Intervista e ambasadorit Kosnett për TV Puls, 13 nëntor 2019
TV Puls: Shikues të dashur, mirëmbrëma. Kjo është studio e hapur e Radiotelevizionit Puls. Kam kënaqësinë ti shpreh mirëseardhje mysafirit tonë, Shkëlqesisë së Tij, z. Philip Kosnett, ambasadorit të SHBA-së në Kosovë.
Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit, Millosh. Kam kënaqësinë që jam sot në Novobërdë.
TV Puls: Sërish, mirëmbrëma dhe mirë se vini. Kjo është vizita juaj e parë në Novobërdë dhe takimi i parë me njerëzit e kësaj ane të Kosovës prej ardhjes suaj në Prishtinë. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj dhe a mund ti ndani përshtypjet tuaja me shikuesit tanë?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se në çdo vend është e rëndësishme që diplomatët të dalin jashtë kryeqytetit, të udhëtojnë nëpër vend dhe ti dëgjojnë idetë dhe shqetësimet e qytetarëve të zakonshëm. Bashkëshortja ime, Alisoni dhe unë erdhëm sot në Novobërdë pikërisht për këtë – për të folur me njerëzit e rëndomtë dhe për ti kuptuar jo vetëm problemet e tyre, por edhe mundësitë që i shohin për të ardhmen e komunitetit të tyre në Kosovë.
TV Puls: Nëse mund t’ju pyes, me kë dhe për çka biseduat gjatë vizitës në Novobërdë?
Ambasadori Kosnett: Së pari shkuam në kishën e fshatit Bostan, ku u takuam me atin Stevo dhe anëtarët e grigjës së tij, njerëz të rëndomtë, si bujq e punëtorë, e pastaj shkuam në shkollën e mrekullueshme të muzikës në Stanishor, ku mendoj që bashkëshortja ime dhe unë thjeshtë u dashuruam me shkollën dhe fëmijët aty. Më duhet të them, gjithashtu, se vizita në shkollën e muzikës ishte përkujtim që Kosova, si edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dueht të jetë shoqëri shumëkulturore e shumetnike. Pasuria kulturore që komuniteti serb ia jep këtij vendi është njëmend e jashtëzakonshme dhe ju thashë prindërve e nxënësve të shkollës se të gjithë ata janë heronj vetëm sepse jetojnë në Kosovë, e jetojnë jetën e tyre, ua mundësojnë fëmijëve të tyre të ardhmen këtu.
TV Puls: Përveç çështjeve lokale, dëshiroj të pyes edhe për disa çështje më të gjera. Pas emërimit të Matthew Palmer si emisar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe i Richard Grenell si emisar i posaçëm për marrëdhëniet Prishtinë – Beograd duket se SHBA-ja është e gatshme të angazhohet më shumë në zgjidhjen e kësaj çështjeje në këtë pjesë të Evropës. Si e shihni këtë nismë?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se kjo është e vërtetë, Millosh. Administrata e Trumpit ka treguar se jemi më se të përkushtuar për ti mbështetur miqtë tanë në tërë Ballkanin Perëndimor për të ndërtuar të ardhme me paqe, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë. E siç e dini, vitin e shkuar, presidenti Trump iu ka shkruar letër presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq për të theksuar përkushtimin tonë për këtë gjë. E fakti se tani kemi dy emisarë të posaçëm, njërin duke punuar në Shtëpinë e Bardhë, Rick Grenell, dhe tjetrin në Departamentin e Shtetit, Matt Palmer, është tregues konkret sa seriozë jemi për ti ndihmuar qeveritë në Kosovë dhe Serbi për tu kthyer në tavolinën e negociatave për të krijuar një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
TV Puls: Muajin e kaluar u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ende po presim rezultatin përfundimtar, por si e komentoni procesin zgjedhor në përgjithësi?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se rezultati tregoi qartë se populli në Kosovë, i gjithë populli në Kosovë, dëshiron ndryshim. Dëshiron të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Shumë prej problemeve me të cilat përballet komuniteti serb janë të njëjta si ato me të cilat përballet komuniteti shumicë: mungesa e mundësive ekonomike, vende të pakta të punës, mangësitë në sektorin e arsimit. Pra, mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë duan që së bashku të gjejnë mënyrën si të ecin përpara.
TV Puls: Megjithatë, si e komentoni pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhje dhe rezultatin preliminar?
Ambasadori Kosnett: Siç e thatë edhe ju, procesi zgjedhor po vazhdon ende, ka pasur sfidime të ndryshme ligjore e të ngjashme. Mendoj se do ta pres rezultatin përfundimtar për të komentuar specifikisht për këtë gjë. Megjithatë, do ta them se jam duke u takuar me udhëheqësit e të gjitha partive politike, si ata që me gjasë do të jenë në qeverinë e ardhshme, po ashtu edhe ata që me gjasë do të jenë në opozitë, për ti theksuar dy gjëra. E para, siç e thashë më herët: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për ta mbështetur popullin e Kosovës dhe vendet fqinje për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë. E dyta, ne shpresojmë që të gjithë do të veprojnë në mënyrë konstruktive. E dini, edhe partitë që janë në opozitë luajnë rol të rëndësishëm për të krijuar atmosferë pozitive për rinisjen e dialogut me Serbinë. Dhe shpresoj që dialogu do të rinisë mjaft shpejt.
TV Puls: Sipas të gjitha gjasave, mund të presim që qeveria e re e Kosovës të formohet muajin apo dy muajt e ardhshëm. Cila është perspektiva e Kosovës dhe e tërë Ballkanit Perëndimor në të ardhmen?
Ambasadori Kosnett: E dini, unë jam optimist. Besoj se është e qartë që populli i Kosovës dhe populli i Serbisë janë të pakënaqur me situatën e tanishme. Në ambasadën amerikane flasim shumë për rëndësinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, për rëndësinë e luftimit të korrupsionit, të vendosjes së drejtësisë për të gjithë, pa marrë parasysh prej cilit komunitet janë ata. Mendoj se populli i Kosovës është i gatshëm për ndryshim dhe besoj që nuk është e mundshme që të flitet për drejtësi, prosperitet dhe paqe në mënyrë të ndarë. Këto tri qëllime janë të lidhura ngusht dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ti hapë dyert për prosperitet dhe drejtësi më të madhe në të dy vendet.
TV Puls: Shkëlqësia juaj, ju faleminderit që folët për Radiotelevizionin Puls.
Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit.