Intervista e Zëvendës-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Yee për televizionin Klan Kosova, April 8, 2016

Klan Kosova: Z. Yee, mirësevini në Klan Kosovë.

Z. Yee: Ju faleminderit shumë. Është kënaqësi që jam këtu.

Klan Kosova: Cili është qëllimi i vizitës suaj në Kosovë?

Z. Yee: Është gjithmonë kënaqësi për të ardhur në Kosovë. Kam ardhur në Kosovë prej viteve ’90-ta dhe sa herë që e vizitoj vendin ka diçka pozitive për tu shënuar, edhe pse ende ka shumë punë këtu. Këtë herë veçanërisht kam ardhur për inaugurimin e Presidentit. Natyrisht që kjo është e rëndësishme për Kosovën: është hera e parë kur ka bartje të pushtetit në mënyrë paqësore në pajtim me ligjin dhe kushtetutën e Kosovës. Dëshiroj që në emër të qeverisë amerikane ta shpreh mbështetjen për tranzicionin demokratik të Kosovës, për proceset demokratike, institucionet demokratike dhe natyrisht, është mundësi e mirë për tu takuar me zyrtarë të qeverisë, me Presidentin për t’ia shprehur dëshirat tona për të ardhmen e Kosovës, për të punuar në fushat që janë të rëndësishme për ne, por ç’është më e rëndësishme, për të punuar në fushat që janë të rëndësishme për popullin e Kosovës.

Klan Kosova: Z. Yee, a është kjo mbështetje personale për z. Thaçi apo për institucionet e Kosovës?

Z. Yee: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahëse të fuqishme të Kosovës si vend dhe siç e thashë, para së gjithash ne i mbështesim dhe i gëzohemi përparimit të arritur nga institucionet e Kosovës, qeveria e Kosovës dhe populli i Kosovës, si dhe që vendi po merr pjesë në proces demokratik, gjë që tregon se Kosova po ec përpara duke u bërë vend demokratik me ekonomi të tregut, është pjesë e Evropës dhe me aspirata për tu bërë anëtare e institucioneve evropiane. Pra, natyrisht, jemi këtu për ta uruar presidentin e ri, por para së gjithash jemi këtu për të shënuar, njohur dhe festuar të arriturat e popullit të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat kanë dhënë këtë rezultat, i cili tregon se Kosova po piqet si demokraci.

Klan Kosova: Z. Yee, çka mendoni për zonjën Atifete Jahjaga, tashmë ish-presidenten? Ajo ishte presidente e Kosovës për pesë vjet. Cili është mendimi juaj për të? Ajo largohet sot.

Z. Yee: Presidentja Jahjaga, sipas mendimit tonë, ka qenë presidente e shkëlqyeshme. Ajo ka qenë përfaqësuese e shkëlqyeshme e popullit të Kosovës; fytyrë miqësore e popullit të Kosovës; që i ka përfaqësuar interesat e Kosovës në mënyrë shumë efikase; që ka qenë simbol i fuqizimit të grae, jo vetëm në rajon, por në tërë botën; që ka luftuar për të drejtat e viktimave të dhunës e të diskriminimit; që ka qenë shumë efikase në tërheqjen e mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara; në tërheqjen e më shumë ndihmës, përfshirë edhe asaj financiare nga Shtetet e Bashkuara, të institucioneve qeveritare; që, ne besojmë, ka ndihmuar në forcimin e çështjeve brenda Kosovës për luftimin e korrupsionit, për rritjen e dialogut në mes të partive politike; në përpjekjet për ta avancuar një ekonomi më të fortë, për zhvillim më të mirë ekonomik, për më shumë vende pune për popullin e Kosovës. Ne i dëshirojmë asaj gjithë të mirat. Kemi qenë shumë të lumtur që kemi punuar me Presidenten dhe mirëpresim që të punojmë me Presidentin e ri.

