Intervista e zëvendësndihmëssekretarit Matthew Palmer me Radio KiM

Intervista e zëvendësndihmëssekretarit Matthew Palmer me Goran Avramoviqin e Radios KiM, 23 tetor 2018

Goran Avramoviq: Sipas mendimit tuaj, a ka ndryshuar politika e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor pasi ju morët postin e ushtruesit të detyrës së zëvendësndihmëssekretarit?

Zëvendësndihmëssekretari Matthew Palmer: Politika e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë viteve. E mbështesim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Evropian dhe për të gjitha ato vende që dëshirojnë, pra praktikisht të gjitha përveç Serbisë, edhe anëtarësimin në NATO. E mbështesim paqen, prosperitetin, bashkëpunimin midis kombeve dhe një të ardhme evropiane për rajonin.

Avramoviq: Tema kryesore politike e këtij sezoni ishte dhe ende është, natyrisht, mundësi e shkëmbimit territorial ose korrigjimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës. Nën cilat rrethana SHBA-ja mund ta konsiderojnë këtë lloj të marrëveshjes territoriale si zgjidhje të pranueshme?

ZNS Palmer: Qëllimi ynë është ta mbështesim normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Një marrëveshje e tillë do të duhej të ishte gjithëpërfshirëse dhe do të përfshinte çështje politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare, kulturore. Mendojmë që një marrëveshje duhet të jetë në pronësi lokale, duhet të jetë e qëndrueshme, duhet të jetë e përshtatshme për të dy palët dhe kështu, ajo që kemi bërë është inkurajimi i palëve që të punojnë së bashku përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për ta definuar normalizim e plotë dhe sajuar një proces për të arritur në atë gjendje.

Avramoviq: Shumë njerëz janë të shqetësuar se nëse ka ndonjë lloj marrëveshjeje territoriale kjo do të mund ta destabilizonte Kosovën dhe politikën e saj shumetnike, por edhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në shumë aspekte. A e ndani këtë mendim?

ZNS Palmer: Nëse një marrëveshje për normalizimin e plotë midis Beogradit dhe Kosovës do ta përfshinte edhe një marrëveshje për caktimin e kufijve ose një përshtatje të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, kjo do të ishte marrëveshje me pëlqim të ndërsjellë midis dy shteteve të pavarura e sovrane. Ndryshe nga dinamika e një shteti të veçantë kombëtar – mendoj, jo një precedent për situata të tjera në Ballkan. I kuptoj shqetësimet e atyre që i kanë artikuluar rreziqet që kjo do të mund të paraqiste si precedent. Ka rreziqe në anën tjetër. Ka rreziqe nga dështimi për të arritur marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin, rreziqet e një konflikti afatgjatë e të ngrirë në rajon që do ta dëmtonte paqen, stabilitetin dhe prosperitetin për të gjithë. Prandaj, mendoj se është çështje e balancimit të rreziqeve dhe gjetjes së një mënyre për t’i zbutur ato rreziqe nëse vërtet kjo është pjesë e një pakoje më të gjerë për normalizimin.

Avramoviq: Ju personalisht keni theksuar disa herë se vazhdimi i Dialogut të Brukselit dhe zbatimi i marrëveshjeve ishte i një rëndësie kyçe. Prandaj, cili është qëndrimi juaj kur flasim për asociacionin/komunitetin e komunave serbe?

ZNS Palmer: Mendojmë se është me rëndësi që të gjitha marrëveshjet që janë arritur në procesin e dialogut të zbatohen dhe mendojmë se është me rëndësi që të dy palët të punojnë së bashku për normalizimin e plotë dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve.

Avramoviq: Gjithashtu keni thënë se SHBA-ja dhe Rusia kanë ambicie shumë të ndryshme në Ballkan dhe keni shprehur shqetësime rreth punës së rusëve kundër marrëveshjes midis Beogradit dhe Prishtinës. A shihni dëshmi të kësaj në praktikë?

ZNS Palmer: Mendoj se ajo që kemi parë vazhdimisht është se Shtetet e Bashkuara mbështesin një të ardhme evropiane për rajonin. Integrimi në institucionet evropiane dhe euroatlantike për ta mbështetur një sistem në Ballkanin Perëndimor që bazohet në besim, në sundim të ligjit, në norma dhe vlera. Rusia vazhdimisht ka punuar në gjithë rajonin për t’i minuar përpjekjet e vendeve të Ballkanit për të ecur përpara drejt një të ardhmeje evropiane. E shihni këtë më së qarti në mbështetjen e Rusisë për përpjekjen për grushtshtet në Mal të Zi në vitin 2016. E shihni atë në kundërshtimin shumë të hapur të Rusisë ndaj Marrëveshjes së Prespës në Maqedoni. Dhe mendoj që mund t’i shihni në mediat sociale dhe në mediat në gjuhën ruse në Ballkan përpjekjet për ta minuar progresin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Prandaj, do të thosha që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë vizione shumë të ndryshme lidhur me të ardhmen e këtij rajoni. Mendoj që është shumë e qartë se vizioni i SHBA-së për këtë rajon është dukshëm më konsistent me ambiciet që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për vete.

