Intervista e Ndihmëssekretares Nuland për RTK-në. 12 korrik 2015

RTK: Zonja Nuland, mirësevini.

Nuland: Ju faleminderit. Është kënaqësi që jam sërish në Kosovë.

RTK: Cili do të ishte reagimi i SHBA-së nëse Kosova e krijon Gjykatën Speciale dhe cili do të ishte nëse Kosova dështon në themelimin e Gjykatës Speciale?

Nuland: Ju dhe shikuesit tuaj e dini që Shtetet e Bashkuara e kanë përkrahur fuqimisht krijimin e Gjykatës Speciale. Ishim shumë të shqetësuar kur nuk kaloi në Kuvend për herë të parë. Kam kaluar shumë kohë sot duke biseduar me të gjitha palët e interesit, me qeverinë, me opozitën, kryetarin e kuvendit rreth rëndësisë së krijimit të Gjykatës Speciale për arsye se ka të bëjë me drejtësinë, me llogaridhënien, për kthimin e faqes së historisë së të kaluarën ashtu që Kosova të lëvizë përpara. Dhe kur Kosova të lëvizë përpara me këtë çështje, kjo do të forcojë aftësinë e Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur Kosovën ndërkombëtarisht, do t’na forcojë neve kur shkojmë në Bashkimin Evropian dhe kur të argumentojmë se po bëheni më shumë evropianë dhe se po i përmbushni standardet globale dhe evropiane. Pra, është shumë me rëndësi që të ecet përpara me Gjykatën dhe shpresojmë se do të ketë edhe një votim para pushimeve verore dhe që do të kalojë.

RTK: Çfarë pasojash mund t’i ketë Kosova nëse kjo Gjykatë krijohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara?

Nuland: Kjo na brengos që nëse nuk e krijoni këtë Gjykatë vetë, nëse nuk i ndërmerrni vetë hapat tuaj për drejtësi dhe nëse nuk i ndërmerrni vetë hapat për t’iu kërkuar njerëzve llogari, atëherë bashkësia ndërkombëtare do ta bëjë këtë në vendin tuaj. E nëse ndodh kjo gjë, atëherë do ta humbni kontrollin rreth mënyrës se si do të krijohet, mund të mos funksionojë në atë mënyrë me të cilën jeni rehat dhe sinqerisht marrëdhënia juaj me bashkësinë ndërkombëtare mund të pezullohet përderisa ky proces ec përpara ose përderisa Gjykata e OKB-së e kryen punën e vet. E ne nuk e dëshirojmë këtë gjë. Dëshirojmë që Kosova të vazhdojë të ecë përpara në rrugëtimin e saj demokratik dhe përparimtar; dëshirojmë që ajo të jetë në gjendje që të ecë përpara me Evropën dhe me ne dhe kjo është arsyeja pse dëshirojmë që kjo Gjykatë të krijohet nga legjislativi këtu.

RTK: Janë disa marrëveshje të arritura në Bruksel si rezultat i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si e sheh SHBA-ja këtë proces dhe ku mendoni se qëndron problemi i zbatimit të atyre marrëveshjeve?

Nuland: Jemi përkahës të fuqishëm të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me mbështetjen e Përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini. Ma merr mendja që e dini që Shtetet e Bashkuara në përgjithësi e vëzhgojnë çdo raund të bisedimeve dhe përpiqen t’i ndihmojnë palët për gjetjen e zgjidhjeve të mira. Kjo ka të bëjë për normalizimin e marrëdhënieve tuaja. Kjo bëhet që këto dy vende të bëhen vende të forta që jetojnë krah për krah njëra-tjetrës në paqe. Ka të bëjë me atë që Beogradi duhet ta pranojë të drejtën e Kosovës për një shtet të fuqishëm dhe të njësuar që menaxhon vetë të ardhmen e vet, por po ashtu edhe për qeverinë e Kosovës që të krijojë hapësirë për të gjithë njerëzit këtu që të ndjehen se kanë kontroll mbi të ardhmen e tyre. Ka të bëjë me krijimin e përgjegjësive nëpër tërë vendin. Pra, ne mendojmë se është shumë me rëndësi. Kemi parë përparim të mirë lidhur me çështjen e gjyqësorit dhe të çështjeve të tjera, me atë që tani Kosova i menaxhon vetë punët e veta plotësisht, por ka edhe çështje të tjera të cilat duhet të lëvizin përpara. Mendoj që e dini se në cilat çështje po punon grupi tani dhe folëm sot se si mund të ngushtohen disa prej atyre zbrazëtirave dhe se si mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara.