Klan Kosova: Z. Yee, ka shtatë muaj që Kosova po përballet me krizë politike. Cili është vlerësimi juaj këtu në Kosovë, zhvillimet në Kuvendin e Kosovës – gazi lotsjellës, uji, gjuajtja me vezë – ka pasur skena të këqija këtu për gjashtë-shtatë muaj?

Z. Yee: Shtetet e Bashkuara besojnë se udhëheqësit politikë, udhëheqësit e zgjedhur të Kosovës, duhet ta kryejnë punën të cilën janë zgjedhur për ta bërë dhe besojmë se kjo është që të merren me brengat dhe nevojat e popullit të Kosovës. Sa e kuptoj unë, populli i Kosovës dëshiron ta shohë një luftë më efikase kundër korrupsionit, dëshiron të shohë më pak papunësi, më shumë vende pune, si dhe dëshiron të shohë përmirësim të përgjithshëm të ekonomisë së Kosovës, ashtu që Kosova të ketë të ardhme më të mirë brenda Evropës, brenda bashkësisë ndërkombëtare. Kriza politike qartazi nuk bën asgjë për ta ndihmuar asnjërën nga këto fusha. Kjo nuk është diçka që mund të shpërfillet, por duhet të zgjidhet. Duhet të gjindet një zgjidhje. Ne në qeverinë amerikane iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të zgjedhur, të gjitha partive politike që ta kryejnë detyrën e tyre si përfaqësues të zgjedhur të popullit, pra që të negociojnë, të hyjnë në dialog – në mirëbesim – me njëri-tjetrin dhe të gjejnë zgjidhje. Siç e thatë edhe ju, për fat të keq imazhi i Kosovës është dëmtuar nga skenat e përdorimit të gazit lotsjellës, të dhunës në Kuvend dhe jashtë Kuvendit. Është shumë me rëndësi që udhëheqësit kosovarë ta kuptojnë ndikimin negativ të skenave të këtilla në mediumet ndërkombëtare të lajmeve. Të gjithë këta udhëheqës duhet ta pranojnë përgjegjësinë e tyre për ta korrigjuar këtë imazh, për të gjetur zgjidhje që po e bllokojnë konsensusin politik, për të gjetur mënyrën për të ecur përpara. Pa marrë parasysh a ju pëlqen apo jo, në çdo demokraci duhet të ketë frymë të kompromisit, frymë për të gjetur zgjidhje për problemet – jo vetëm për t’i tejzgjatur ato – dhe ata duhet ta kuptojnë se ne, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, do t’i mbajmë përgjegjës udhëheqësit për kryerjen e punës së tyre. Ne besojmë shumë fuqishëm se udhëheqësit para së gjithash duhet t’i japin llogari popullit të tyre, por meqenëse ne jemi partnerë të Kosovës, miq të Kosovës dhe shpresojmë aleatë të ardhshëm të Kosovës, presim që udhëheqësit t’i përmbahen pjesës së tyre të pazarit, që është ta mbështesin demokracinë, ta kryejnë punën të cilën janë zgjedhur për ta bërë, t’i përmbushin obligimet dhe premtimet e tyre ndaj bashkësisë ndërkombëtare, si dhe ndaj popullit të Kosovës.

Klan Kosova: A mendoni se kjo duhet të jetë koha e fundit që udhëheqësit të hyjnë në dialog politik në mes vete për t’i zgjidhur dallimet e tyre?