Avramoviq: Dhe si e shihni Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rolin e UNMIK-ut në Kosovë këto ditë? Në letrën e saj të dorëheqjes drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ambasadorja në largim e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, i kërkoi OKB-së ta tërhiqte misionin e vet nga Kosova duke thënë e kishte përmbushur mandatin e vet se shumë kohë më parë.

ZNS Palmer: Shikoni, mendoj se letra e ambasadores Haley është tërësisht në përputhje me qëndrimin që Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë dhe e kanë mbajtur për disa kohë. UNMIK-u në një moment kishte një rol në Kosovë – një rol të rëndësishëm – ajo kohë ka perënduar. UNMIK-u si institucion, UNMIK-u si mision e ka përmbushur atë që kemi kërkuar prej tij. Nuk ka vlerë në mbajtjen e institucioneve që e kanë përmbushur misionin e vet ose e kanë tejkaluar kohën e duhur. Prandaj, mendojmë se është koha të ecim përpara nga UNMIK-u. Mendojmë se fokusi duhet të jetë, tani, në mbështetjen dhe inkurajimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë dhe t’i lejojmë këto dy vende të ecin përpara si fqinjë.

Avramoviq: A mund ta vazhdoj në lidhje me këtë? A është e mundur kjo pa një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së?

ZNS Palmer: A është e mundur që Beogradi dhe Prishtina ta arrijnë marrëveshje? Po është. A do të ketë vlerë në një moment në këtë proces në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që e pohon dhe mbështet atë? Mendoj se është plotësisht e mundur.

Avramoviq: Të kthehemi në Prishtinë. Duket sikur Kosova po shkon ngadalë drejt krijimit të ushtrisë, pa ndryshime kushtetuese siç po e shohim në terren.

ZNS Palmer: Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht kalimin gradual dhe transparent të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Nuk mendoj që ka ndonjë nxitim të madh për këtë. Në të vërtetë, në Parlament ka shumë legjislacion që pret të miratohet, përfshirë sundimin e ligjit, dhe do të ishte e pavend që Parlamenti të shpërqendrohej nga kjo çështje. Ka një mirëkuptim mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës për mënyrën se si ky proces duhet të ecë përpara. Është një përpjekje shumëvjeçare, nuk është diçka që do të ndodhë brenda natës. Por Kosova është vend i pavarur e sovran, dhe kjo është plotësisht në përputhje me të drejtat e Kosovës si vend dhe, mendoj, do të vazhdojë në një mënyrë që e mbështet paqen dhe sigurinë rajonale.

Avramoviq: Dhe pyetja e fundit, pasi po flasim për UNMIK-un dhe misionet ndërkombëtare në Kosovë, çka mendoni për kthimin e personave të zhvendosur? A e dini që këtu në qytetin e Prishtinës në dhjetë – pesëmbëdhjetë vjetët e fundit nuk jetojnë më shumë se dyzet serbë? Para vitit 1999, këtu jetonin rreth 40,000 serbë. Pra, si ndodhi që serbët të mos jetojnë në qytete në Kosovë pas luftës, përveç në një pjesë të vogël të Mitrovicës veriore?

ZNS Palmer: Shtetet e Bashkuara fuqimisht mbështesin kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e veta në Kosovë dhe mendojmë se është me rëndësi që autoritetet në Kosovë të bëjnë çmos për të krijuar kushte të favorshme për kthime. Në afat të gjatë, do të thosha që normalizimi i plotë i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë do t’i mbështesë kthimet, do ta krijojë një klimë dhe mjedis të favorshëm për kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre. Është diçka që shumë do të donim ta shihnim. Karakteri shumetnik i Kosovës është jetik për fuqinë e Kosovës si shtet, jetik për fuqinë e Kosovës si shoqëri. Angazhohemi për këtë. Angazhohemi ta mbështesim një Kosovë shumetnike dhe ta ndihmojmë një Kosovë shumetnike drejt një të ardhmeje të begatë evropiane.