucionalizimit të Kosovës së pavarur dhe demokratike.

KD: Megjithatë në disa nga këto raporte, sikurse edhe në perceptimin e shoqërisë kosovare, korrupsioni mbetet si njëri prej shqetësimeve kryesore. Në çfarë mënyrë korrupsioni e dëmton demokracinë dhe si duhet Kosova ta luftojë atë?

Melia: Korrupsioni ekziston në forma të ndryshme dhe do të vazhdojë që ta çalojë ekonominë. Në mënyrën më të spikatur korrupsioni është i dëmshëm për shtetin sepse çorodit tregun, vështirëson që njerëzit të shohin se si mund të kenë trajtim të barabartë për punësim, apo që të kenë procese gjyqësore të drejta, pastaj të kenë punë dhe kontrata që janë stabile. Pra, korrupsioni mund të jetë shumë i dëmshëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin politik. Nëse qytetarët nuk kanë besim në institucionet e vendit të tyre, nëse nuk besojnë se gjykatat funksionojnë në mënyrë të drejtë, nëse mendojnë se ka ndikime politike në proceset gjyqësore, në punën e policisë, në punën e agjencive që ofrojnë kontrata e ku bizneset konkurrojnë për t’i marrë ato kontrata dhe mendojnë se nuk ka një proces të drejtë atëherë do të jenë të zhgënjyer. Pra, korrupsioni mund t’i zhgënjejë njerëzit dhe t’i frustrojë ata dhe kjo i kontribuon ikjes së tyre nga vendi si dhe i kontribuon rritjes së pakënaqësisë dhe ftohjes së tyre në raport me Qeverinë. Prandaj mendoj se është thelbësore për të ardhmen e Kosovës që kjo çështje të adresohet në mënyrë serioze.

KD: Kemi parë skena të ikjes së njerëzve nga Kosova, por edhe të protestave të dhunshme nëpër rrugët e Prishtinës. A duhet që liderët e Kosovës tani të marrin më shumë përgjegjësi dhe si duhet ta bëjnë këtë?

Melia: Padyshim. Siç e thashë edhe në fillim, institucionet e Kosovës, liderët e saj, por edhe qytetarët e zakonshëm duhet të marrin më shumë përgjegjësi. Bashkësia ndërkombëtare ka krijuar ambientin e duhur për pavarësinë e Kosovës dhe tani i takon Kosovës që ta përmbush këtë potencial. Prandaj institucionet, liderët politik, organizatat e pavarura si mediat duhet të luajnë një rol gjithnjë e më të madh për ta ruajtur dhe ndjerë pronësinë mbi këtë shtet dhe proceset e saja. Funksionimi me vend i institucioneve, duke punësuar njerëz të kualifikuar në pozita të duhura, zbatimi i legjislacionit të miratuar, sepse kushtetuta dhe ligjet tuaja në letër janë shumë të mira, por sfida kryesore mbetet si të zbatohen ato, në mënyrë që institucionet të kenë integritet dhe njerëzit të besojnë në to.

KD: A i keni përmendur këto çështje edhe në takimet me autoritetet e Kosovës?

Melia: Padyshim që kemi biseduar për këto çështje. Dje dhe sot kam takuar njerëz të ndryshëm nga institucionet publike. Gjatë vizitës time këtu, ashtu sikurse edhe në vendet tjera, kam takuar zyrtarë të qeverisë, liderë të partive politike opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile nga OJQ-të dhe komunitetet e ndryshme, si dhe gazetarët.

KD: Në çfarë forme mundet SHBA-ja që të mbështes institucionet e Kosovës që t’i adresojnë këto çështje, dhe çfarë hapash konkretë do të merren për të përmirësuar gjendjen aktuale?

Melia: SHBA-ja është e pranishme në një mënyrë madhore. USAID ka investuar mbi 700 milionë dollarë në dekadën e fundit, që është një shumë e madhe mjetesh për një shtet të kësaj madhësie dhe e pasqyron përkushtimin amerikan këtu. Shumë institucione evropiane janë të pranishme këtu, ka njerëz të shkëlqyer nga BE-ja, Këshilli i Evropës, OSBE-ja. Të gjitha këto janë institucione jetike që ofrojnë mbështetje, informata dhe këshilla. Pra sfidë për Kosovën është që t’i shfrytëzojë këta ekspertë dhe këtë prani ndërkombëtare derisa janë këtu dhe t’i marrë parasysh shumë seriozisht këto përpjekje sepse komuniteti ndërkombëtar dëshiron që Kosova të ketë sukses.

KD: Pse progresi në demokraci, të drejtat e njeriut dhe punë është i rëndësishëm për Kosovën?

Melia: Kosova nuk mund t’i arrijë qëllimet e tjera të shumta të saj nëse nuk bëhet një shtet institucionalisht më i sigurt demokratik që i respekton të drejtat e njeriut. Kjo është e rëndësishme për ekonominë, për stabilitetin, është e rëndësishme për Kosovën në mënyrë që të jetë partner sigurie në bashkësinë ndërkombëtare. Respekti për sundimin e ligjit, besimi i publikut në institucione, të gjitha këto i kontribuojnë synimeve që Kosova dëshiron t’i arrijë.