Z. Yee: Ne besojmë se është me rëndësi të ndalen së përdoruri taktikën e dhunës, të pengimit, të gazit lotsjellës dhe koktejve të Molotovit. Kjo paraqet keqpërdorim të papranueshëm të pushtetit, të mjeteve politike. Është shumë me rëndësi që udhëheqësit ta kuptojnë se përderisa pjesa tjetër e rajonit, vendet në fqinjësi të Kosovës, po ecin përpara, po përparojnë drejt Bashkimit Evropian ose drejt NATO-s, Kosova jo vetëm që po qëndron në vend – ajo po ec prapa – përderisa këta udhëheqës politikë po luftojnë në mes vete dhe po e bllokojnë Kuvendin ose proceset e tjera politike. Kosova po humbet mundësitë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike. Investitorët ndërkombëtarë nuk do të vijnë për të investuar në një vend ku udhëheqësit politikë sillen me kaq papërgjegjësi. Pra, mendoj se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar në thirrjen e saj ndaj udhëheqësve, prej presidentit, kryeministrit, udhëheqësve të opozitës, për ta kryer punën për të cilën janë zgjedhur: që të gjejnë zgjidhje për mospajtimet politike, të fillojnë të miratojnë ligjet që vendit i duhet për ta luftuar korrupsionin dhe për të arritur rezultate që do të krijojnë vende pune, ta përmirësojnë ekonominë dhe ta përfundojnë këtë klimë të pandëshkueshmërisë në të cilin korrupsioni mund të mbizotërojë.

Klan Kosova: Z. Yee, çka mendoni rreth dy marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat po kundërshton dhe po flet opozita: Asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi?

Z. Yee: Siç e përmenda, kam ardhur në rajon dhe në Kosovë prej viteve ’90-ta dhe e kam pasur të qartë, e besoj edhe vëzhguesit e tjerë të këtij rajoni, e kanë të qartë se që vendet ta përmirësojnë ekonominë e tyre, stabilitetin e tyre politik, mundësitë për të rinjtë në vendet e tyre, ato vende duhet të kenë marrëdhënie të mira me fqinjtë; duhet t’i zgjidhin mospajtimet me fqinjtë e tyre, duhet të gjejnë mënyra për të pasur tregti normale, apo idealisht të shëndoshë, tregti, shkëmbim të mallrave dhe shërbimeve përtej kufijve me fqinjtë e tyre. Vendet që kanë mospajtime ose më keq, konflikte me fqinjtë e tyre mbesin prapa rajonit. Nëse shohim nëpër botë rajonet ku vendet lulëzojnë, ku vendet ecin drejt integrimeve në NATO ose në Bashkimin Evropian, këto janë ato vende që kanë arritur t’i zgjidhin konfliktet apo mosmarrëveshjet me vendet përreth tyre. Shtetet e qëndrueshme, demokratike dhe të begatshme zakonisht janë të rrethuara me vende tjera të qëndrueshme, demokratike dhe të begatshme. Prandaj është shumë e rëndësishme që Kosova të rrethohet me vende tjera demokratike, të qëndrueshme dhe të begatshme nëse dëshiron që edhe ajo vetë të jetë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatshme. Por, t’i kthehem pyetjes suaj: ne i mbështesim të gjitha marrëveshjet, çfarëdo marrëveshje që ndihmon në zgjidhjen e problemeve me fqinjët. Natyrisht, ato duhet të jenë në pajtim me ligjin ndërkombëtar, me kushtetutat e vendeve përkatëse, por marrëveshja për Asociacionin, që është arritur me ndihmën e Bashkimit Evropian, është ndërmjetësuar pjesërisht nga Bashkimi Evropian, si dhe marrëveshja për kufirin me Malin e Zi janë marrëveshje që mëtojnë përmirësimin dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjtë dhe kjo është shumë me rëndësi. Mendojmë se qeveria duhet të vazhdojë t’ia shpjegojë opinionit publik, qytetarëve se pse këto marrëveshje, pse këto lloj marrëveshjesh janë të domosdoshme dhe shpresojmë se qeveria do të gjejë mënyra për të pasur marrëdhënie normale dhe të shëndosha me Serbinë dhe vendet e tjera në rajon, ashtu që të ketë tregti edhe më të madhe, investime më të mëdha në të dy drejtimet, lëvizje të lirë të mallrave dhe shërbimeve përtej kufijve për të mirën e popullit të të gjitha shteteve të përfshira.

Klan Kosova: A mendoni se dialogu në vazhdim e sipër është produktiv dhe që duhet të vazhdojë?