RTK: Ka shumë fjalë se Kosova ende përballet me probleme të shumta për shkak të korrupsionit. Përse është e rëndësishme që Kosova ta luftojë korrupsionin dhe çka do të përfitonte Kosova nëse bëhet vend me më pak raste të korrupsionit?

Nuland: Do të thosha se është me rëndësi për çdo vend që ta luftojë korrupsionin, përfshi edhe vendin tim. Në veçanti për vendet demokratike, sepse korrupsioni e vret demokracinë sepse në thelb nënkupton që një pakicë njerëzish zhvasin shumicën, si dhe ka të bëjë nëse qeveria juaj është plotësisht e pastër dhe llogaridhënëse, e kështu me radhë. Pra, është me rëndësi që të krijohet një mjedis ku terreni i lojës është i njëjtë për të gjithë dhe të gjithë iu përmbahen rregullave të njëjta. Në veçanti, kur qeveria është e pastër, demonstron që është e pastër dhe që nuk i zhvat qytetarët e vet. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë grupet e interesit të caktuar e shfrytëzojnë këtë situatë dhe nganjëherë edhe interesat e jashtme ndikojnë në mënyrë jo të duhur në vend. Pra, nëse dëshironi që të keni demokraci të fuqishme dhe të gjallërueshme, ju duhet ta luftoni korrupsionin. Nëse dëshironi t’i tërhiqni bizneset, ju duhet ta luftoni korrupsionin. Nëse dëshironi t’i tërhiqni investuesit e huaj dhe nëse vijnë këtu kanë dhe të krijojnë vende pune dhe mundësi, ata duan ta dinë se terreni i lojës do të jetë i njëjtë edhe për ta dhe që nëse kanë probleme, do ta kenë mundësinë të merren me to e jo që t’i kenë disa njerëz që i zhvasin.

RTK: Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve nga Kosova janë pjesë e grupeve terroriste si ISIS dhe Al-Nusra. Si e shihni këtë gjë për Kosovën? A është Kosova në rrezik nga ekstremizmi dhe çka mendoni për kërcënimin nga ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë?

Nuland: Ekstremizmi i dhunshëm na kërcënon të gjithëve. Siç e dini, ai kërcënon paqen dhe sigurinë nëpër tërë planetin dhe të gjithë kemi interesin që të punojmë kundër kësaj. Kosova ka sfida të caktuara, por ju veçse keni ndërmarrë masa të fuqishme. P.sh. ju e keni miratuar një ligj shumë të mirë, i cili sanksionon shkuarjen për të luftuar në mënyrë ekstremiste. Ligji po ashtu sanksionon financimin e luftëtarët e huaj, por tani këto gjëra duhet të zbatohen. Po ashtu, duhet të vazhdoni dhe të dilni në komunitet dhe që të siguroheni se ka edukim të mirë, që po përhapni fjalën që këto porosi ekstremiste janë të rrezikshme dhe që fëmijët po helmohen me këto porosi, si dhe asgjë nuk përfitohet përmes përdorimit të dhunës si mjet për shprehje politike, por që këto gjëra shkatërrojnë vendin. Kosova po bën përpjekje të mira dhe ju duhet të vazhdoni ta bëni këtë gjë dhe kjo duhet të bëhet jo vetëm në nivel të qeverisë, por në çdo shtëpi: prindërit duhet të flasin me fëmijët e tyre për këtë gjë; komunitetet duhet të flasin rreth rrezikut të ekstremizmit sepse përndryshe këto gjëra lëshojnë rrënjë dhe demokracia nuk mund të lulëzojë.

RTK: Zonja Nuland, ju faleminderit për kohën tuaj.

Nuland: Ju faleminderit shumë, Burim, për mundësinë për të qenë me ju. E vlerësoj këtë.