Z. Yee: Absolutisht. Besoj që dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është njëri prej zhvillimeve më të rëndësishme në rajon gjatë disa viteve të fundit. Ai tregon se vendet që kanë dallime rrënjësore të mendimeve, të këndvështrimeve ndaj njëri-tjetrit mund të gjejnë mënyra për të ecur përpara, mund t’i zgjidhin dallimet, mund të arrijnë marrëveshje që do t’ua mundësojë të dy vendeve për t’i përmbushur synimet e tyre. E të dy vendet duan të kenë të ardhme më të begatshme për popullin e tyre; të dy vendet duan të integrohen në Evropë, të dy vendet duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Kosova, natyrisht, dëshiron t’i bashkohet edhe NATO-s. Ky lloj dialogu, ky qetësim i tensioneve, i gjetjes së mënyrave për t’i zgjidhur mospajtimet, të cilat kanë zgjatur për vite të tëra, është proces i rëndësishëm. Dialogu është mënyra më e mirë – në të vërtetë, është e vetmja mënyrë – që Prishtina dhe Beogradi t’i zgjidhin këto probleme me kohë. Pra, ne fuqishëm e mbështesim procesin e dialogut. Nuk po shkon aq shpejt sa do të mundte ose sa do të duhej dhe ne i nxisim udhëheqësit në Beograd dhe në Prishtinë që ta bëjnë më të mirën e tyre për shpejtimin e procesit sepse koha nuk është në anën e asnjërës qeveri. Pjesa tjetër e rajonit po ec përpara; Bashkimi Evropian natyrisht ka shumë çështje për t’i trajtuar. Sa më shumë kohë që iu merr të dy vendeve për të arritur marrëveshje dhe për t’i zbatuar ato, aq më shumë kohë do të marrë procesi i integrimit, i cili dëshirohet nga të dy vendet. Pra, do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun, do të vazhdojmë t’i nxisim të dy qeveritë, në Beograd dhe në Prishtinë për të gjetur zgjidhje dhe ç’është po aq e rëndësishme, për t’i zbatuar marrëveshjet që janë arritur deri tash.

Klan Kosova: Cili është vlerësimi juaj se si po ia del Kosova në luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar?

Z. Yee: Korrupsioni është ndër sfidat më të mëdha jo vetëm për Kosovën, por do të thosha për të gjitha vendet në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Natyrisht që ka korrupsion në të gjitha vendet, përfshirë edhe në vendin tim. Por, është me rëndësi që qeveritë të marrin qëndrim të rreptë, jo vetëm moralisht dhe politikisht, por edhe sa i përket masave praktike kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në thelb kjo do të thotë që duhet të ketë pasoja për korrupsion. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri. Njerëzit që kryejnë vepra të korrupsionit apo të krimit të organizuar duhet të ndiqen penalisht. Çka është më me rëndësi: nëse janë fajtorë, ata duhet të dënohen, e nëse dënohen, duhet të shkojnë në burg. Duhet të ketë pasoja dhe nëse shkojnë në burg, atëherë duhet të mbahen në burg, e të mos kenë mundësinë që të lirohen gjatë fundjavës për të shkuar në shtëpi. Ata duhet të dinë, qofshin kriminelë të organizuar apo zyrtarë të korruptuar, duhet ta dinë se ka pasoja. Kjo, besoj, është njëra ndër fushat ku presidenti, qeveria duhet të bëjnë më shumë për t’iu treguar qytetarëve se janë plotësisht të përkushtuar për ta luftuar korrupsionin. Që qytetarët ta dinë që nuk është e domosdoshme për t’iu dhënë ryshfet mjekëve për ta caktuar një termin për trajtim mjekësor. Qytetarët duhet ta dinë se paratë prej tatimeve të tyre nuk shkojnë në xhepin e zyrtarëve të korruptuar dhe që nëse ndonjë zyrtar, pa marrë parasysh a është ai/ajo në qeveri, pa marrë parasysh ç’pozitë të lartë mban ai apo ajo, ai zyrtar do të ndiqet penalisht nëse zbulohet se ai/ajo ka kryer vepra korruptive. Mendoj se qytetarët kosovarë kanë nevojë të sigurohen sërish nga qeveria se kriminelët e organizuar në rajon nuk mund ta shfrytëzojnë Kosovën si strehë për veprimtaritë e tyre të krimit të organizuar.  Kosova nuk duhet të jetë vend ku kanë qasje kriminelët e organizuar, të cilët kanë pasur mundësi të tregtojnë ilegalisht me lëndë narkotike apo mallra të tjera ilegalë. Duhet t’i bëhet e qartë edhe pjesës tjetër të rajonit se Kosova nuk është më vend ku kriminelët mund të vijnë dhe të bëjnë biznes e të mos shqetësohen se a do të kapen dhe ndëshkohen.

Klan Kosova: A mendoni se do të themelohet Gjykata Speciale? Çka pritni nga ky institucion?

Z. Yee: Ne besojmë se është shumë me rëndësi për Kosovën dhe tërë rajonin që të sigurohemi se drejtësia vihet në vend dhe krimet ndëshkohen; që njerëzit përgjegjës për ato krime të dalin para drejtësisë. Gjykata Speciale është pjesë e kësaj domosdoshmërie për krijimin e instrumenteve, të institucioneve të domosdoshme për ndjekjen penale të njerëzve që dyshohen se kanë kryer krime të rënda. Nuk e dimë se kur do të krijohet Gjykata Speciale, por sipas këndvështrimit tonë dhe të Bashkimit Evropian, kjo gjykatë duhet të krijohet sa më shpejt që është e mundur. E përgëzoj Qeverinë e Kosovës, ish-Presidenten e Kosovës që e kanë kryer pjesën e tyre të punës duke i hartuar ligjet dhe miratuar ligjet dhe amandamentet kushtetuese për ta mundësuar krijimin e Gjykatës Speciale. E dimë se kjo çështje jodomosdoshmërisht është politikisht e popullarizuar nga të gjithë, por bashkësia ndërkombëtare po e vështron me shumë kujdes se si Kosova po e trajton çështjen e krijimit të kësaj gjykate. Ne po e ofrojmë mbështetjen tonë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian po e japin mbështetjen e tyre për krijimin e kësaj gjykate. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe presim që qeveria t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar krijimin e gjykatës sa më shpejt që është e mundur. Po ashtu, llogarisim që Holanda ta miratojë legjislacionin e domosdoshëm për krijimin e Gjykatës Speciale, prandaj nuk po e vëzhgojmë vetëm Kosovën, por edhe anëtaret e Bashkimit Evropian, veçanërisht Holandën, për ta kryer pjesën e tyre të punës për krijimin e Gjykatës sa më shpejt që është e mundur.

Klan Kosova: A mendoni se Gjykata Speciale po themelohet për të ndjekur penalisht vetëm shqiptarët etnikë? Kjo ka qenë tema kryesore, jo vetëm në Kuvend, por edhe në medie për një kohë të gjatë.

Z. Yee: Qëllimi i Gjykatës Speciale kurrë nuk ka qenë që ta ketë cak vetëm një grup etnik ose një orientim politik. Ajo është krijuar për t’i shqyrtuar krimet e dyshuara të cekura në raportin e Marty-t. Dhe të gjithë ne në bashkësinë ndërkombëtare, që jemi të përfshirë në krijimin e gjykatës, jemi zotuar se do të jemi plotësisht të drejtë, t’i përmbushim standardet më të larta të normave ndërkombëtare, të të drejtës ndërkombëtare, gjatë krijimit të kësaj gjykate. Nuk është në interesin e askujt për ta krijuar një institucion, i cili do ta trajtonte cilido grup të një populli padrejtësisht ose njëanshëm. Qëllimi ynë është ta ndihmojmë Kosovën për ta mbyllur një kapitull të vështirë të historisë së saj, për ta mënjanuar këtë re të dyshimit që ka qëndruar mbi Kosovën me vite të tëra. Nëse gjykata nuk krijohet, nëse krimet e dyshuara nuk hetohen plotësisht dhe nuk ndiqen penalisht, nëse ka dëshmi për to, atëherë kjo re do të vazhdojë t’i qëndrojë sipër Kosovës. Kjo do të ndikojë në imazhin e Kosovës si vend që mëton t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Do ta mbajë prapa këtë vend si vend që dëshiron t’i tërheqë investimet e jashtme, si vend që dëshiron të shihet si anëtare e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare. Kosova do të vuajë nëse gjykata nuk themelohet dhe nuk lejohet ta kryejë punën e vet. Pra, ne mbështesim fuqimisht krijimin e gjykatës. Do t’i kërkojmë nga ajo dhe nga njerëzit që punojnë në të standardet më të larta. Natyrisht, do ta vëzhgojmë shumë afër. Jemi optimistë se kur të krijohet, gjykata do ta kryejë punën e vet në mënyrë korrekte.

Klan Kosova: Z. Yee, si e shihni Kosovën? A e shihni Kosovën si partnere serioze në koalicionin kundër terrorizmit?

Z. Yee: Po, ne e konsiderojmë Kosovën partnere të vlefshme kundër terrorizmit. E dimë se Kosova është e përkushtaur për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht terroristët. E dimë se keni nxjerrë një ligj, që Kosova ka miratuar ligjin kundër luftëtarëve – terroristëve që marrin pjesë në konflikte të huaja, si dhe që keni miratuar strategjinë kombëtare kundër terrorizmit dhe që keni filluar ta zbatoni atë. Mendojmë se është shumë me rëndësi që të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Kosovën, të bëjnë gjithçka që munden për ta trajtuar këtë fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm, për të siguruar që të rinjtë e dinë se nëse shkojnë në një vend të huaj – qoftë në Lindjen e Mesme apo diku tjetër nëpër botë – për të luftuar në konflikte kundër qeverisë për qëllime politike, gjë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, kjo nuk është zgjidhje e mirë. Është me rëndësi që Kosova të krijojë mundësi për të rinjtë, alternativa përballë ekstremizmit, si dhe për të ofruar të ardhme mjaftueshëm të ndritshme, mundësi për të rinjtë ashtu që të mos joshen nga ata që promovojnë ekstermizmin e dhunshëm ose terrorizmin e huaj.

Klan Kosova: Z. Yee, dëshiroj të flas pak rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Sa larg është Kosova nga BE-ja sa i përket integrimit?

Z. Yee: Siç e dini, Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar në dialogun me Serbinë si mënyrë për ta ndihmuar Kosovën për t’i normalizuar marrëdhëniet e saj me Serbinë. Siç e përmenda më herët, kjo është pjesë e rëndësishme për t’ia demonstruar Bashkimit Evropian se Kosova është e gatshme t’i bashkohet asaj. Vendet që kanë mospajtime me fqinjët e tyre në përgjithësi nuk mirëpriten në Bashkimin Evropian, e as në NATO. Pra, ky është hap shumë i rëndësishëm dhe përparimi i arritur prej marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 – të arritur përmes dialogut – është mbresëlënës. Megjithatë, duhet të ketë përparim më të shpejtë, duhet të përshpejtohet dhe besoj se mund të bëhet ashtu. Nëse ka vullnet politik, Kosova dhe Serbia, Beogradi dhe Prishtina mund të ecin më shpejt, besojmë se mund të ecin shumë më shpejt. Pra, kjo është thirrja jonë për qeverinë, për presidentin e ri, për të bërë gjithçka brenda autoritetit të tyre për ta përshpejtuar procesin e normalizimit me Serbinë. Natyrisht, përveç marrëdhënies me Serbinë dhe vendet e tjera fqinje në rajon, Kosova duhet ta forcojë konkurrueshmërinë e saj ekonomike. Sepse, nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian, ajo duhet të ketë ekonomi që do të jetë në gjendje të integrohet në pjesën tjetër të Evropës ashtu që Kosova të mos mënjanohet nga konkurrenca prej Evropës. Nëse nuk ka pengesa në tregtinë me Kosovën dhe Kosova konkurron me bizneset evropiane…

Klan Kosova: Tash me MSA-në.

Z. Yee: … do të jetë shumë me rëndësi për Kosovën që të jetë në gjendje për të konkurruar; që bizneset kosovare të kenë standardin e njëjtë me ato të Evropës. Pra, mbetet ende shumë punë për të bërë. Sërish, do t’i kthehem çështjes së luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Nëse korrupsioni lejohet ta mbizotërojë jetën ekonomike dhe politike në Kosovë, atëherë Kosova nuk do të jetë konkurruese me pjesën tjetër të Evropës, nuk do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar asaj. Pra, është shumë me rëndësi që qeveria të vazhdojë t’i luftojë praktikat korruptive dhe krimin e organizuar si një mënyrë për t’i treguar Evropës se Kosova po bëhet gati për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Më lejoni të them se ne mbështesim fuqimisht, që qeveria amerikane i mbështet fuqimisht aspiratat e Kosovës për tu bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Pjesa më e madhe e programit të Agjensisë sonë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) mëton ta ndihmojë Kosovën për tu kualifikuar më mirë, për të qenë më e qëndrueshme ekonomikisht dhe demokratisht si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Klan Kosova: Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian: Kosova ende është vrima e zezë e rajonit. Qytetarët kosovarë nuk mund të lëvizin lirisht nëpër BE. Atyre ende iu nevojiten vizat.

Z. Yee: Shpresojmë shumë që Kosova do t’i përmbushë kërkesat për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Ky, natyrisht, nuk është vendim i Shteteve të Bashkuara, është vendim i Bashkimit Evropian, por e nxisim qeverinë për t’i përmbushur kriteret e caktuara nga Bashkimi Evropian dhe jemi të lumtur që po shohim se Kosova ka arritur përparim të madh në këtë fushë. Natyrisht, kjo do të vendoset nga Bashkimi Evropian, shpresojmë së shpejti, madje shpresojmë këtë vit. Sërish, kjo i takon Brukselit dhe vendeve anëtare, por çka Kosova mund të bëjë është të sigurohet se i ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë program, që po pasqyron pamjen e Kosovës si vend që i respekton standardet evropiane, i respekton ligjet evropiane, ashtu që anëtaret e BE-së të jenë më mikpritëse ndaj qytetarëve të Kosovës. Po e them prapë, pamjet e gazit lotsjellës dhe të koktejve të Molotovit në Kuvendin e Kosovës janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me synimin e qytetarëve të Kosovës për tu mirëpritur në Evropë pa viza. Pra, është jashtëzakonisht e rëndësishme që politikanët t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre, që janë që të sillen në përputhje me normat dhe standardet evropiane. E nëse e bëjnë këtë, nëse mund t’i miratojnë ligjet, nëse kanë mundësi për t’i përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, atëherë besoj se edhe evropianët do ta bëjnë pjesën e tyre dhe do t’ia shtrijnë Kosovës dorën e miqësisë.

Klan Kosova: Z. Yee, është ora 10:17. Nuk besoj që dëshironi që të vonoheni për ceremoninë e inaugurimit.

Z. Yee: Nëse vonohem, do t’ju fajësoj juve.

Klan Kosova: S’ka problem. Ju faleminderit që ishit këtu, ju faleminderit që ishit në Klan Kosova.

Z. Yee: Ju faleminderit për pritjen. Ishte kënaqësia ime. Shpresoj që do të kthehem sërish.

Klan Kosova: Edhe ne shpresojmë, po ashtu.